Ngecja e re në dialogun Kosovë - Serbi - Gazeta Express
string(57) "shkruan-blerim-shala-ngecja-e-re-ne-dialogun-kosove-serbi"

Gazeta Express

03/10/2020 10:18

Ngecja e re në dialogun Kosovë – Serbi

Gazeta Express

03/10/2020 10:18

Në gjendjen e tanishme, autoritetet e Kosovës nuk janë në gjendje të zhvillojnë dialog si duhet me autoritetet e Serbisë. Po ashtu, ato nuk mund as të dalin prej dialogut, apo t’i refuzojnë bisedimet me palën serbe.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Një unitet kualitativ dhe kuantitativ politik në Kosovë, i cili pastaj do të shfaqet si konsensus konceptual dhe operacional i politikës së vendit, është kusht pa të cilin nuk bën nëse synohet që Kosova të përfaqësohet si duhet në fazën finale të dialogut me Serbinë, e cila ka filluar kohë më parë, në muajin korrik, me Samitin e Parisit dhe Takimet e Para të Brukselit.

Pa këto katër tipare të bashkimit politik në vend, jo vetëm që nuk mund të ketë reprezentim të denjë të Prishtinës zyrtare në këtë sprovën që duket që nuk ka të kryer në ballafaqimin politik dhe diplomatik me Serbinë, por për më shumë, siç po e shohim javëve të fundit, mund të ketë një ngecje të plotë në këtë proces, kur nuk ka më ide të qartë se si të zhvillohet tash e tutje dialogu i Brukselit.

Në të vërtetë, për cilindo dialog, kudo që ai do të zhvillohet, në Washington apo në Bruksel, me qëllimin që të bëhet Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, përmbushja e këtyre katër veçorive themelore politike është e pashmangshme.

Kosova as nuk mund të bëjë bisedimet si duhet, as nuk mund ta kundërshtojë një Propozim (eventualisht problematik) për Marrëveshjen Gjithperfshirëse  me Serbinë, dhe as madje ta pranojë një Marrëveshje  (të mirë), pa i arritur këto katër tipare politike.

Në gjendjen e tanishme, realisht, autoritetet e Kosovës nuk janë në gjendje të zhvillojnë dialog si duhet me autoritetet e Serbisë. Po ashtu, ato nuk mund të dalin prej dialogut, apo t’i refuzojnë bisedimet me palën serbe.

Pala kosovare nuk ka, në rrethanat aktuale, kapacitet të mirëfilltë politik, as mbështetje të njëmendtë të Kuvendit të Kosovës  (prej nga buron legjitimiteti i instancave më të larta të Kosovës në këtë ndërmarrje sfiduese), as organizimin e duhur, që t’i bëjë bisedime të rënda me përfaqësuesit e Serbisë.

Qeveria e tashme e Kosovës, nuk e ka hë për hë, prapa saj, as atë shumicën minimale, prej 61 deputetëve, për këto punët e rëndomta të vetat, në mes tjerash, për miratimin e Ligjeve të cilat i procedon në Kuvendin e Kosovës  (gjë që po shihet përditë e më shumë), e lëre më për të qenë në krye të këtyre bisedimeve të cilat nga pikë shikimi ynë, dhe ai ndërkombëtarë, do të duhej të përmbyllnin kontestin e gjatë historik dhe politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht në mes të shqiptarëve dhe serbëve.

Tema e dialogut me Serbinë, siç janë pajtuar veç e veç në vitet e fundit të gjitha subjektet parlamentare të Kosovës, kërkon një lloj të ‘Partneritetit strategjik’ në mes të liderëve dhe partive shqiptare në Kuvendin e Kosovës, i cili do të ishte në fuqi që nga hapi i parë i kapitullit final të dialogut, deri në atë të fundit, kur kjo Marrëveshje do të duhej të Ratifikohej në Kuvendin e Kosovës me përkrahjen e së paku 80 deputetëve të Kuvendit.

Ky ‘Partneritetit strategjik’, me konkretizimin e tij eventual, do të shpërfaqej pikërisht duke i respektuar në plotëni këto katër veçoritë që njohin bashkimin kuantitativ, kualitativ, konceptual dhe operacional të politikës kosovare.

Tiparet e konsensusit kuantitativ dhe kualitativ nuk mund të mbërrihen dot me deklarata politike, të cilat me përsëritjen e tyre të shpeshtë, arrijnë të devalvohen dhe të humbin çfarëro vlere politike – pa marrë parasyshë prej kujt thuhen.

Ato kërkojnë që dialogun me Serbinë ta mbështesin së paku 80 deputetë të përbërjes aktuale të Kuvendit të Kosovës, shifër kjo që mund të arrihet vetëm me një bashkëpunim të Qeverisë me opozitën parlamentare.

Kur dihet që Lëvizja ’Vetëvendosje’ e Albin Kurtit nuk ka dhënë kurfarë shenjash që e ka ndërmend ta ndryshojë pozicionin e vet ndaj dialogut, atëherë del që kërkimi i atij uniteti sasior dhe cilësor për t’i bërë bisedimet si duhet me Serbinë, nënkupton që subjektet që aktualisht përbëjnë koalicionin qeverisës, duhet ta synojnë një Marrëveshje me PDK-në, në adresimin e kësaj sprove të madhe.

Pa përfshirjen e PDK-së në dialog pra, së pari, nuk mund të përmbushen këto dy parakushtet e para për ta fuqizuar kapacitetin negociator të Kosovës  (nëse nuk i ke 80 deputetë prapa teje në fillimin e bisedimeve me Serbinë, si mund t’i kesh në fund të tyre, kur ajo Marrëveshje duhet të konfirmohet në Kuvendin e Kosovës), dhe së dyti, nuk mund të ketë as një bashkim konceptual dhe organizativ të palës kosovare në këtë dialog.

Ky unitet konceptual dhe organizativ, ka domethënien që Delegacioni i Kosovës që do t’i bëjë bisedimet do ta reflektojë këtë pajtim parlamentar prej dy të tretash në Kuvend, dhe pastaj, që do ta ketë një Strategji të qartë se çfarë duhet të mbërrijë në këtë kaptinën finale të dialogut me përfaqësuesit e Serbisë.

Natyrisht që secili Delegacion i mundshëm i Kosovës, pa marrë parasyshë se si është i organizuar ai dhe kush i prinë atij, do të këmbëngulë në qëndrimin e drejtë që Marrëveshja Ligjësisht Detyruese me Serbinë, do ta ketë atë kuptimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, vetëm nëse ajo do të ndërtohet mbi njohjen formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, nuk ka kurfarë dyshimi që pala kosovare, në sendërtimin e këtij qëllimi të drejtë  (i cili për më shumë ka pëlqimin dhe mbështetjen e SHBA-së, të BE-së, Gjermanisë dhe Francës), do të ballafaqohet edhe me opsionet e ndryshme negociatore, të cilat nuk do të jenë aspak të lehta, për ta arritur këtë synimin parësor të autoriteteve të Kosovës.

Poqëse do të arrihet ai uniteti i përmendur tashmë mbi katër veçoritë themelore politike, nëse do të ketë një shumicë absolute parlamentare prej së paku dy të tretave në Kuvendin e Kosovës, atëherë, Delegacioni i Kosovës që do të merr pjesë në këto bisedime, do të jetë në gjendje që të manovrojë si duhet në këtë dialog, duke mos e humbur atë përqëndrimin kryesor të tij, të arritjes tek çelësi i Marrëveshjes me Serbinë, apo tek njohja reciproke, duke mos dëmtuar interesat bazike të shtetit të Kosovës.

Në të kundërtën, apo, si është situata tani me organizimin tonë si Kosovë në ballafaqimin me dialogun, ne nuk do të jemi në gjendje as t’i bëjmë bisedimet si duhet dhe as të mbërrimë tek ai synimi sipëror për ta bërë Marrëveshjen finale me Serbinë që ka si elementin e vet kryesor njohjen reciproke.

Thënë edhe më qartë, kështu si jemi ne sot, nuk do të mund ta bëjmë dialogun me Serbinë.