Shkruan Martin Vulaj: Mos dil në rrugë Albin - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

29/04/2020 15:10

Shkruan Martin Vulaj: Mos dil në rrugë Albin

OP/ED

Gazeta Express

29/04/2020 15:10

Krimi e korrupsioni u bënë gjë e zakonshme në ish-bllokun komunist, qysh në Rusi, me rënien e Bashkimit Sovjetik, në Evropën Lindore dhe më në fund në Ballkan. Ne shqiptarët kishim dy shanse të veçanta (në Shqipëri dhe në Kosovë) për të krijuar një demokraci të mirëfilltë dhe funksionale, por, deri më tani, dështuam! Qeveri mbas qeverie në Shqipëri dhe në Kosovë u zhytën në kënetën e korrupsionit dhe të krimit. Me ardhjen e qeverisë së re u paraqit një element i ri që premtonte çmontimin e shtetit të kapur dhe thyerjen e metodave të zakonshme të keqqeverisjes, duke u përjetuar si një qeveri e shpresës. Premtimet për një qeverisje të mirë, për luftë kundër krimit dhe korrupsionit solli deri te fitorja në zgjedhjet e 6 tetorit duke marrë mbështetje të konsiderueshme edhe nga diaspora, përfshirë këtu edhe shqiptaro-amerikanët. Menduam se mund të ishte kjo qeveria për të cilën kemi punuar e pritur tash 30 vjet, mirëpo ndodhi si ndodhi dhe kjo qeveri e humbi besimin e Parlamentit të RK dhe u rrëzua.

Martin Vulaj

Albini doli e tha se e kishte rrëzuar Grenelli. Të tjerët po thonë se u grumbulluan bashkë kundërshtarët për ta rrëzuar, me qëllim që të mbronin interesat e tyre të ngushta. Të dyja këto arsye përmbajnë elemente të së vërtetës, mirëpo nuk janë e vërteta e plotë. E vërteta është se kjo qeveri nuk i ka naviguar ujërat ndërkombëtare në mënyrë të duhur, totalisht e ka nënvlerësuar seriozitetin amerikan, si dhe plotësisht e ka keqmenaxhuar ketë marrëdhënie deri aty sa e solli në pyetje vetë thelbin e miqësisë me SHBA-në! E paimagjinueshme! Dorën në zemër, ishte pikërisht ky keqmenaxhim që krijoi hapësirën e duhur për kundërshtarët  politikë, duke ua mundësuar që të bashkoheshin dhe në fund edhe ta rrëzonin ketë qeveri – domethënë qeverinë e shpresës.

Me reformat e brendshme që i ndërmorën dhe me retorikën e tyre frymëzuese, në njërën anë, dhe me keqmenaxhimin e relacioneve me SHBA-të, në anën tjetër, qeveria e shpresës ka treguar se ishte gati për arenën kombëtare po jo edhe për atë ndërkombëtare.

Ndoshta elementi më i çuditshëm ishte dyshimi i qëllimit të Amerikës. Z. Kurti vazhdimisht duket të ketë dyshuar në rolin e Rambouillet-së; edhe pse historia na tregon se Amerika e mbajti fjalën dhe veproi kundër forcave të regjimit serb në Kosovë! Kjo edhe i falet sepse ishte i ri. E kishte po këtë dyshim kur George W. Bush tha: “mjaft është mjaft! Kosova duhet të jetë e pavarur”. Por Amerika e mbajti fjalën ashtu që e pranoi Kosovën të pavarur vetëm katër muaj pas kësaj deklarate të Presidentit Bush. Edhe kjo i falet sepse ishte aktivist me të drejtën e mendimit të lirë. Amerika gjithnjë është treguar besnike dhe e ka mbajtur fjalën. Roli ynë është të ndërtojmë një shtet funksional dhe ta gjejmë hapësirën tonë ku të mundë të veprojmë si një partner i besueshëm. Mirëpo, kryeministri nuk e ka luksin as të rinisë e as të aktivistit; ai duhet t’i mbajë sytë gjithnjë në horizont e jo te këmbët e veta. Më kujtohet se dikur as e dinim adresën e Uashingtonit – kurrë nuk ma merrte mendja se do të vinte një ditë që nuk do t’ua hapnim telefonin miqve tanë amerikanë dhe që do të refuzonim ftesat për vizitë.

Në zgjedhjet në të kaluarën, Amerika kishte dyshime ndaj VV-së duke pasur parasysh disa metoda të përdorura nga VV-ja që nuk janë politikisht të pëlqyeshme. Por dalëngadalë, VV-ja evoluoi për t’u bërë parti serioze dhe, para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, Amerika ia hoqi çdo bllokadë, duke ia dhënë shansin për të treguar se mund të ishte partner në procese të rëndësishme që e presin Kosovën. Këtu dështoi. Përkundër vështirësive të kontekstit politik që u prezantuan për shkurtazi, z. Kurti nuk arriti të gjente zgjidhjen e duhur dhe kundërshtarët e shfrytëzuan hapësirën e krijuar nga vetë ai. Por tash jemi ku jemi. Çka tani? 

Në një bisedë me një mik, ai më tha: “Ishalla nuk i ka bërë shumë dëm vetes (me këtë qasje ndaj Amerikës)”. “Varet nga strategjia dalëse që do ta zgjedhë z. Kurti”, iu përgjigja. A do të kthehej VV-ja prapa te metodat e rezistencës që e karakterizojnë një pjesë të karrierës së saj politike – por që janë politikisht adoleshente? Apo do të mësojë nga kjo eksperiencë dhe të shfrytëzojë kohën që të rindërtojë marrëdhënie të mira direkte me Uashingtonin dhe të përgatitet për zgjedhjet e tjera eventuale? Zgjedhja e rrugës do të përcaktojë të ardhmen e tij si lider i një partie të matur e partner i besueshëm, apo si element që do të njihet si faktor i paparashikueshëm jostabiliteti me të cilin është e pamundshme të bashkëpunohet?  Prandaj, them: Albin, mos dil në rrugë! Do ta dobësosh Kosovën, edhe vetveten.