Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka hapur konkurs për 21 prokurorë të rijnë që do t’i shtohen sistemit. Ky konkurs do të jetë i hapur nga 19 maji deri më 1 qershor.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial i Kosovës, Ardian Hajdaraj, ka deklaruar se duhet t’i jepet përparësi komuniteteve pakicë dhe gjithashtu ka kërkuar që konkursi të promovohet edhe në gjuhën serbe.
Duke folur për datën e hapjes së konkursit, ai ka thënë se arsyeja pse janë caktuar këto data është se janë në proces të rregullimit të aplikimit online dhe gjatë kësaj kohe do të testohet, dhe do të jetë i gatshëm për aplikim.
Në mbledhje, kryetar i komisionit vlerësues u vendos të jetë Ardian Hajdaraj, ndërsa anëtarë do të jenë: Arian Gashi, Dardan Vuniqi, Bahri Hyseni dhe Florie Shamolli. Kurse, anëtarë rezervë do të jenë prokurori Ramadan Koro dhe Visar Krasniqi.
Kurse në komisionin për rishqyrtim kryesuese do të jetë Jehona Grantolli, e anëtarë Aleksandër Lumezi dhe Ikramije Bojaxhiu, ndërsa anëtarë shtesë Milot Krasniqi dhe Laura Pula.
Gjithashtu, me kërkesë të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, u hap konkursi i brendshëm për avancimin e dy prokurorëve në Departament për të Mitur.
Kërkesa e Kryeprokurorit ishte që katër prokurorë të avancohen, por Këshilli vlerësoi që në këtë fazë të avancohen vetëm dy. Shpallja do të jetë e hapur për 15 ditë, nga 5 maji.
Ndërsa, prokurorja Albana Parduzi dhe prokurori Atnor Skoro, u avancuan në Departamentin për Krime të Rënda. Parduzi është prokurore në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, ndërsa Skoro është prokuror në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Në mbledhje, Këshilli Prokurorial me 11 vota për dhe asnjë kundër, votoi që këta prokurorë të avancohen në DKR.
Ndërsa, prokurori Kujtim Munishi me 8 vota për është zgjedhur Koordinator Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik. Në garë për këtë pozitë ishte edhe Koordinatori aktual, Shqipdon Fazliu, i cili mori dy vota për dhe një abstenim.
Paraprakisht, për plotësim/ndryshimin e Rrregullores për themelimin dhe funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar, anëtari nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi, tha se edhe kjo Rregullore është hartuar pa asnjë kriter dhe në 3 nenet e sa, më shumë i ngjan një vendimi sesa rregullores.
Më pas, me 7 vota për, 1 kundër dhe 3 abstenime, u miratua Rregullorja për themelimin dhe funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar.
Para miratimit, anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Veton Shabani, ka lëshuar mbledhjen e Këshillit kur filloi diskutimi për plotësim/ndryshimin e Rregullores për transferimin dhe avancimin e prokurorëve të Shtetit. Kjo, sipas tij, nuk mund të miratohet një Rregullore pa u harmonizuar më Ligjin për KPK-në. Andaj, me arsyetimin për të mos rënë në konflikt interesi, ai lëshoi mbledhjen.