string(29) "shkurt-per-diskursin-e-kurtit"

Shkurt, për diskursin e Kurtit

OP/ED

Gazeta Express

12/02/2025 18:57

Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit i lexoj – teknikisht dhe permbajtesisht, – si fitore e Albin Kurtit dhe Lëvizjes së tij. Katërdhjetë për qind është shumë, për mënyrën se si ka qeverisur për katër vjet. Janë shumë për fushatën me britma e piskama që Kurti e bëri. Por, duket qartësisht se ai pësoi humbje dhe ndjehet humbës. Sepse, gjuha e Kurtit në festën e fitores, perveçse skandaloze, ishte humbëse dhe perçarëse.

Shkruan: Albioneta Ademi

Lexo Edhe:

Pesëqindmijë zemra nuk rrahen si një. Nuk e di nëse Kurti vërtetë ua kishte mësyrë 500 mijë votave, por gjuha e tij ishte për gjithçka ose asgjë. Gjithçka ishte një fitore që i jepte shumicën solide, e çfarëdo më pak se aq, për të ishte humbje. Edhe 40 për qindëshi.  Sepse, ai kishte projektuar diçka kur fliste lehtësisht, ta zëmë, për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, prokurorëve të Prokurorisë Speciale. Ku në Evropë, kandidati per Kryeminister flet kaq haptas në fushatë, për heqje e emërime të gjyqtarëve e prokurorëve? Nese i pranojmë justifikimet e Kurtit për perzierje në drejtësi, atëherë nuk ka autokratë në botë. Se edhe Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i justifikon mjetet e tij jodemoratike ndaj institucioneve te pavarura, ndaj kundershtarëve. Askush nuk thotë unë kam prirje autokratike, prandaj dua të ndalë gjithçka që nuk kontrollohet prej meje. Është banalisht e thjeshtë.

Të kthehem te fjalori i Kurtit;

Sipas fjalorit shqip, fjala ‘hajvan’, përveç kuptimit të parë për kafshën, kur përdoret për njerëzit, nënkupton “njeri i trashë nga mendja, budalla, gomar”.

Kush mendon Kurti që janë “hajvanë”? Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza, me njerezit e tyre në 10-shen e parë? Jo. Kurti, as kurrkush nuk beson se çfarë kanë ofruar këto parti opozitare në listen e tyre, janë hajvanë. Kujtim Shala, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Doarsa Kica, Enver Hoxhaj, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Jehona Lushaku, as me stadardin kosovar, as rajonal, as me çfarëdo standardi nuk janë “hajvanë”.

A ishte paraqitja e Abdixhikut në natën e zgjedhjeve dhe ajo çka tha ai prej “hajvanatit”? Si mundet fituesi me pushtet paraprak të flasë për “hajvanizem”, e humbësi të tregojë respekt për institucionet, vullnetin e popullit, rezultatet? Do të arsyetohej disi, që nëse s’mund të menjanohej tërësisht ajo gjuhë, së paku ta kishin humbësit, jo fituesi.

Gjuha e Kurtit si tallje dhe ofendim;

Është skandaloze, tallje e ulët, që në fjalimet e tij, Kurti përdor shprehjet e rajoneve ku opozita ka ose kishte bastione, si “pydykyhi” e “lydykyhi”.

Është evidente që stereotipet e Kurtit për rajone të Kosovës së vogël janë të ndërtuara fort. Ky nuk është konstatim vetëm nga mënyra si i thotë akronimet e partive. Ai hyn në rol, sapo del prej Prishtinës. Për shembull, e transformon të folurën sapo shkon në Podujevë.

Diskursi i Kurtit gjatë fushatës dhe në natën e fitores ka qenë perçares e tallës, për mua shumë herë tepër larg racionales – absurd. Për shembull, kur e barazvleresonte dashurinë e prindërve për femijët e tyre me votë. A i bie tash që mes rreth 400 mijë votuesve të opozites, ata që janë prindër, nuk i duan mjaftueshëm fëmijët e tyre?

Une e di që Kurti s’e beson këtë, as plot gjëra që i thotë, por e di saktë se kështu mund t’i bëjë të besojnë ata që – faktikisht me të drejtë, se këtë e konfrmon PISA – i ka vlerësuar si analfabetë, për shkak të cilësisë së arsimit në Kosovë.

“… Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore, atëherë prodhon ose njerëz për asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani.”, thoshte Kryeministri Kurti, dy vjet më parë.

Jam e sigurt se, deri këtu, keto që po i shkruaj, nuk mund t’i mohojnë zyrtarët dhe përkrahësit e Vetëvendosjes. Nëse ia mësyn, gjithmonë mund të thuash diçka kundër. Meqë ra fjala, deri sot nuk kam parë asnjë kritikë, sado konstruktive të ketë qenë ajo, që u pranua prej VV-së, pa u etiketuar disi. Si duket kritika për partinë në pushtet?

Tash, diskursi i Kurtit dhe e ardhmja;

Kur Kurti i quajti kundershtarët politikë “hajvanë”, e dinte se nuk e ka shumicën e votave. E dinte se nuk mund ta bëjë Kurtin III, pa “hajvanët”.

Nisur prej kësaj, kurdo që Kurti akuzon kundërshtarët, nëse ai nuk arrin ta bëjë Qeverinë, votuesit e tij dhe të tjerët, duhet ta shohin situatën në mënyrë kronologjike. As ligjërisht e as politikisht, askush nuk e ka për detyrë t’i shërbejë vendit të parë, sidomos kur ai të nençmon, shan e të tall vazhdimisht.

Kurti duket që s’ështe i kenaqur me përmasat e përçarjes që janë krijuar në shoqëri, për shkak se opozita nuk iu bashkëngjit në gjuhën e tij gjatë fushatës. Ai, poashtu, duket se  duke i quajtur hajvanë, do që ta nxisë opozitën për polarizim më të madh, të kënaqshëm për të. Sepse e di se në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që ato mbahen, fitorja e tij është më e madhe, sa më i ashpër e joracional të jetë diskursi politik e publik, sa më e madhe të jetë perçarja.

Duke e analizuar votuesin kosovar, ekspert i të cilit është Kurti, këto kanë funksionuar. Më vjen keq që ai po i përdor mjetet më jokorrekte për ta marrë votën e tij. Ka mundur që përmes qeverisjes pas 50 për qindeshit, votën ta mbajë me punë. Vetëm punë s’ka pasur këto 4 vjet. Katërdhjetë për qind është shumë.

Autorja e këtij shkrimi ka mbuluar politikën në Gazetën Express. Studion për Ballkan, Euroazi  dhe Evropë Qendrore në Institutin për Studime Ndërkombëtare të Charles University në Pragë.