Në një moment historik për drejtësinë ndërkombëtare dhe kujtesën kolektive, më 23 maj 2024, në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York, u miratua rezoluta që shpall 11 korrikun si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Kjo rezolutë e rëndësishme, që vjen pas një përpjekjeje shumëvjeçare nga viktimat dhe dëshmitarët e gjenocidit të kryer në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, përfaqëson një akt drejtësie dhe njohjeje të dhimbjes së mijëra familjeve.
Dy gjykatat ndërkombëtare të OKB-së — Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe pasardhësi i saj, Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare (IRMCT) — e kanë njohur zyrtarisht atë që ndodhi në Srebrenicë si gjenocid.
Përmes një deklarate të përbashkët, Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit dhe Lëvizja “Nënat e Enklavave Srebrenicë dhe Zhepë” theksuan se miratimi i rezolutës është dëshmi e qartë se “lufta për të vërtetën dhe drejtësinë ia vlen”.
Ato shprehën falënderim të veçantë për shtetet që mbështetën rezolutën, për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, si dhe për anëtarin e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, dr. Denis Beciroviq, i cili udhëhoqi fushatën ndërkombëtare për miratimin e këtij dokumenti.
Veçanërisht domethënës është apeli i drejtpërdrejtë që i drejtohet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, liderit të entitetit serb në Bosnjë, Milorad Dodik, si dhe kreut të Kishës Ortodokse Serbe, që të pranojnë të vërtetën historike dhe t’i bashkohen botës së civilizuar në ndërtimin e paqes në rajon.
“Në botën moderne, asgjë nuk merret si e mirëqenë – për gjithçka duhet luftuar,” thuhet në deklaratë, duke aluduar edhe në rezistencën e vazhdueshme ndaj pranimt të gjenocidit nga qarqet nacionaliste dhe fetare në Serbi./Vijesti