string(44) "shkruan-sali-berisha-lamtumire-bujar-bukoshi"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

12/06/2025 19:38

Shkruan Sali Berisha: Lamtumirë Bujar Bukoshi

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

12/06/2025 19:38

Shkruan: Sali Berisha

Sot, familjarët, qytetarët dhe autoritetet e Prishtinës përcollën me nderim dhe dhimbje, për në banesën e fundit, birin e shquar të Kosovës dhe të kombit shqiptar, Dr. Bujar Bukoshin, ish-kryeministrin e parë të Republikës së Kosovës.

Dr. Bujar Bukoshi ishte një personalitet i shquar, një atdhetar i flaktë, një shtetar i formuar, i përkushtuar dhe trim, një ndër themeluesit, në krah të presidentit Rugova, të institucioneve të shtetit paralel të shqiptarëve të Kosovës së pushtuar. Ai u zgjodh si kryeministri i parë i qeverisë në ekzil të Republikës së Kosovës. Si bashkëpunëtori më i afërt dhe më i ngushtë i presidentit Rugova, Bujar Bukoshi dha një kontribut madhor në çështjen kombëtare. Krahas presidentit Rugova, ai luajti një rol kryesor në organizimin e pushtetit paralel të shqiptarëve të shtypur në Kosovë, pushtet që i shkëputi ata përfundimisht nga shteti i pushtuesve.

Bujar Bukoshi, një intelektual atdhetar dhe diplomat i aftë, e përfaqësoi Kosovën, qytetarët e saj dhe kauzën e tyre me dinjitet të veçantë në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe kancelaritë e vendeve të lira. Ai ngriti në mbarë botën Qendrat e Informacionit të Republikës së Kosovës, të cilat ishin ambasadat e informimit të komunitetit ndërkombëtar në kohë reale për të gjitha barbaritë, aparteidin, segregacionin dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Së bashku me presidentin Rugova, paraqitën dhe mbrojtën projektin e Kosovës së pavarur si zgjidhja e vetme dhe e drejtë për shqiptarët e Kosovës. Qeveria e drejtuar prej tij dhe Ministria e Mbrojtjes e kësaj qeverie mbështetën që në krye të herës fuqishëm krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nën udhëheqjen e presidentit Rugova dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të ish-kryeministrit Bukoshi dhe qeverisë së tij, erdhën në Shqipëri për stërvitje, përgatitje luftarake dhe armatim luftëtarët e lirisë, ndër ta edhe komandanti legjendar Adem Jashari, të cilët do të bëheshin themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Qeveria Bukoshi dhe Ministria e Mbrojtjes e kësaj qeverie organizuan gjatë luftës forcat e armatosura të qeverisë së Kosovës, të cilët luftuan me heroizëm krah njësive të UÇK-së për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi i egër serb.

Me Dr. Bujar Bukoshin unë pata fatin të bashkëpunoja ngushtë dhe për shumë vite.

Me këtë rast, unë i shpreh popullit të Kosovës, familjes, zonjës Bukoshi dhe fëmijëve të tyre, autoriteteve të vendit ngushëllimet më të ndjera të miat dhe të Partisë Demokratike.

I lehtë qoftë për ty, o mik i paharruar, dheu i tokës së lirë të Kosovës!

Lamtumirë Bujar Bukoshi!