Shkruan Visar K. Berisha: Brenda një senduiçi të moskoherencës - Gazeta Express

Gazeta Express

04/10/2020 18:00

Me i fundit

Shkruan Visar K. Berisha: Brenda një senduiçi të moskoherencës

Gazeta Express

04/10/2020 18:00

Procesi i përmbylljes së pavarësisë të Republikës së Kosovës pas opinionit të GJND-së, nga një pjesë e klasës politike, por edhe nga bartës të mendimit politik në vend, është kuptuar si një ndërmarrje fakultative, së cilës mjafton t`i shkosh pas dhe e gjitha një ditë do rezultojë e suksesshme. Pa ide, pa dinamikë e për pasojë edhe pa projekt, por bazuar vetëm mbi inercionin protonacionalist të trashëguar.

Në anën tjetër, paralelisht me këtë proces, përgjatë krejt kësaj periudhe, Kosova ka mbajtur zorshëm në këmbë demokracinë e brendshme, pavarësinë e pushteteve dhe barazinë shoqërore. Kjo ka prodhuar mosbesim, antagonizëm dhe defaktorizim sistematik të institucioneve politike brenda dhe jashtë.  Por, assesi nuk e ka penguar që të zhvillohet një ndërmarrje tjetër paralele, e madhe dhe komplekse që ka ndodhur gjatë këtij dhjetëvjeçari, siç është rikonfigurimi i interesave gjeostrategjike të miqve tanë, sponzorizues të pavarësimit tonë dhe mbështetës të subjektivitetit. Për më tepër, ajo që ka ndodhur në Kosovë e ka eklipsuar për kosovarët realitetin e ri të ndërtuar jashtë Kosovës dhe për Kosovën.

Lexo Edhe:

PRESSING

Prandaj, sot kur këto realitete, ky i brendshmi dhe ai që vjen nga jashtë, po përballen, ka kaq shumë moskoherencë te disa në të kuptuarit e nevojës sonë për të qenë tashmë protagonistë të procesit të përmbylljes së pavarësisë dhe subjektivizimit të mëtejmë të Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë. Kjo moskoherencë nuk mund të lejohet të shndërrohet në pengesë, përkundrazi ne jo vetëm duhet të haprojmë kujdesshëm me kërkesën tonë për përmbylljen e dialogut me Serbinë, me një marrëveshje gjithëpërfshirëse që na jep njohjen reciproke, por duhet ta ushqejmë edhe më shumë protagonizmin tonë në këtë proces.

Kosova s`ka asgjë më të ngutshme, sesa të lirohet një orë e para nga laku i status quos në të cilin po e mban mekanizmi atipik i pavarësimit të saj.

Marrëveshja e Washingtonit është dera (exit strategy) dalëse nga qarku i mbyllur, në të cilin Ballkani Perëndimor, por më së shumti Kosova po asfiksohej ngadalë dhe sigurt që mbi dhjetë vjet. S`ka asgjë më shumë politike, sesa kur nëpërmjet instrumenteve ekonomike Kosova ka shansin të bëhet nyje e stabilitetit rajonal, pasi do të garantojë lëvizjen e mallrave dhe energjisë nëpër territorin e saj, si dhe do të valorizojë njërin prej aseteve më të rëndësishme energjetike në Ballkan siç është Ujmani. Ujmani ka shansin të bëhet për Kosovën njëri nga instrumentet më të fuqishme për rritjen e subjektivitetit tonë në rajon. Sepse, subjektiviteti nuk është një gravurë simbolesh për ta varur në mur, po mbi të gjitha është masë e fuqisë, të cilën ti e posedon e me të cilën garantohet dhe ushqehet paqja dhe mirëqenia rajonale.

E, me këtë marrëveshje Kosovës po i jepet kredit shtesë për të plotësuar subjektivitetin e vet në mënyrë që pastaj të jetë e gatshme për të bartur mbi supe peshën e stabilitetit rajonal. Kush nuk ka arritur ta kuptoj ende këtë dinamikë që po diktohet, por është ende në pritje të një marrëveshje të modelit të shekullit 19, është duke e vuajtur mosdijen, shurdhimin politik dhe mos koherencën ose edhe më keq, nuk beson në projektin politik të Kosovës dhe ende ëndërron në përplasje ushtrish.

Në anën tjetër, modeli “atipik” i Washingtonit, i të bërit marrëveshje për palët kërkon një përfshirje totale si të përfitimeve, ashtu edhe atyre që quhen përgjegjësi atributive, të cilat na janë kërkuar në mënyrë që të reflektojmë përgjegjshmëri dhe vetëdije të lartë shtetërore. Njëra nga këto përgjegjësi është edhe Gjykata Speciale për krimet e supozuara gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. S`ka asnjë faktor, rrethanë apo shkak, i cili prevalon detyrimin tonë shoqëror dhe shtetëror për ta trajtuar këtë mekanizëm ligjor si instrument organik të sistemit tonë të drejtësisë e, për pasojë të mbajmë distancë nga ai duke mos e intimiduar apo kualifikuar si politik apo të dëmshëm. Çdo refuzim apo nxitje e rezistencës ndaj kësaj gjykate është vizavi e njëjtë me refuzimin apo intimidimin e cilësdo gjykatë të vendit, e cila ndan drejtësinë me të cilën rregullohen të drejtat dhe detyrimet tona në shoqëri.

Mbajtja e isos së frustrimit shoqëror në këtë rast jo vetëm se e ligështon të vërtetën brenda nesh, por e kualifikon Kosovën si vend me tendencë antiligjore dhe të cilës nuk mund t`i besohet as për përgjegjësitë që merr se lëre më.

Kosova, pjesa më e madhe e klasës së saj politike e intelektuale, është në udhëkryqin e të kuptuarit të shtetësisë së Republikës, e cila deri sot është përdorur për të konsumuar narracionin tonë nacionalist. Sot ka një kërkesë të re që shtetësinë dhe subjektivitetin ta shohim si faktor të matshëm për kah fuqia jonë ekonomike, e resurseve tona infrastrukturore dhe energjetike. Pra, jo më prej perspektivës huntigtoniane, ku të kundërtat e krijojnë kontrastin dhe japin fuqi, por ku të ndryshmet forcojnë pozicionin tënd gjeostrategjik.  

Sa më parë që kuptohet era e re tregut të resurseve dhe jo nacionalizmave, Kosova del nga vonesa dhe e sheshon shpejt moskoherencën duke kap hapin për t`u ulur në tryezën e të barabartëve në rajon dhe më gjerë. Kohët janë në të ndërruar e ne na duhet marsh i ri për të përmbyllur pavarësinë tonë.