Shkruan Blerim Shala: Wuhan 2019 si Chernobyl 1986 - Gazeta Express
string(49) "shkruan-blerim-shala-wuhan-2019-si-chernobyl-1986"

Gazeta Express

12/04/2020 13:45

Shkruan Blerim Shala: Wuhan 2019 si Chernobyl 1986

Gazeta Express

12/04/2020 13:45

Sprova marramendëse dhe e jashtëzakonshme me Covid-19, do të duhej të shënonte një tjetër kthesë të madhe në organizimin politik ndërkombëtar.

Blerim Shala

Lexo Edhe:

A është Wuhani kinez i nëntorit/ dhjetorit të vitit 2019, çfarë ka qenë Chernobyli sovjetik i prillit të vitit 1986?

A duhet të pritet tridhjetë vjet e më shumë që të zbardhet e tërë vërteta për Wuhanin, siç ndodhi vjet për Chernobylin me serialin e shkëlqyeshëm të HBO i cili pati shikueshmëri të lartë në gjithë Botën?

Janë disa gjëra të përbashkëta në mes të këtyre dy rasteve, të cilat i ndajnë disa decenie dhe tri epoka historike  (në kohën e Chernobylit ishte ’Lufta e Ftoftë’, pastaj erdhi Epoka e kualifikuar gabimisht si ’Fundi i Historisë’, ndërsa prej vitit 2001 e këndej kemi një Epokë të çrregullimeve të gjithëfarshme politike dhe historike).

Fillimisht, edhe në Chernobyl edhe në Wuhan, edhe pse dallimet në parim janë të mëdha midis rrjedhës së kazanit në një central atomik dhe shpërthimit të madh në një ’kazan’ të tregut me fruta të detit dhe me kafshë të ndryshme, kemi të bëjmë me fatkeqësi, përkundër ’Teorive të konspiracionit’ të cilat gjthmonë përcjellin tragjedi të tilla.

Fatkeqësit ndodhin kudo dhe kurdo. Ato janë të pashmangshme. Nuk ka gjë të përsosur në këtë Botë, në këtë jetë, në asnjë shtet dhe në asnjë shoqëri njerëzore. Por si në Wuhan tash, ashtu edhe në Chernobyl atëherë, e vërteta që ka dalë në shesh tok me këto fatkeqësi, një herë është mohuar krejt, pastaj është zvogëluar dhe margjinalizuar, dhe vetëm më vonë, kur është kuptuar që nuk mundet dot të ndalet ’tymi dhe llava e vullkanit’, janë bërë përpjekje për menaxhimin e situatës dhe për ta informuar Botën. Me vonesë të madhe gjithsesi.

Radioaktiviteti i çliruar nga Chernobyl pati pushtuar thuaja gjithë qiellin e Evropës në atë kohë. Supozohet që së paku njëqind mijë banorë të asaj pjese të Bashkimit Sovjetik  (Ukrainë dhe Bjellorusi), kanë vdekur nga pasojat e kësaj katastrofe, në një hark kohor prej njëzet vjetësh. Në fakt, ka edhe sot e kësaj dite të sëmurë nga rrezatimi i madh i Chernobylit.

Covid-19 i liruar nga Wuhani është shpërndar në katër anët e Botës dhe deri tash ka sjellë njëqind mijë viktima.

Dëmet në njerëz nga Covid-19 do të jetë shumëfish më të mëdha se në rastin e centralit atomik në Chernobyl.

Dëmet ekonomike do të jenë dhjetëfish apo qindfish më të mëdha, kur të krahasohen këto dy fatkeqësi.

Për Chernobylin flasim dhe shkruajmë megjithatë nga komoditeti i distancës historike, ndëra për Wuhanin shkruajmë teksa ende nuk dihet se kur dhe si do të përfundojë kjo Pandemi, apo, vetëm kur të zbulohet vaksina, do ta kemi atë sigurinë e tejkalimit të kësaj sfide e cila tashmë tek të gjithë burrshtetasit vlerësohet si më e madhja që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Mikhail Gorbachev, lideri i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik së bashku me atë establishmentin e ’Superfuqisë’ së dytë në Botë që rivalizonte SHBA-në në atë kohë, pati nisur ta tregojë të vërtetën një javë pas eksplodimit të Chernobylit.

Xi Jinping, lideri i tashëm i Republikës së Kinës, me të gjithë pushtetin e tij gjithpërfshirës, me gjasë e ka fshehur të vërtetën për disa javë, madje, edhe për disa muaj për eksplodimin e virusit në Wuhan. Informatat më të reja në SHBA dëftojnë që qysh në nëntor (të vitit të kaluar) Inteligjenca Amerikane ka informuar Presidentin Trump për rrezikun nga një sëmundje e panjohur që ishte paraqitur në Kinë.

Chernobyli siç do të kuptohet më vonë në histori, ishte paralajmërimi për ’afatin e skadimit’ të Bashkimit Sovjetik si shtet, dhe të Rendit Ndërkombëtarë të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.

Wuhan qysh tash ka mbuluar me shumë dyshime dhe pyetje potencialin real të Kinës për të qenë një shtet i madh në të gjitha aspektet e mundshme, duke përfshirë këtu edhe përgjegjësinë në rrafshin ndërkombëtar.

Thuaja të gjitha shtetet e Botës janë goditur nga Coronavirusi. Dikush më pak, e dikush më shumë. Në Evropë prijnë aktualisht Italia dhe Spanja. Por, shteti më i fuqishëm në Rruzullin Tokësor, SHBA-ja, objektivisht, do të përballet me pasojat më të mëdha, më të rënda, të cilat me gjasë do të jenë të paprecedent në historinë e Amerikës.

SHBA-ja ka ditë që për nga numri i viktimave nga Covid-19, ia ka kaluar sulmit terrorist të 11 shtatorit, 2001  (atëherë kanë qenë 2977 viktima).

Sipas dinamikave të ditëve të fundit, ka të ngjarë që numri i atyre që do pësojnë nga ky virus, do t’ia kalojnë statistikave tragjike të Luftës në Vietnam  (58,220 amerikanë janë vrarë në këtë luftë), dhe të Luftës së Parë Botërore  (53,402 veta kanë vdekur në këtë Luftë).

Mbi të gjitha, për herë të parë në historinë 244 vjeçare të SHBA-së po ndodhë fenomeni i çrregullimit të plotë të jetës normale anëkënd Amerikës.

SHBA-ja asnjëherë nuk ka përjetuar diçka të tillë deri sot.

Asnjëra prej luftërave të mëdha botërore dhe të vogëla lokale në të cilat ka marrë pjesë SHBA-ja, përfshirë këtu edhe atë të provokuar nga sulmet e 11 shtatorit, nuk ka ndikuar në prishjen e normalitetit në Amerikë. SHBA-ja për shumë shkaqe, distancës gjeografike mbi të gjitha prej fronteve të betejave, ka qenë e kursyer në këtë aspekt. Për herë të parë kësaj here, e gjitha Amerika, apo, i tërë territori i saj, është një ’fushëbetejë’ e madhe.

Sprova marramendëse dhe e jashtëzakonshme me Covid-19, do të duhej të shënonte një tjetër kthesë të madhe në organizimin politik ndërkombëtar.

Pas Luftës së Parë Botërore u pati krijuar Lidhja e Kombeve. Po të funksiononte si duhet, ndoshta nuk do të shpërthente fare Lufta e Dytë Botërore.

Pas Luftës së Dytë, u krijua Organizata e Kombeve të Bashkuara  (OKB). Përkundër të gjitha dështimeve që kanë përcjellë OKB-në në trajtimin e krizave të veçanta anëkënd Botës, (për shkak të mekanizmit vendimmarrës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe të drejtës së veto-s të cilën e kanë pesë shtete anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit), megjithatë, është ruajtur paqja midis shteteve më të mëdha, dhe është shmangur një tjetër Luftë botërore.

Kur flitet për Covid-19, së paku nga perspektiva e sotme, mund të thuhet që OBSH  (Organizata Botërore e Shëndetësisë, WHO), edhe pse kjo është një Agjenci e Specializuar e OKB-së që mirret me shëndetin publik, nuk ka arritë t’i përgjigjet si duhet kësaj sprove të madhe, pos tjerash, edhe duke u vonuar për ta shpallur gjendjen e pandemisë.

Përvoja shumë e keqe me këtë virus, pasojat që kjo sëmundje do të ketë në të gjitha aspektet e mundshme, duke nisur këtu prej sigurisë ndërkombëtare, organizimit politik brenda shteteve, dëmeve të paimagjinueshme ekonomike dhe sociale, si dhe mundësia e përsëritjes së pandemive të këtilla, me gjasë imponon një organizim më të mirë dhe më të veçantë në kuadër të Rendit Ndërkombëtarë, për t’i menaxhar më mirë sfidat e këtij lloji.