Shkruan Fitim Salihu: Tito diktatori dhe katundarët - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

03/05/2020 20:17

Shkruan Fitim Salihu: Tito diktatori dhe katundarët

OP/ED

Gazeta Express

03/05/2020 20:17

Nesër, më 4 maj, bëhen dyzet vjet nga vdekja e Josip Broz Titos, Presidentit të Jugosllavisë socialiste, të cilës i priu me grusht të hekurt për tridhjetepesë vite. Ekziston një tendencë në qarqe akademike që Titoja të ravijëzohet për disa nuanca më liberal në krahasim me diktatorët e tjerë të Bllokut Lindor. Por, fakti se qe diktator hera-herës më i butë, nuk e bën jodiktator. Madje, historiani i njohur Viktor Sebestjen do ta cilësonte Titon “po aq brutal sa edhe Stalini”. Më duhet ta them këtë dhe t’i hedh siparin këtij shkrimi me këtë sqarim duke pasur parasysh një tendencë rehabilituese për figurën e tij që ekziston tejendanë ish-dominionit jugosllav.

Shkruan: FITIM SALIHU

Së pari, ekziston një keqkuptim. Dobitë potenciale që kanë mundur t’i gëzojnë disa struktura të caktuara urbane – madje jo e tërë popullsia urbane, por vetëm ata që ishin në ose pranë nomenklaturës – priren t’i paraqesin si dobi të të gjithë popullsisë. Fotografitë nostalgjike të banesave shëmtueshëm të hirta e të zymta në qendër të Prishtinës kanë qenë vetëm oaza në mes të një shkretnie sociale. Nuk ke pasur nevojë të shkosh më larg – në Drenicë, Deçan e gjetiu ku e shihje mesjetën me sy – por të ka mjaftuar të ecësh vetëm pak metra për të dalë në Vranjec dhe paralagjet e tjera për ta kuptuar mjerimin ekonomiko-shoqëror. Jo se qendra estetikisht brutale e Prishtinës ish kush e di se çfarë mrekullie metropolitane, por periferia e saj dhe viset rurale të Kosovës ishin akoma në “Botën e Tretë”.

As fakti që mund të shkoje në bregdet nuk thotë gjë prej gjëje. E para, bregdetin mund ta shijonin vetëm elita e kohës. E dyta, bregdetin nuk ua mohonin as diktatorët e tjerë atyre që s’bëzanin. Edhe zhvillimi i hovshëm ekonomik e ka një shpjegim – kreditë dhe borxhet e huaja. Zhvillimi ishte një fluskë, një iluzion. Jetën që e shijuan rinia e fillimviteve ’70, do ta paguante rinia e fundviteve ’80. Hiperinflacioni i kohës së ish-kryeministrit të fundëm jugosllav, Ante Markoviqit, ishte shembulli më eklatant i asaj fluske që e kishte azdisur Titoja.

Ajo nuk ishte fytyra e vërtetë e Jugosllavisë së Titos. Fytyra e vërtetë e saj ishte skamja e fshatit, papunësia e qytetit që shkonte gjithnjë në rritje dhe UDB-ja – ajo ngrehinë kriminale që kultivonte sadistë të egër që kryenin torturat më perverse, që përdhunonin vajza konviktesh, që tredhnin e sodomonin të rinj fakultetesh, që rripnin lëkurën e të burgosurve politikë. Këto viktima dhe familjarët e tyre jetojnë çdo ditë me makthin e rehabilitimit të atij sistemi po aq sa edhe me makthin e atyre torturave meskine.

Për dyzet e kusur vite të socializmit jugosllav, Kosova asnjëherë nuk e lëshoi vendin e fundit në rang-listën e zhvillimit ekonomik, të pagës mesatare, të të ardhurave për frymë, të shkallës së industrializimit, të zhvillimit kulturo-arsimor, të rrjetëzimit infrastrukturor, të modernizimit të bujqësisë, etj., sikurse nuk e lëshoi pozitën e parë për rajonin me numrin më të madh të të burgosurve politikë për kokë banori, për numrin e të të ftuarve në “biseda informative”, për diferencimet segreguese, për shkallën e represionit dhe për fyerjet raciste e maltuziane që i pësonte çdo ditë “Šiptari” i gjorë, qytetari i dorës së dytë të Jugosllavisë së dytë.

Natyrisht, ndonjë trajtim më të mirë nuk e kishin as udhëheqja krahinore shqiptare, ndonëse ata mendonin se e kanë. Kryekomandantit të partizanëve të  Kosovës, Fadil Hoxhës, nuk ia dinin madje as emrin. Në takimet e para pas lufte në Beograd atij i referoheshin thjesht si “ky djali prej Kosmetit”. Për njëzet vite pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore nuk ka pasur asnjë kryetar shqiptar të Komitetit Krahinor, për një dekadë nuk ka pasur asnjë shqiptar në Komitetin Qendror të Partisë, ndërkohë që u desh të kalonte një çerek shekulli që një shqiptari t’i besohej anëtarësia në trupin më të lartë të saj, në Byronë Ekzekutive dhe kaluan dy dekada para se t’i besohej anëtarësia në KEF – qeverinë qendrore federale. Ata jetonin shumë më mirë se fshatarësia që dirgjej në prapambetje, por sadomos asnjëherë s’u pranuan nga kolegët e tyre jugosllavë ndryshe pos si “Šiptari”, sado që shumë syresh donin të besonin se në fakt ishin beogragjanë.

Një keqkuptim i shpeshtë që ndodhë është edhe togfjalëshi “epoka e Rankoviqit”. Në fakt, s’ka ekzistuar një epokë e tillë. Gjithnjë ka qenë epoka e Titos. Për aq sa mund t’ia veshësh vetëm Kadri Hazbiut krimet e Enver Hoxhës, po aq mund t’ia veshësh vetëm Rankoviqit krimet e Titos. Rankoviqi asnjëherë s’ka qenë mbi Titon. Në rastin më të mirë ai ka qenë njeriu i dytë i tij. Por, të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore – masakra e Tivarit, masakrat e Drenicës dhe Gjilanit, dëbimi masiv në Turqi, aksioni i mledhjes së armëve, ndalimi i përdorimit të flamurit kombëtar, Procesi i Prizrenit, shtypja e dhunshme e demonstratave dhe burgimet politike e maltretimet nëpër burgje – kanë ndodhur në shtetin të cilit i ka prirë Titoja dhe pa dijeninë e të cilit s’është bërë hiçgjë, sikurse në secilën diktaturë tjetër moniste. E, Titoja as e shkarkoi Rankoviqin, në Pleniumin e Brioneve në korrikun e 1966-s, se i qante zemra për shqiptarët, por sepse i dhimbsej kolltuku, sikurse të gjithë diktatorëve të tjerë.

Kosova vërtet shënoi disa përparime ekonomike, por ato ishin modeste dhe të pamjaftueshme. Indikatori më i mirë është numri i madh i emigrantëve ekonomikë që u detyruan ta lëshojnë Kosovën që nga vitet ’60 në drejtim të Gjermanisë e Zvicrës, të cilët kryesisht vinin nga fshatrat e prapambetura. Indiktator tjetër është edhe pakonkurueshmëria e shumicës së industrisë socialiste të Kosovës në konditat e ekonomisë së tregut të lirë. Një indikator i tretë është edhe shkalla e ulët e zhvillimit të fshatrave – një pjesë e madhe e fshatrave në Kosovë për herë të parë rrugë asfalti dhe objekte shkollore kanë parë vetëm pas çlirimit.

Natyrisht, Titoja s’ishte i tillë, diktator, vetëm ndaj shqiptarëve. Qasjen e tij staliniste e ka dëshmuar edhe në likuidimin e shokëve të partisë në Moskë që para Luftës së Dytë Botërore duke i hedhur në kthetrat e NKVD-së së Berias e Stalinit. Edhe më pas, krimet e tij janë gjithfarëshe – masakra e OZNA-s ndaj 15 mijë civilëve e pengjeve në Tezno të Sllovenisë, masakra ndaj 1,500 kroatëve e sllovenëve në gropën e Barbarës, masakra e Velesit e janarit 1945, masakra e 20 mijë hungarezëve në Vojvodinë, vrasja e 50 mijë dhe dëbimi i 280 mijë gjermanëve svabianë të Vojvodinës, ekzekutimi i rreth 11 mijë italianëve të Istrisë, ekzekutimi i 20 mijë kundërshtarëve politikë në Kuçevski Rog të Sllovenisë, burgosjet dhe torturat e 16 mijë kundërshtarëve politikë në ishullin-burg të Goli Otokut, etj.

Ai nuk u tregua më liberal as brenda sojit. Më 1948 i zboi nga vendi 5 mijë dhe përjashtoi nga Partia 55 mijë “ibeistë” – anëtarë të partisë që nuk u pajtuan me polemikën e tij me Stalinin dhe Informbironë, mësa më 1954 do ta dëbonte nga partia Millovan Gjillasin, një ndër njerëzit e tij më të afërt të luftës, por edhe të krimeve. Më vonë, vetë Gjillasi, i veshur me petkun e liberalit, do ta akuzonte Titon për ndërtimin e një shteti diktatorial dhe një shoqërie totalitare. Më 1968 Titoja do ta urdhëronte mbylljen e “Praksis”-it, zhurnalit filozofik të Gajo Petroviqit e Danko Gërliqit me shokë, e cila paçka se ishte shkollë marksiste e mendimit, për faktin që devijonte nga dogma titiste, u desh të mbyllej, sado që aty botoheshin (dhe merrnin pjesë në “Shkollën verore të Korçulës” që organizonte grupi i Praksisit) edhe emra eminentë të mendimit filozofik të kohës, si Herbert Markuzeja, Erik Fromi, Ernst Bllohu, Gjergj Lukaçi, Jyrgen Habermasi, Shlomo Avineri, etj. Në fillim të viteve ’70 Titoja do ta niste “gjuetinë e shtrigave” edhe ndaj mendimtarëve liberalë brenda partisë – sidomos ndaj Latinka Peroviqit e Marko Nikeziqit në Beograd dhe Savka Dabçeviqit e Miko Tripallos në Zagreb – duke dëshmuar sërishmi se ai ishte një diktator paranojak që nuk toleronte mendim ndryshe.

Pra, Titoja pa mëdyshje ishte diktator. Ai ngriti një shtet ku mbaje dhjetëra vite burg vetëm sepse dëgjoje radio, sepse lexoje libra, sepse ngrisje dy gishta lart ose sepse shkruaje dy shkronja – RK. Titoja nuk ishte diktator me të dëgjueshmit. Në fakt, rrallë ndonjë diktator nuk ish i tillë me të dëgjueshmit. Një diktaturë nuk qëndron dot në këmbë vetëm falë aparatit represiv, por i duhet edhe aparati ideologjik, nomenklatura lokale dhe shtresa e mesme e integruar dhe e heshtur me regjimin. Paskëtaj, asnjë diktator nuk ia mohon asaj benefitet në këmbim të dëgjueshmërisë dhe besnikërisë.

Prandaj, është për t’u kundërshtuar çdo përpjekje, sado e dëshpëruar qoftë, për ta rehabilituar figurën e një diktatori. Njëlloj, është për t’u kundërshtuar gjithsecila orvatje që rend t’iu këndojë me nota nostalgjie pseudopërparimeve të kohës. Që këtej, është e gabuar maksima “Kosova ka degraduar këto njëzet vite” sepse ajo nënkupton që dikur Kosova ishte e “graduar”. Kosova e Marshall Titos – përjashto një oazë në qendër të Prishtinës dhe aty-këtu në tri-katër qendra të tjera urbane – ka qenë jo vetëm vendi më i prapambetur në Evropë por edhe shumëfish më i prapambetur sesa sot. Dallimi mes Kosovës dhe Maqedonisë ose Bosnjes sot është thuajse i pavërejtshëm, gjersa në kohën e Marshallit ishim vite larg tyre. Kosova e sotme ngec në shumë drejtime dhe mbase nuk kemi mbërritur aty ku kemi synuar, por Kosova asnjëherë s’do të jetë aq keq sa ish në atë kohë – qoftë me demokraci, qoftë me ekonomi.

Kosovën e Titos e krymbte edhe injoranca e padija. Vetë Kardeli, krahu i djathtë i Titos, kur e kishte vizituar Kosovën në vitet ’70 ishte ankuar se udhëheqja krahinore nuk paska hapur universitet, por një ent social për akomodimin e frustracionit ekonomik të të rinjve. Ajo nomenklaturë komuniste kosovaro-jugosllave prodhoi ministra federativë me shkollë të mesme, gjimnazista që bëheshin profesorë fakulteti vetëm sepse kishin qenë partizanë dhe kryetarë të Kosovës që nuk e dinin çfarë quajmë Galeri të Arteve. Në “Rilindje”, të vetmen gazetë ditore në gjuhën shqipe, mund të hasje faqe e faqe për kaprojtë e vrarë të gjuetarit gjenial, shokut Xhavit Nimani, por gjer më 1968 nuk gjeje asnjë germë për Skënderbeun, anipse s’mungonin broçkullat prej hagjiografisë nacionaliste serbe – që prej të bëmave të Stefan Deçanskit, gjer tek shtypshkronja mesjetare kishtare e Graçanicës.

Tekembramja, shpeshherë kritika për klasën e sotme politike bëhet nga pozitat klasore dhe krahinore më shumë sesa nga ato politike. Mallkime e kukamë çjerrëse nga oaza. Fatkeqësisht e gabimisht shumë syresh 1999-n nuk e përjetuan si çlirim nacional, por si përmbysje klasore. Ndërkohë që kemi shumë arsye për ta kritikuar mënyrën e qeverisjes së kësaj klase politike të pasluftës, shumëkush e gjen shtegun më të shkurtër – jo atë të analizës sistemike ideopolitike, por atë të urrejtjes e fajësimit krahinor – që jo rrallëherë merr konotacione raciste: “po na qeverisin katundarët”. Asgjëmangut, asnjëherë nuk synoj t’i fus në një thes të gjithë. Paçka që shumë syresh nuk mendojnë kësisoj, ngel shqetësues fakti që aq shumë syresh mendojnë asisoj.