Sot, KEDS ka njoftuar se ka nisur shkyçjet masive të bizneseve që s’kanë dalë në treg të lirë, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, dhe se nga KEDS u tha se sot kanë nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve, dhe që janë identifikuar mbi 1400 njehsorë elektrikë.
Rreth kësaj ka reaguar Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, nga ku, përmes një komunikate për media thuhet se liberalizimi i dhunshëm rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë e vendit
Nga DTHK kanë shprehur kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve.
‘‘Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend’’, thuhet mes tjerash.
Komunikatë:
Liberalizimi i dhunshëm rrezikon të lërë pa punë mbi 22 mijë punëtorë dhe të godasë rëndë ekonominë e vendit
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë rishpreh indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve që nuk janë pajtuar me kushtet e papranueshme dhe të dëmshme të ofruara nga kompanitë e licencuara, ndërkohë që pjesa tjetër kane bërë marrëveshje të përkohshme, janë në pritje të vendimeve të gjykatave dhe themelimit të institucioneve të reja të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë.
Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm, po rritë çmimet e konsumit të dy milionë qytetarëve të vendit dhe po rrezikon largimin nga puna të se paku 22 mijë punëtorëve, duke goditur rëndë familjet e tyre, ekonominë e brendshme dhe stabilitetin social në vend.
Në çdo vend tjetër, një kërcënim i tillë për humbjen e vendeve të punës do të ngjallte alarm të menjëhershëm. Në Kosovë, për fat të keq, institucionet po zgjedhin të heshtin, duke e bërë veten bashkëpërgjegjëse për pasojat e rënda që priten.
Pasojat e këtij hapi do të jenë dramatike: mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim të mëtejmë të qytetarëve.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë rikërkon për të disatën herë urgjentisht nga institucionet e vendit që të ndërhyjnë dhe të ndalin këtë proces të dhunshëm dhe të padrejtë, i cili rrezikon të shkatërrojë themelet e ekonomisë sonë.