string(54) "shoku-perballe-te-keqes-qe-thirret-ne-emer-te-popullit"

‘Shoku’ – përballë të keqes që thirret në emër të popullit

Arte

Donjeta Abazi

13/02/2025 16:43

Më 12 shkurt në ambientet e librarisë ‘Dukagjini’ u promovua libri i autorit Cesare Pavese, sjellë në shqip nga përkthyesi Edon Qesari

Shënim për librin:

Lexo Edhe:

“Shoku” nga autori Cesare Pavese është pjesë e kolanës “Effugium” – Evropa Kreative dhe është një nga romanet më intensive të Paveses, një histori, me elemente autobiografike, me një protagonist të ri që ndodhet në një krizë ekzistenciale, i përfshirë në politikën e krahut të majtë.

Libri rrëfen konspiracionin politik dhe botën e klasës punëtore pa retorikë dhe magjepsje, duke na dhënë një tekst të plotë me të gjitha pritshmëritë e zhgënjimet në Itali pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe një rrëfim pozitiv të marrëdhënies midis burrit dhe gruas, që nuk do të gjejë më hapësirë në veprat e tjera të autorit.

Të ftuar për të diskutuar për librin dhe autorin ishin përkthyesi, Edon Qesari dhe shkrimtari e profesori Ag Apolloni. Qesari dhe Apolloni ndanë me lexuesin edhe detaje nga jeta e autorit si dhe ndërlidhjen e lexuesit shqiptar me librin.

“Cesare Pavese nuk është fashist në një vend ku sundon regjimi fashist. Ai ishte një intelektual i cili në mesin e viteve të 30-ta në këtë Itali fashiste bëhet gjithnjë e më i njohur nëpërmjet dy sferave kulturore, ai është një kritik letrar (i hap rrugën shumë shkrimtareve që më vonë do të bëhen të njohur) por edhe është edhe një përkthyes (kryesisht përkthyes nga letërsia amerikane). Edhe pse në dukje Pavese nuk është vetvetiu i angazhuar në ato që janë zhvillimet politike të kësaj Italie fashiste ai ka një fatkeqësi që bie në kundërshtim me autoritetet dhe për një far kohe burgoset. Me pas vjen lufta e dytë botërore dhe Pavese vazhdon të jetë i angazhuar por më pak. Ndodh që lufta e dytë botërore, fashizmi dhe regjimi i shkurtër i nazizmit në Itali ngre edhe një pjesë të mirë të popullatës në qendrës dhe ajo pjesë më e dukshme e popullatës që ngrihet kundër ati regjimi janë të rinjtë. Pavese nuk angazhohet në luftë në mënyrë të drejtpërdrejt ndryshe nga miqtë e tij për arsye nga më të ndryshmet, deri diku është një person jashtëzakonisht i ndjeshëm”, thotë nder tjerash Qesari.

Ndërlidhjen e autorit, të titullit, të librit dhe të kohës tonë, e piketon edhe Ag Apolloni i cili pos tjerash thekson personazhin e ndjeshëm në këtë libër që sipas tij nuk është libri më i mirë i autorit italian.

“Njëfarë ndërlidhje Pavese dhe libri “Shoku” me neve e ka edhe për shkak të titullit, pra ka një titull shumë jashtë kohës, ‘El Camarade’ (në kuptimin shoku komunist), rrëfehet nga kjo perspektivë por për shkak që rrëfehet nga ky person i brishtë i një moshe relativisht 20 e pak vjet, arsyetohet, do të thotë nuk mban qëndrim të prerë ideologjik prandaj ne nuk e lexojmë këtë si roman komunist e lexojmë si dikë që po involvohet në këto rrugë dhe ka dilemat e veta. Kjo e benë romanin më shumë lirik se sa ideologjik, madje janë disa përshkrime shumë të bukura në të cilat del poeti më shumë se sa prozatori te Pavese”, thotë Apolloni.

Ndikimi i autorit Pavese të lexuesi shqiptar për vite u bë përmes poezisë së tij, për dy arsye sepse vet Pavesen e njohim si njërin ndër poetët më të mëdhenj të kohës por edhe për shkak që për vite ka munguar përkthimi i prozës së tij në gjuhën shqipe.

Sipas Edon Qesarit një anë tjetër e këtij libri i cili ani pse tenton ta trajtojë ideologjinë e një regjimi të një kohe të caktuar, është edhe mesazhi dhe dy kuptimësia e autorit,

“Ky roman këmbëngul në ide se vlera e vërtetë e një njeriu kur (në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pa ndërgjegjshme) kalon nëpërmjet dy fazash të cilat dhe e shkëpusin atë nga të qenit një ishull i vetmuar, sepse askush nga ne nuk është asnjëherë një ishull i vetmuar dhe e fusin atë në atë që është trajta tokësore përreth nesh; shoqëria”.

Pse libri duhet të lexohet sot, dhe cila është rëndësia e tij në shoqërinë tonë, sidomos për të rinjtë (meqë pjesa e shoqërisë që theksohet në libër janë të rinjtë) sipas Ag Apollonit lidhet ngushtë me personazhin.

“Kjo është mbase e veçanta e këtij autorit që zgjedh një personazh të tillë, të ndjeshëm dhe të paformuar si karakter, që nuk beson verbërisht në ideologji por që është i tërhequr nga ideologjia komuniste. Zakonisht themi që secili që abuzon me fjalën popull (realisht aty abuzon edhe fashizmi), janë të gjitha regjimet që abuzojnë me fjalën popull, tentojnë të hedhin metanarrativa, metarrefime që kërkojnë besueshmëri të madhe, besueshmëri të miliona njerëzve, fashizmi, komunizmi kanë përdorur metanarrativa të tilla”.

Libri “Shoku” u botua nga Shtëpia Botuese ‘Dukagjini’ në kuadër të kolanës “Effugium” – projekt i mbështetur nga Evropa Kreative.

/Gazeta Express