Shpallen fituesit e garës PRISHTINA N'SHPI - Gazeta Express

Shpallen fituesit e garës PRISHTINA N’SHPI

Lajme

Gazeta Express

26/05/2020 18:25

Nik Morina, Redon Kika dhe Andra Dauti përbëjnë tre fituesit e parë të garës PRISHTINA N’SHPI kurse edhe rreth 200 fotografi tjera janë përzgjedhur për publikim në albumin e përbashkët të Prishtinës nën izolim, masë e vënë për mbrojtjeje nga COVID 19.

Rreth 500 autorë kanë ndarë me garën PRISHTINA N’SHPI më shumë 2500 fotografi të realizuara në kryeqytet gjatë ditëve të izolimit. Fotot fituese i kaluan dy procese te votimit, njëri që filtroi fotografitë e vlefshme për garë dhe procesi i dytë ku juria profesionale e përbërë nga tre anëtarë, profesionistë në fushën e fotografisë, artistë dhe shkrimtarë, zgjodhi fotot fituese dhe i selektoi fotot për publikim në platformën www.prishtina.photos

Juria e PRISHTINA N’SHPI u përbë nga:

-Rina Krasniqi
Shkrimtare dhe publiciste
Lirindja

-Valdrin Xhemaj
Fotograf dokumentar
European Press-Photo Agency

-Atdhe Mulla
Fotograf, Redaktor i Fotografisë
Kosovo 2.0


Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të jurisë për tre fotot fituese të garës:

VENDI I – NIK MORINA

“Fotografia e Nik Morinës e shfaqë një çast të një përballjeje midis dy përjetimeve pothuajse të kundërta ndaj situatës së krijuar – atë të fëmiut dhe prindit.

Në fotografi shohim një fëmijë duke vizatuar një ylber, i cili posa ka dalë pas reve. Fëmiu poashtu ka vizatuar një zemër. Kurse, përmes siluetës së errët në plan të parë të fotografisë, pamja e fëmijës që ngjyrosë dritarën, përballet me frikën e autorit të fotografisë – që preokupohet se çfarë do të bartë e ardhmja”.

VENDI II – REDON KIKA

“Një drekë e thjeshtë rreth tryezës mes disa të rinjëve që në shikim të parë duket se janë studentë, mbase nga qytete të tjeta e të ngujuar në Prishtinë ku fakulteti dhe jeta jashtë pragut të shtëpisë është mbyllë. Apo ndoshta edhe janë miq që jetojnë së bashku apo edhe familjarë. Ambienti është modest e ngjyra e fotografisë e zbehtë por ata shihen të lumtur gjerësa diskutojnë e debatojnë rreth çështjeve lokale a botërore, – të pasuara nga shaka dhe të qeshura, ndonjë fshehtësi e ndarë nga ndonjëri apo ndonjë thashetheme të pafajshme.

Çfarë është me rëndësi në fotografinë e Redon Kikës është pikërisht kjo: aty portretizohet një pamje që të gjithë e njohim shumë mirë – diçka kaq e zakonshme dhe e thjeshtë, por me një peshë të madhe dhe vlerë të ngritur në një kohë të vështirë dhe të pasigurt siç është ajo në të cilën po jetojmë. Në kohë të tillë si kjo është vetëm kur jemi së bashku që ndihemi të sigurt dhe kemi besim se gjithçka do të bëhet mirë”.

Processed with VSCO with c1 preset

VENDI III – ANDRA DAUTI

“Shumë shkrimtarë dhe artistë në të kalurën kanë folur për të rinjtë dhe mërzinë e tyre, paqartësitë ekzistenciale dhe konceptin e “killing time”.

Të jetosh në një pandemi është diçka e re për gjeneratën Z dhe i bën përpjekjet e tyre për të vrarë kohën edhe më të vështira. Por fatmirësisht për ta ekziston interneti ku ata ndajnë kreativitetin e tyre me botën.

Në foton e Andra Dautit shohim dy vajza në karantinë, të veshura bukur por s’kanë se ku të shkojnë përtej frigoriferit, ku edhe ndalen dhe pozojnë. Fotografia është shumëngjyrëshe dhe e gjallë por disi e heshtur – një manifestim i denjë i rinisë së vitit 2020”.

Tri vendet e para shpërblehen nga Komuna e Prishtinës me nga 500, 300 dhe 100 EUR respektivisht.

Të gjitha fotografitë tjera të përzgjedhura të këtij dokumentimi janë publike në platformën www.prishtina.photos kurse më vonë një pjesë e tyre do të publikohen në një libër dhe ekspozitë.

PRISHTINA N’SHPI, nisi si aktivitet kulturor me qëllim involvimin e qytetarëve të Prishtinës në dokumentimin e jetës së tyre në izolim që ishte vënë si masë mbrojtëse nga shpërndarja e COVID 19. Të drejtë pjesëmarrje kanë pasur të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe fshatrave të Komunës së Prishtinës. Pjesëmarrësit u ftuan të ndajnë imazhe të cilat ilustrojnë shtëpinë si ambient të mundshëm pune, loje, muzike, vallëzimi, arti, dashurie, rritje, frike apo agonie.

Gara është organizuar nga platforma PRISHTINA, nën drejtimin kreativ të kolektivit Andrrat Moderne+Ermal dhe është mbështetur nga Komuna e Prishtinës në kuadër të aktiviteteve RriNshpi.

Shihni të gjitha fotot e përzgjedhura në linkun prishtina.photos