Me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë personi që u arrestua sot si i dyshuar lidhur me shpërthimin e veturës së drejtorit të Qendrës Klinike Univeristare të Kosovës (QKUK), Osman Hajdarit, që ndodhi ditë më parë.
Arrestimi i tij u bë sot në një lokacion në Komunën e Podujevës.
Lidhur me rastin, policia njoftoi për kontrollin e një lokacioni dhe sigurimin e dëshmive relevante për hetimin.
Njoftimi i plotë i policisë:
Policia e Kosovës, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me një rast të raportuar më datë 30.04.2025, ku ishte raportuar se në parkingun e QKUK-së në Prishtinë kishte ndodhur një rast ku është dyshuar për një shpërthim në një veturë.
Në kuadër të veprimeve hetimore dhe bazuar në urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, më datë 07.05.2025 është realizuar një operacion policor në një lokacion në komunën e Podujevës, ku është arrestuar një person i dyshuar.
Gjatë zbatimit të urdhëresës janë ndërmarrë edhe veprime tjera procedurale në përputhje me autorizimet ligjore, përfshirë kontrollin e një lokacioni dhe sigurimin e dëshmive relevante për hetimin.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e plotë të rastit dhe informimin me kohë të publikut, duke respektuar në të njëjtën kohë konfidencialitetin e procedurave hetimore.