Shoqëria civile: Ndërprerja e seancës së sotme nga Dehari e jashtëligjshme dhe arbitrare - Gazeta Express
string(87) "shoqeria-civile-nderprerja-e-seances-se-sotme-nga-dehari-e-jashteligjshme-dhe-arbitrare"

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 15:52

Shoqëria civile: Ndërprerja e seancës së sotme nga Dehari e jashtëligjshme dhe arbitrare

Lajme

Gazeta Express

23/07/2025 15:52

Arbitrar dhe i kundërligjshëm po konsiderohet veprimi i kryesuesit të seancës konstitutive, Avni Dehari për ndërprerjen e seancës së sotme. Ky i fundit tha se nuk ka kushte për mbajtjen e saj, pasi që deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu ia largoi mikrofonin Deharit. Monitorues të punës së uvendit thonë se në seancën e sotme nuk janë plotësuar kushtet për ndërprerje të seancës.

Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj thotë për KosovaPress se udhëheqja e seancës konstituive nga deputeti i LVV-së, Avni Dehari, ka ndikim politik.

“Ishte ndërprerje arbitrare e vazhdimit të seancës së 51-të të Kuvendit të Kosovës, të konstituimit të seancës konstituive. Ajo që pamë ishte pra ndërprerje arbitrare e Kuvendit, sepse sipas Rregullores së Kuvendit, atje janë të listuara se cilat janë masat në rast se një deputet i Kuvendit të Kosovës e ndërpret seancën ose bën probleme të cilat bien ndesh me rregullat parlamentare. Në këtë rast edhe tek deputetja zonja Ganimete Musliu do të duhej që fillimisht t’i tërhiqet vërejtja dhe më pastaj të kërkohej largim nga seanca të asaj deputeteje. Në rast se as ajo nuk do të largohej atëherë do të duhej të thirrej sigurimi që ta largonte atë nga seanca plenare”, deklaron ai.

Pas përplasjes verbale mes Musliut dhe Deharit, kryesuesi i seancës e ndërpreu seancën duke thënë se e njëjta vazhdon më 25 korrik në orën 11:00. Ai nuk e hodhi fare në votim formimin e komisionit të fshehtë.

“Këto kushte paraprake nuk u plotësuan në mënyrë që të shkohej tek ndërprerja e seancës. Dhe më pastaj në rast se kërkohet ose krijohet rrëmujë në seancë, deputeti më i vjetër në këtë rast kryesuesi i seancës Avni Dehari kërkon që të ndërpritet seanca dhe të shkohet me një pauzë tjetër dhe tek më pastaj edhe në rast se nuk ndërpritet rrëmuja në seancë, gjë që sot nuk ishte rrëmujë në seancë plenare, atëherë shkohet me ndërprerje të seancës dhe caktohet një ditë tjetër, të cilën e paralajmëron vet kryesuesi i seancës konstituive. Sot nuk janë plotësuar kushtet në mënyrë që të ndërpritet seanca dhe të caktohet vazhdimi pas dy ditëve”, shton Jakaj për KosovaPress.

Edhe Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thekson se mënyra se si po “administrohet seanca është jashtë çdo norme procedurale”.

“Rendi i ditës në seancën konstitutive është i paracaktuar nga mbledhja e kryetarit të vjetër të Kuvendit dhe grupeve tjera parlamentare dhe si rrjedhojë do të duhej vetëm t’i zbatonte pikat e rendit të ditës [Avni Dehari], ashtu siç kanë qenë të përcaktuara. Megjithatë, këtë sot nuk e bëri dhe logjikisht dhe juridikisht mund ta cilësojmë se mbyllja e tillë e seancës është e jashtëligjshme dhe arbitrare”, u shpreh ai.

Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, deputetët kanë afat deri më 26 korrik të konstituojnë Kuvendin. Ndërprerja e seancës së sotme, siç shtoi Bugaqku është e pakuptimtë.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që t’i vendosë masë të përkohshme rrjedhjes së afatit për konstituim të Kuvendit, i cili do të skadojë më 26 korrik.

E para e vendit, Osmani i është drejtuar të martën institucionit më të lartë juridik në vend, duke kërkuar sqarime për pasojat juridike nëse deputetët nuk konstituojnë legjislaturën e nëntë deri të shtunën.