Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës tashmë është njohur si datë zyrtare në kryeqytetin e SHBA-së dhe në disa shtete të ndryshme amerikane.
Drejtuesja e Washington DC, Maurie Bowser, ka qenë e para që e ka marrë një vendim të tillë, duke e njohur 17 shkurtin si datë zyrtare. Ky vendim i saj është ndjekur pastaj nga shteti i Arizonës, Masachusets, Illinois, Iowa, Maryland dhe New Hempshire.
Ky vendim është marrë për shkak të lidhjes së fortë në mes të dy popujve dhe për kontributin që shqiptarët e Kosovës kanë dhënë ndër vite në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për aktivistin shqiptar në SHBA, Martin Vulaj, shpallja e 17 shkurtit si datë zyrtare nga këto shtete të SHBA-së është një promovim i raportit të fortë mes dy shteteve.
Vulaj thotë se edhe pse shtetet nuk e përcaktojnë diplomacinë amerikane, përmes këtyre veprimeve ato tregojnë përkrahjen e madhe që ekziston për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Njohja e 17 shkurtit si Dita e Pavarësisë së Kosovës nga disa shtete të SHBA-së është një afirmim simbolik i marrëdhënies së fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Edhe pse shtetet nuk përcaktojnë politikën e jashtme, këto proklamata pasqyrojnë mbështetjen e gjerë amerikane për pavarësinë, zhvillimin demokratik dhe sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Vulaj për Express.
Ai ka thënë se kjo njohje e 17 shkurtit si datë zyrtare, nderon komunitetin shqiptaro-amerikan dhe punën e bërë ndër vite për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.
“Këto njohje gjithashtu nderojnë komunitetin shqiptaro-amerikan, avokimi dhe kontributet e të cilit kanë qenë thelbësore në forcimin e lidhjeve midis dy vendeve. Për shumë njerëz, këto proklamata përfaqësojnë njëkohësisht njohjen e arritjes historike të Kosovës dhe rolin e rëndësishëm që shqiptaro-amerikanët luajnë në jetën qytetare të Shteteve të Bashkuara”, shprehet Vulaj./GazetaExpress/