Nëntëdhjetë për qind e bizneseve janë shkyçur më 16 gusht nga furnizimi me energji elektrike, ndërsa pjesa tjetër e mbetur do të shkyçen gjatë ditëve të ardhshme.
450 biznese janë shkyçur nga rrjeti elektrik.
Ekspertët e ekonomisë kanë kritikuar veprimet, teksa kanë paralajmëruar për pasojat që do t’i kenë ato për bizneset dhe ekonominë e vendit.
Ish ministri i Tregtisë, Ismet Mulaj, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se shkyçja e bizneseve nga rrjeti elektrik paraqet rrezik real për ekzistencën e tyre dhe i çon ato drejt falimentimit.
Sipas tij, kjo politikë po i dëmton bizneset dhe çrregullon tregun.
“Shkyçja e mbi 90% të bizneseve, të cilat u detyruan dhunshëm të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë, me çmime mbi 300% më të shtrenjta, nuk është thjesht një barrë e rëndë mbi shpinën e sektorit privat. Ajo paraqet një rrezik real për ekzistencën e shumë kompanive, duke i çuar deri buzë falimentimit. Kjo politikë jo vetëm që dëmton bizneset, por e çrregullon të gjithë tregun: çmimet e produkteve dhe shërbimeve rriten në mënyrë të pakontrolluar, inflacioni thellohet, ndërsa konsumatori i zakonshëm e paguan faturën më të madhe”, theksoi ai.
Mulaj vlerëson se kjo situatë krijon një pasiguri juridike që i tremb investitorët e huaj.
“Për më tepër, kjo situatë krijon një pasiguri juridike që i tremb investitorët e huaj. Asnjë kompani serioze ndërkombëtare nuk rrezikon kapitalin e vet në një vend ku rregullat ndryshohen pa paralajmërim dhe ku energjia – faktori bazë i prodhimit – shndërrohet nga avantazh konkurrues në pengesë për zhvillim. Për një vend të vogël si Kosova, ku investimet e huaja janë të pakta edhe në kushte normale, ky është një sinjal alarmi”, potencon ai për Gazeta Blic.
Ai shton se ky vit rrezikon të jetë më i keqi për bizneset që nga paslufta.
“Nëse kësaj i shtojmë mungesën e politikave të qarta për mbështetjen e prodhimit vendas dhe orientimin e ekonomisë drejt qëndrueshmërisë, ky vit rrezikon të jetë më i keqi për biznesin në Kosovë që nga paslufta”, deklaron Ismet Mulaj.
Ndërsa, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Jakup Bellaqa, thotë për Gazeta Blic se mos dalja në treg të hapur e bizneseve ka qenë për shkak të kërkesave të papërballueshme.
“Mospjesëmarrja e bizneseve në tregun e hapur të energjisë elektrike e mbi 90 për qind të bizneseve, është pasojë e mos politikave aktive të tranzicionit, mos informimit të mjaftueshëm dhe mosrealizimit të një fushate vetëdijesuese, sepse është krijuar pasiguri në ketë aspekt ku si faktor është se kriteret që janë caktuar nga ZRRE-ja se duhet të kenë mbi 50 punëtorë dhe qarkullim mbi 10 milionë euro brenda vitit kanë qenë të papërballueshme”, shprehet ai.
Bellaqa vlerëson se kjo situatë ju shkakton pasoja ekonomike bizneseve prodhuese dhe për ekonominë është e papërballueshme.
“Por, konstatoj se 22 operatorët apo furnizuesit e energjisë elektrikë nuk kanë siguruar energji të mjaftueshme për këto biznese dhe nuk ka pasur dhe nuk ka ende konkurrencë reale dhe treg konkurrues, gjithashtu ka munguar menaxhimi/ mosmenaxhimi i kontratave dhe mos-ofrimi i ofertave konkurruese nga operatorët që kjo situatë jo e favorshme bizneseve ju shkakton pasoja ekonomike si ato biznese prodhuese dhe shërbyese më së shumti që për ekonominë tonë është e papërballueshme, mirëpo edhe një faktor tjetër është evidente se tregu nuk është tërheqës dhe stimulues dhe duhet subvencionimi nga organet përgjegjëse”, potencon ekonomisti
“Pastaj procedurat komplekse dhe jo të përshtatshme kanë ndikuar si ato ligjore, teknike, administrative ku ka reflektuar që mos të lidhin kontrata në mes të bizneseve dhe operatorëve”.
Se si duhet të veprohet, Bellaqa thotë se duhet një afat shtesë prej 6 muajsh për bizneset.
“Ndërsa shtrohet pyetja se si duhet të veprohet, unë mendoj se duhet t’u jepet një afat shtesë prej 6 muajsh që të krijohen kushte që të lidhin kontrata dhe informohen me rrethanat e funksionimit të tregut të energjisë elektrike, pra tregut të hapur”, përfundon Jakup Bellaqa.