Shmangia e ushqimeve ultra të përpunuara gjatë dietës mund të dyfishojë humbjen në peshë - Gazeta Express
string(88) "shmangia-e-ushqimeve-ultra-te-perpunuara-gjate-dietes-mund-te-dyfishoje-humbjen-ne-peshe"

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

05/08/2025 20:15

Shmangia e ushqimeve ultra të përpunuara gjatë dietës mund të dyfishojë humbjen në peshë

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

05/08/2025 20:15

Konsumimi i një diete me pak ushqime ultra të përpunuara mund të ndihmojë në përshpejtimin e humbjes në peshë, sugjeron një hulumtim premtues i publikuar sot.

Ushqimet e mbushura me aditivë, si patatinat dhe ëmbëlsirat, janë kritikuar prej dekadash për rreziqet e tyre të supozuara, me dhjetëra studime që i lidhin ato me diabetin e tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe kancerin.

Ekspertët madje kanë kërkuar që ushqimet ultra të përpunuara (UPF)—çdo ushqim që përmban më shumë përbërës artificialë sesa natyralë—të hiqen nga dieta.

Tani, shkencëtarë britanikë që ndoqën dhjetëra të rritur zbuluan se ata që ushqeheshin kryesisht me ushqime minimalisht të përpunuara dhe shmangnin UPF-të, humbën dyfish më shumë peshë sesa ata që konsumonin shpesh ushqime të përpunuara.

Për më tepër, qëndrimi te vakte të përgatitura në shtëpi ndihmonte edhe në uljen e dëshirës për ushqim, sipas tyre.

Megjithatë, dieta me shumë UPF nuk pati ndikim të madh në tensionin e gjakut, rrahjet e zemrës, funksionin e mëlçisë apo nivelet e kolesterolit.

Studiuesit argumentuan se gjetjet e tyre mbështesin thirrjet për të kufizuar disa lloje ushqimesh të përpunuara, por paralajmëruan gjithashtu se jo të gjitha ushqimet ultra të përpunuara janë të dëmshme në mënyrë të natyrshme.

Dr. Samuel Dicken, ekspert në shkencën e sjelljes dhe shëndet në University College London dhe bashkautor i studimit, tha:

“Pamë një humbje ndjeshëm më të madhe në peshë tek dieta me ushqime minimalisht të përpunuara.

“Kërkime të mëparshme i kanë lidhur ushqimet ultra të përpunuara me rezultate të dobëta shëndetësore. Por jo të gjitha ushqimet ultra të përpunuara janë të dëmshme bazuar në përbërjen e tyre ushqimore.”

Në këtë studim, studiuesit ndoqën 50 persona që më parë kishin dieta të pasura me UPF dhe i ndanë në dy grupe.

Gjysmës iu dha një plan diete tetë-javor me ushqime minimalisht të përpunuara si: bollgur i përgatitur një natë më parë dhe spageti me salcë bolonjeze; ndërsa gjysmës tjetër iu dhanë ushqime si: bato me bollgur për mëngjes apo lazanja e gatshme.

Pas përfundimit të një diete, grupet e ndërruan planin ushqimor.

Të dy dietat ishin të njëjta për nga përmbajtja ushqyese në yndyrna, yndyrna të ngopura, proteina, karbohidrate, kripë dhe fibra sipas Udhëzuesit Eatwell, i cili jep këshilla për një dietë të shëndetshme dhe të balancuar.

Ata zbuluan se pjesëmarrësit në dietën me ushqime minimalisht të përpunuara humbën më shumë peshë (2.06%) në krahasim me ata që ndoqën dietën me UPF (1.05%).

Dieta me UPF nuk solli as një humbje të konsiderueshme të dhjamit, shtuan studiuesit.

Dr. Dicken shtoi:

“Edhe pse një ulje prej 2% mund të mos duket shumë, kjo ndodhi për vetëm tetë javë dhe pa përpjekje të vetëdijshme nga pjesëmarrësit për të reduktuar sasinë e ushqimit. “Nëse i zgjasim këto rezultate për një vit, do të prisnim të shohim një reduktim prej 13% në peshë te burrat dhe 9% te gratë në dietën minimalisht të përpunuar, krahasuar me vetëm 4% te burrat dhe 5% te gratë në dietën me ushqime ultra të përpunuara. Me kalimin e kohës, kjo do të përbënte një ndryshim të madh.”

Pjesëmarrësit gjithashtu plotësuan pyetësorë për dëshirat ndaj ushqimit para dhe pas fillimit të dietave.

Ata që konsumonin ushqime minimalisht të përpunuara kishin më pak dëshira për ushqim dhe i kontrollonin më mirë ato, sugjeron studimi.

Megjithatë, studiuesit matën edhe faktorë të tjerë si tensioni i gjakut, ritmi i zemrës, funksioni i mëlçisë, niveli i glukozës dhe kolesterolit dhe nuk gjetën ndonjë ndikim negativ të rëndësishëm nga dieta me UPF.

Udhëzuesi Eatwell rekomandon që një grua mesatare të konsumojë rreth 2,000 kalori në ditë, ndërsa një burrë mesatar rreth 2,500 kalori.

Të dy grupet kishin një deficit kalorik, që do të thotë se konsumonin më pak kalori sesa digjnin – gjë që ndihmon në humbje peshe.

Por deficiti ishte më i lartë te ushqimet minimalisht të përpunuara, me rreth 230 kalori në ditë, krahasuar me 120 kalori në ditë nga UPF-të.

Profesor Rachel Batterham, autore e lartë e studimit nga Qendra për Kërkime mbi Obezitetin në UCL, tha:

“Megjithëse promovohen gjerësisht, më pak se 1% e popullsisë në Mbretërinë e Bashkuar ndjek të gjitha rekomandimet e Eatwell Guide, dhe shumica ndjek më pak se gjysmën prej tyre.

“Këshilla më e mirë për njerëzit do të ishte të përpiqen t’i përmbahen sa më shumë udhëzimeve ushqimore – duke moderuar marrjen totale të kalorive, kufizuar kripën, sheqerin dhe yndyrnat e ngopura, dhe duke prioritetizuar ushqimet e pasura me fibra si frutat, perimet, bishtajoret dhe arrat.”

Tracy Parker, eksperte në nutricion në British Heart Foundation, shtoi:

“Mënyra se si u hartua ky studim e bën atë më përfaqësues për kushtet reale të jetës sesa kërkimet e mëparshme mbi UPF-të.

“Përmasa e vogël e studimit është një kufizim, dhe fakti që shumica e pjesëmarrësve ishin gra kufizon përgjithësimin e rezultateve. Nuk mund të jemi plotësisht të sigurt për sa besnikërisht u ndoqën dietat, pasi pjesëmarrësit vetë-raportuan atë që konsumuan. Nevojiten studime më të mëdha dhe afatgjata për të parë nëse humbja më e madhe në peshë e vërejtur në dietat me ushqime minimalisht të përpunuara do të çojë në përmirësime më të mëdha në faktorët e rrezikut, përfshirë tensionin e gjakut, kolesterolin dhe sheqerin në gjak – dhe në uljen e rrezikut për zhvillimin e sëmundjeve të zemrës dhe qarkullimit të gjakut. Heqja tërësisht e UPF-ve nga dieta nuk është realiste për shumicën prej nesh. Por përfshirja e më shumë ushqimeve minimalisht të përpunuara – si vakte të freskëta apo të gatuara në shtëpi – krahas një diete të balancuar mund të ofrojë përfitime shtesë gjithashtu.”