Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur orët e para të mëngjesit aksin rrugor “Fushë Krujë–Derven”, duke shkaktuar panik në zonë. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:15, në hyrjen e një dyqani që merrej me përpunimin dhe shitjen e mishit. Fatmirësisht, raportohen vetëm dëme materiale.
Objekti në fjalë është në pronësi të 30-vjeçarit Donald Luka, i cili, sipas burimeve policore, është i njohur për autoritetet. Luka dhe i vëllai janë akuzuar në vitin 2022 për dhunimin e një qytetari pas një konflikti rrugor për një parakalim të gabuar.
Policia dhe forcat xheniere kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe motivet e mundshme të shpërthimit. Ekspertët po analizojnë mbetjet e lëndës plasëse për të përcaktuar llojin dhe mënyrën e vendosjes.