Shkruan Berat Buzhala: Po e nis aty ku e la prokurori - Gazeta Express
string(52) "shkruan-berat-buzhala-po-e-nis-aty-ku-e-la-prokurori"

Gazeta Express

18/11/2020 17:52

Shkruan Berat Buzhala: Po e nis aty ku e la prokurori

Gazeta Express

18/11/2020 17:52

Është mizorisht mbresëlënëse kur sheh një dëshirë kaq të madhe të Bashkimit Evropian për të vendosur një këso drejtësie për krimet në Kosovë. Për të vendosur drejtësi vetëm për disa të vdekur dhe vetëm për disa rrahje, kurse për disa të tjera, për ato që i nxitën këto, jo, sepse nuk ka prova. Si ashtu? A nuk janë varret prova? Apo janë vetëm disa varre? A nuk janë prova vetë qeniet fizike të Vuçiqit dhe Daçiqit?

Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Po e filloj aty ku e ka përfunduar aktakuzën e tij prokurori i Tribunalit Special. Në shtator të vitit 1999. Kam qenë 24 vjeç, pjesë e një familjeje gjashtanëtarëshe, që lufta e la pa kulm mbi kokë dhe me shumë kujtime të hidhura.

Përkohësisht ishim strehuar në Klinë në shtëpinë e një shqiptari. Nuk dëshiroj të gënjej askë, kërkuam që ta futnim kokën diku, qoftë edhe në ndonjë shtëpi të serbëve, që tashmë kishin ikur nga frika e hakmarrjes. Këta të fundit kishin arsye për të pasur frikë. Gjatë luftës u treguan të pamëshirshëm ndaj fqinjëve. Ndoshta jo të gjithë, por shumica. Sido që të jetë, u treguam të ngathtë në uzurpim. Të tjerët ishin treguar më të hershëm, madje duke i zënë edhe nga dy a tri. Madje duke e zënë tërë sokakun.

Më vonë, kuptuam që ai shqiptari që na strehoi në shtëpinë e tij këtë e kishte bërë për qëllime praktike. Ishte kohë e pakohë. Njerëzit ishin ngushtë. Uzurponin çdo gjë që ishte e zbrazët. Prandaj, nga frika që do t’ia uzurponin edhe atij shtëpinë, sikurse serbëve, na kishte futur brenda.

E gjithë Drenica dhe Llapusha, rajone që kufizoheshin me Dukagjinin, ishin djegur flakë, prandaj banorët e këtyre rajoneve kishin zbritur në Klinë. Po kërkonin strehim. Po kërkonin bukë dhe kulm mbi kokë. Dimri ishte afër dhe secili prej tyre dëshironte që të akomodohej diku para se temperaturat të binin nën zero. Takti mungonte. Të gjithëve u ishin sosur nervat.

Nuk dëshironim që edhe dimrin e tretë, tash në liri, ta kalonim për faqe të zezë, siç kishte ndodhur me dy dimrat përpara këtij. Psikikisht nuk ishim të përgatitur. Durimi kishte marrë fund e bashkë me durimin edhe ushqimet.

Në kuptimin infrastrukturor, qyteti i Klinës, pasi kishte banorë serbë, por edhe fshatrat shqiptare përreth qytetit, kishin kaluar më lehtë. Shtëpitë ishin më pak të djegura dhe shumë prej tyre të zbrazëta.

Pra, neve na u dha mundësia që të futeshim në shtëpinë e një shqiptari që jetonte në Amerikë. Edepsëzi na largoi nga aty sapo mori vesh që tash ishte larguar rreziku që shtëpia e tij do të mund të uzurpohej nga ndonjë komandant i sertë nga Drenica. Me fjalë të tjera, na kishte përdorur për ta mbrojtur shtëpinë nga ndonjë uzurpim më serioz.

Kjo është vetëm një tablo e vogël e zhvillimeve shoqërore në vendin tonë. Kaos total, gëzim dhe frikë, shpresë dhe pasiguri. Nuk dinim se si të silleshim. Nuk dinim se çfarë të bënim me lirinë. Nuk dinim prej kujt të kishim frikë dhe te kush të mbështeteshim. Nuk i dinim kufijtë tanë. Nuk dinim nëse duhej secili prej nesh të grabiste, për t’i kompensuar humbjet disavjeçare, apo thjesht duhej të qëndronim neutralë derisa një ditë do të bëhej më mirë.

Isha dëshmitar kur nga fshati Kijevë, rreth tri kilometra larg Çabiqit, fshatit tim, ishin larguar policia dhe banorët serbë. Banorëve të uritur dhe të frustruar të fshatrave përreth Kijevës u mjaftuan vetëm disa orë pas largimit të serbëve prej shtëpive të tyre që të merrnin çdo gjë prej aty. Mbetën vetëm muret e thata. Shqiptarëve katolikë, shqiptarët myslimanë, në shenjë respekti, ua mundësuan që t’i vidhnin derrat. Nuk ishte gjë e vogël. Ata për vete i morën lopët.

Tash, paramendoni nëse filmi do të fillonte të jepej nga 12 ose 13 qershori i vitit 1999 e tutje. Secili qytetar i Evropës, e edhe ne vetë, do të derdhnim lot pikëllimi nga ajo çfarë po ndodhte gjatë asaj periudhe. Traktorë të mbushur me pendla dhe rrokopendla, njerëz të uritur dhe të egërsuar, e tek-tuk edhe ndonjë serb i vrarë. Sidoqoftë, ky ishte vetëm bishti i ngjarjeve. Ky ishte vetëm fundi i filmit. Drama e vërtetë kishte ndodhur më herët. Ishte Kijeva, bashkë me banorët e saj serbë, që i kishte terrorizuar dhjetëra fshatra të tjera shqiptare për dhjet vjet me radhë. Ne ishim qytetarë të rendit të dytë. Më lejoni ta ilustroj këtë pak më mirë.


Jugosllavia në atë kohë ishte vënë nën sanksione ndërkombëtare, kryesisht për shkak të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Kishte embargo në çdo gjë, edhe në naftë. Për shkak të kësaj, çmimi i naftës ishte shumë i lartë, por ishte i lartë vetëm për shqiptarët. Bie fjala, serbët e Kijevës e paguanin çmimin normal, aq sa ishte në tregjet evropiane, kurse ne të tjerët e paguanim atë me çmim prej 3 markash, 4 markash ose 5 markash gjermane. Kjo nuk ishte e tëra. Në pompa të benzinës krijoheshin dy radhë. Një radhë për shqiptarët dhe një për serbët. Pak a shumë, si në Afrikën e Jugut në kohën e Aparteidit ose edhe në Amerikën e kohës së segregacionit. Ne shqiptarët fillonim të furnizoheshim me naftë vetëm pasi këtë e kishin bërë serbët fillimisht. Ishte mjaft e dhimbshme që në kohën kur duhej të mbilleshin arat ose kur ato duhej të bëheshin ugar, dikush mbetej pa pikën e naftës para pompës së benzinës, madje nuk kishte më as me çmim prej pesë markash gjermane, kurse qepi i së njëjtës pompë vazhdonte të rridhte normalisht për fqiun serb, me çmim prej një marke ose më lirë. A mendon dikush që këto emocione mund të zhdukeshin më 11 a 12 qershor të vitit 1999? Dhjetë vjet dhunë, shtypje, Aparteid, dhjetë vjet vrasje, rrahje, maltretim, kishin mbetur të ruajtura diku në kujtesën tonë.

Çdo ditë, bash çdo ditë, në udhëkryqin e Kijevës rraheshin shqiptarët. Çdo ditë dënoheshin shqiptarët në trafik. Çdo ditë dasmat tona ndërpriteshin, bajraktari rrihej, krushqit maltretoheshin, flamuri thyhej. Nuk e mbaj në mend që ndonjëherë dikush prej serbëve lokalë kishte reaguar ndaj dhunës që po u bëhej fqinjëve të tyre. Fatkeqësisht, në çdo qendër të këtillë ka pasur edhe shqiptarë që kanë bashkëpunuar me regjimin. Ka pasur shqiptarë që kanë pirë dhe janë shoqëruar me policët serbë. Ka pasur shqiptarë që nuk kanë besuar që ndonjëherë ata do të largoheshin prej aty. Dhe kur një gjë e tillë ndodhi, çfarë keni pritur që do të ndodhte? Që banorët shqiptarë të fshatrave rreth Kijevës do të shkonin te udhëkryqi dhe do të organizonin shfaqje të baletit? Që mllefi i tyre i grumbulluar përgjatë një dekade thjesht do të zhdukej?

Më gjeni një vend ku ka ndodhur një gjë e tillë. A dini se çfarë ka ndodhur me pakicat gjermane kudo në Evropë pas mposhtjes së nazizmit? Jo, nuk e dini. Ose e dini vetëm disa prej jush. Janë kryer masakra të pafundme dhe askush nuk është ankuar. Miliona gra gjermane janë dhunuar nga forcat ruse, kur këto ishin futur në truallin e Rajhut të Tretë. Madje, ushtari rus që shihet duke e hequr flamurin gjerman nga ndërtesa e Rajstagut i ka dy orë në duart e tij, të dyjat të vjedhura. Më vonë, ajo fotografi është retushuar nga Bashkimi Sovjetik, duke ia shlyer njërën orë.

Asnjë zë dhe asnjë reagim. Një histori pak më e freskët ndoshta është kjo që ka ndodhur në Kroaci. Qindra mijëra serbë, përgjatë aksionit “Stuhia”, janë larguar nga Kroacia brenda disa ditëve. Dy tri procese gjyqësore. Kaq. Nuk është gjë për t’u përshëndetur, por është e kuptueshme që agresori në fund e paguan një çmim. Po flasim për ndjenja njerëzore. Për kujtime te hidhura që nuk ka rrethanë që mund t’i shlyejë. Mendja jonë nuk është intelegjencë artificiale. Është e pakontrollueshme. E tillë ka qenë gjithmonë. Kjo nuk është gjë e mirë, mirëpo ndoshta evolucioni është fajtori i vetëm për ketë cen njerëzor. Kushedi se si është ndërtuar dhe shtesuar ADN’ja jonë ndër mijëravjeçarë luftërash dhe konfliktesh. E ajo ka mbërritur si e tillë deri në Kijevë – një impuls njerëzor për t’u hakmarrë ndaj agresorit.

Është mizorisht mbresëlënëse kur sheh një dëshirë kaq të madhe të Bashkimit Evropian për të vendosur një këso drejtësie për krimet në Kosovë. Për të vendosur drejtësi vetëm për disa të vdekur dhe vetëm për disa rrahje, kurse për disa të tjera, për ato që i nxitën këto, jo, sepse nuk ka prova. Si ashtu? A nuk janë varret prova? Apo janë vetëm disa varre? A nuk janë prova vetë qeniet fizike të Vuçiqit dhe Daçiqit? Po thirrjet e Daçiqit ndaj serbëve që mos t’i tregojnë varret masive të shqiptarëve? As kjo nuk është provë? Dikush thotë që këta tuajt janë të korruptuar. Nën një, me çfarë të drejte e arreston njërin për krime të luftës dhe fushatën ndaj tyre e organizon mbi akuzat për korrupsion dhe nën dy, edhe në këtë sektor, pra në atë të demokracisë dhe korrupsionit, Vuçiqi dhe Daçiqi janë një ligë më lart sesa këta tanët.

Ka zëra në vendin tonë që bëjnë thirrje që të mos krahasohemi me Serbinë, sepse ajo nuk është një vend nga i cili duhet të marrim mësim. Në një botë ideale, kështu do të duhej të ishte, por, fatkeqësisht, nuk është kështu. Ne dhe Serbia kemi hesape të pazgjidhura, nuk njihemi reciprokisht, lobojmë kundër njëri-tjetrit në çdo derë, konkurrojmë kundër njëri-tjetrit, prandaj një tribunal i tillë, i sponsoruar në masë të madhe edhe nga vetë Serbia, është një humbje e pariparueshme për ne. Është një rezultat që do të jetë vështirë të përmbyset.

Dënimi eventual i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK’së, si “organizatë e përbashkët kriminale”, e vë në pikëpyetje vetë ndërhyrjen e NATO’s në vendin tonë, e vë në pikëpyetje tërësisht luftën e viteve 1998 dhe 1999. Unë nuk di nëse ndonjë gjykatë i ka trajtuar udhëheqësinë serbe a ushtrinë jugosllave si organizatë të përbashkët kriminale, ndonëse me veprimtarinë e tyre i kanë shkaktuar katër luftëra në Ish-Jugosllavi.

Për më tepër, në rrugë e sipër, kësaj gjykate i janë ndërruar termat e punës. Kushdo që thotë se sponsorimi për themelimin e Tribunalit Special nuk është bërë duke e pasur në mendje akuzën e llahtarshme për trafikim të organeve, ai do të arsyetonte edhe një tribunal ndërkombëtar për mënyrën e shpalljes së pavarësisë, vetëm që Hashim Thaçi të përfundonte i dënuar.

Nëse Thaci ka qenë problemi më i madh në këtë vend, atëherë shumë më e rrugës do të kishte qenë po ta organizonim një atentat ndaj tij, sa ka qenë në Kosovë, sesa të organizohemi për ta dënuar atë në mënyrë që, bashkë me të, ta dënojmë edhe vendin tonë.