Strategjitë e pazbatuara janë vrasësit më të urtë të kohës - Gazeta Express
string(83) "shkruan-ibrahim-berisha-strategjite-e-pazbatuara-jane-vrasesit-me-te-urte-te-kohesk"

Gazeta Express

18/10/2020 11:15

Strategjitë e pazbatuara janë vrasësit më të urtë të kohës

Gazeta Express

18/10/2020 11:15

Në një bisedë tematike, të jesh jo kompetent do të thotë, të jesh shumë i guximshëm. Ka një vijë shumë të hollë ndarëse ndërmjet guximit dhe marrëzisë. Të jesh shumë i guximshëm ku nuk kërkohet guximi do të thotë të jesh shumë pranë papërgjegjësisë.

Ibrahim Berisha

Lexo Edhe:

Nga viti 2000 në Kosovë janë miratuar qindra strategji në të gjitha fushat. Tash janë në proces hartimi dhe zbatimi mbi 40 strategji që sillen nëpër duar të strategëve qeveritarë dhe dashamirësve krijues të shumtën përsëritës përfitues. Por asnjëherë deri tani, nuk  është bërë një vlerësim për të qenë lidhur me realizimin e tyre. Apo, pse nuk janë realizuar pothuaj pjesa dërrmuese këtyre strategjive të lansuara e promovuara me shumë zhurmë.

Nuk është dhënë një përgjigje themelore, në një shoqëri të dështimit të madh të strategjive, nëse ky dështim është i shkruesve, të shumtën kopjuesve të strategjive të huaja, apo i zbatuesve të tyre, të cilët i marrin si muhabete koti të shtypura në letër apo në faqe interneti dhe nuk kanë përgjegjësinë për to sado që ata i kanë paguar jo pak.

Një përfitim nga këto strategji mund të përmblidhet në përfundimin: bëjmë strategji për t’u dukur se po punojmë. Njësoj sikur Parlamenti i Kosovës, i cili në vitet e fundit ka miratuar sa e sa rezoluta, të cilat nuk kanë karakter obligativ zbatimi. Pra të miratojmë strategji e rezoluta, le të duket se po kryejmë detyrat tona dhe kemi interes vetëm dëshirën e qytetarit dhe nuk vihet në pikëpyetje ndikimi real i tyre.

Të plotfuqishmit, sado krenarë të jenë, nuk mund të gjykohen për kokëlartësinë boshe në realitetin e mbushur me probleme të dukshme. Sa fort të lavdërohen se mbajnë shikimin e tyre kah qielli i lavdisë. Nuk thonë kot: sa më kokëbosh, aq më kokëlartë. Sa më kokëlartë, aq më krenar. E vërteta, krenaria boshe është mizori.

Në sipërfaqen e shqetësimeve kulturore e etike qytetare që dëgjohen çdo ditë, mosbrenga e shprehur me diskurs alladeputeti dhe përbuzja me mënyrën e arsyetimit të zbraztësisë demokratike allaqeveritare, po kaq ekspertize koti, duket risi zbulimi perfekt dhe madhështor i perspektivës së rastësishme.

Nuk priten përgjigje për përgjegjësinë, edhe për dështimin e politikave të arsimit e kulturës, por shpërndahen tregimet personale për lumturinë klienteliste, strategjitë që mbushin arkivat, si gjithçka sa e domosdoshme dhe e zakonshme, megjithëse në thelb krejtësisht e panatyrshme.

Lansohet zhurma përmes agresionit në sferën publike me tema-agjenda glorifikime të përsëritura, që të arsyetohen shpërblime të pakapshme për mendjen racionale dhe kritike të qytetarit. Madje shpërthen uji sheshit kur një shkrues delikuent në këtë rast, ad-hoc, kushdoqoftë, mund të jetë atypari dhe nuk e vlerëson drejt detyrimin e këmbënguljes për të  thënë atë  që e  sheh më të dy sytë dhe thotë se nuk e sheh.

Mbikëqyrësit, kujdestarë organikë të  prodhimit dhe akumulimit të konfuzionit publik të strategjive, ngjizur si majë puçrre e keqe në lëkurën publike, kujdesen për rritjen e ndryshimit të objektives me vizatimin e ri, ky si spekulim profesional e etik.

Plot strategji në këto 20 vjet, dhe?

Polastike, por moraliteti publik në këtë medalion ushtrimi loje joracionale, pa qenë fare interes publik real në emër të publikut real, është veçse imagjinatë e adoptuar dhe e përshkruar, plagjiatorike, për të mbajtur këmbët në hierarkinë më të privilegjuar dhe kokën në kalldërmin ku nuk ndahet publikja nga privatja dhe personalja nga e përgjithshmja dhe përgjegjësia nga papërgjegjësia.

Nëse ju e mbështetni symbyllur një projeksion që nuk keni mundësinë ta vërtetoni, atëherë ju keni pranuar diçka që nuk ka të bëjë fare me të vërtetën, madje as nuk pretendon t’i përkasë asaj. Presioni me gjykimin e transplantuar në paragjykim, i bien për shtati një ambienti ku pak mendohet dhe investohet për gjetjen e pyetjeve thelbësore që duan përgjigje të plota. Sa përgjigje të plota kanë dhënë moria e strategjive; fjala vjen, në arsim, shkencë, kulturë, për të mos thënë në ekonomi, shëndetësi etj? Cili ka qenë ndikimi i tyre në jetën e qytetarit kosovar në fshat dhe qytet?

Politika jo në kuptimin thjesht personal, jo në kuptimin e ideologjive dhe të propagandave oportune që vërshëllen me dekorime të justifikueshme procedurale e ceremoniale, mund të tradicionalizohet për të krijuar profilin zyrtar: muhabete e sharlatane që nuk u shihet fundi.

Montaigne lidhur me këtë paragjykim jep një vlerësim, i cili pavarësisht se i kahershëm, nuk e përjashton ambientin e sotëm, qoftë ky edhe yni, shqiptaro-kosovar: nuk ka njeri ta dijë nëse ju jeni të frikshëm dhe mizorë, as të ndershëm e të devotshëm kur të tjerët nuk u shohin aspak, ata ju pikasin me hamendje të pasigurta?

Pikërisht, në këtë pikë pajtohen moralistët, si në shekullin XVIII, se: guximi më i rrezikshëm është padituria. A na është ky guxim sot i pranishëm kudo, në jetë, në përpilimin e strategjive, në art, në politikë, në veshje, në komunikim.

Në një bisedë tematike, të jesh jo kompetent do të thotë, të jesh shumë i guximshëm. Ka një vijë shumë të hollë ndarëse ndërmjet guximit dhe marrëzisë. Të jesh shumë i guximshëm ku nuk kërkohet guximi do të thotë të jesh shumë pranë papërgjegjësisë.

Vlerat që mbijetuan një kohë shumë të gjatë (qytetërimi kulturë), tashmë janë vlera normative të vëna dhe të mbrojtura përmes ligjeve dhe kushtetutave të shteteve, madje në të tri dimensionet themelore: konstitucion demokratik, treg dhe shoqëri.

Vizioni për të ardhmen  kështu ka krijuar lidhmërinë e politikës së institucioneve (të përgjithshme) me politikën kulturore dhe edukative, kapitalin njerëzor dhe zhvillimin ekonomik.  Ndërkohë, në shoqëritë me kohë shumë më të gjatë të kapitalizmit personal, sikur është Kosova, është shumë e fortë ndeshja e pajtueshme,  ndërmjet politikës kulturore e arsimore konjukturiste me politikën e përgjithshme  (jo) ad-hoc dmth se parapolitika përcakton aksionet reale politike.

Kultura si një sintezë e të ndryshmeve, ende nuk po mbërrin të integrojë thesaret dhe resurset e zhvillimit dhe kështu të krijojë strategjinë kombëtare së paku për një periudhë disa dhjetëvjeçare.

Nuk duhet shpresuar në zgjidhje të duhur. E vërteta, ka plot strategji boshe në sirtare, por ato duhet bërë prapë e përsëri, si një arsyetim suksesi, për të rritur boshësinë nga krijuesit e përhershëm të saj: gjithë të njëjtë, duke rritur këtë boshësi.

Sot janë shumë të rinj të zhgënjyer, sepse kanë shpresuar, duket tashti kot, nga idealizmi dhe puna e tyre, që “pushteti” do të çmojë profesionin dhe aftësinë e tyre  duke e vënë përpara forcës së pushtetit pushtetin e  dijes. Pasi, ata sikur kanë besuar në fjalët e Henri Toros: Nuk është kryesorja çka shikoni, por çfarë shihni.

Improvizimi si mjet, në ditë të mëdha, solemnitete, ceremoni, është shndërruar “në rast unik  që nuk duhet lëshuar” për promovime dhe propagandë. Improvizimi  nuk është krejt propagandë për llogari të përfitimit, kohës dhe të sistemit. Ai është vazhdim edhe sociopsikologjik, postkolonializëm kulturor, kompensim inferioriteti  publik  ushqyer edhe nga modeli i sistemit klasik autoritar dhe tendenca për t’u kapur me trendet dinamike  me promovime ngjyrash të zbehta varur në gozhdën e ndryshkur të pritjes përzier me shpresë.

Është koha për të kërkuar llogari për strategjitë. Strategjitë që nuk zbatohen janë vrasësit më të urtë të kohës.