Shkruan Berat Buzhala: Katër këmbë mirë, dy edhe më mirë - Gazeta Express
string(55) "shkruan-berat-buzhala-kater-kembe-mire-dy-edhe-me-miree"

Shkruan Berat Buzhala: Katër këmbë mirë, dy edhe më mirë

Gazeta Express

15/05/2020 14:55

Një i varfër dhe i pastrehë në Kore të Veriut jeton po aq keq sa një i varfër dhe i pastrehë në Itali. Një i uritur në Kinë dhe një i uritur në Gjermani janë njësoj të uritur. Në mes tyre qëndron vetëm propaganda dhe numri i personave të uritur, kurse përfituesit e vetëm janë ushtruesit e propagandës dhe klika sunduese.

Shkruan: Berat Buzhala

Lexo Edhe:

Duke e cituar vend e pa vend, Ferma e Kafshëve, e qe besa edhe Princi i Makjavellit, është bërë bozë. Çdo i dyti i “dua të dukem i ditur” në fjalimin e tij në Kuvend ose në paraqitjet në studio televizive flet për Makjavellin dhe Fermën.

Sido që të jetë, nisur prej mënyrës së si ata citohen, ekziston shpresa që vetëm një pakicë i ka kuptuar, kurse pjesa tjetër thjesht i kanë lexuar fjalimet e shkruara për ta, nga të tjerët. Le të lutemi që së paku shkruesit e fjalimeve i kanë lexuar këto vepra. I kam dyshimet e mia në këtë drejtim.

Më kujtohet një ish-koleg deputet, në kohën kur isha i ulur në Kuvendin e Kosovës, që e citonte veprën e Orwellit, por autorit nuk dinte t’ia lexonte emrin. Në atë kohë, ani pse me flamuj të ndryshëm partiakë, ishim të ulur shumë afër me deputetin e LDK-së, z. Sabri Hamiti, i cili kur po e dëgjonte kolegun tonë duke bërë përpjekje spartane për t’i lexuar pa gabime fjalimet e shkruara, në një moment i tha: “ti bile emrin e autorit mësoja”.

Sido që të jetë, ky nuk është mëkati më i madh ndaj autorit britanik. Për më keq, unë e kam parë që ai citohet pamëshirshëm në Kosovë edhe nga zhvatësit dhe nga demagogët. Ai nuk do të ndihej aspak i nderuar prej këtyre manipuluesve. Po të kishte mundësi do të reagonte. E posaçërisht, po të kishte mundësi, do të thoshte që e gjithë vepra e tij nuk fillon dhe mbaron me “katër këmbë mirë, dy këmbë keq”. Në fakt aty fillon vepra e tij. “Katër këmbë mirë dhe dy këmbë keq”, është koha kur demagogët fillojnë ta mashtrojnë popullin, ose fisin, ose, në rastin alegorik të Orwellit, kafshët. Kurse nëse kalojmë te kafshët politike, “katër këmbë mirë, dy këmbë keq” është fushata zgjedhore, kurse “katër këmbë mirë, dy edhe më mirë” është periudha kur kalohet në qeverisje, pra pas fitores, pas momentit kur tjetri vërtet beson që “dy këmbë është keq”, kurse e mëson në kurrizin e tij, për befasinë e tij të madhe, se në fakt “dy këmbë është edhe më mirë”.

Veprat e George Orwellit, siç e ka thënë edhe ai vetë, kanë kuptim vetëm nëse lexohen në mënyrë kronologjike, e jo të shkëputura nga njëra-tjetra.

Kthesa e madhe e Eric Arthur Blair, i njohur për publikun me emrin letrar si George Orwell, kishte ardhur kur ai kishte shkuar në Barcelonë për ta parë nga afër luftën civile që kishte shpërthyer në Spanjë.

Nuk ishte vetëm Orwelli që kishte zbarkuar në Spanjë në atë kohë. Meqë 20 vjet më herët kishte ndodhur revolucioni në Bashkimin Sovjetik, shumë të rinj nga mbarë bota e kishin parë luftën në Spanjë si një mundësi për ta replikuar atë ngjarje edhe me një revolucion të radhës në Spanjë, e kështu me radhë në mbarë botën. Ishin nisur dhe kishin rënë në atë luftë edhe të rinj shqiptarë, si Asim Vokshi dhe Xhemal Kada.

Nga kjo ngjarje ishin joshur posaçërisht britanikët. Ka qenë i madh numri i atyre që kishin marrë pjesë në atë ngjarje, një pjesë e mirë e tyre të rekrutuar nga shërbimi sekret sovjetik, më emblematiku nga të gjithë, spiuni i shumëfishtë, Kim Philby.

Por të kthehemi tek Orwell dhe te kujtimet e tij nga Katalonja. Autori shëndetligë ishte nisur për në Spanjë me entuziazmin e një të riut për ta luftuar fashizmin. Kështu u kishte thënë ai shumë miqve të tij. Mirëpo, realiteti që e pret atë në Barcelonë e kishte bërë që të mendonte edhe një herë për komplet rrymimet politike të së majtës, ku ai mendonte që përkiste. Orwell në parim ishte socialist, ka shkruar për klasën punëtore dhe për shtypjen që i bëhej asaj, mirëpo e majta që ai e mendonte nuk ishte e majta që ai e takoi në Katalonjë.

Në luftën civile në Gadishullin Iberik, në krahun e të majtës ai kishte takuar lloj-lloj grupacionesh, shumica prej të cilave po financoheshin nga diktatori sovjetik, Joseph Stalin. Ata më shumë po e luftonin njëri-tjetrin, në mënyrë që pasluftës të fitonin pushtetin politik, se sa po i luftonin fashistët e Frankos. Këto ngjarje e kishin këndellur Orwellin. Ai mezi kishte arritur që ta hedhte pushkën, në mënyrë që t’i shpëtonte arrestimit nga ata që ai mendonte që ishin sivëllezërit e tij ideologjikë.

“Çdo rresht që e kam shkruar pas vitit 1936 është shkruar, në mënyrë direkte ose indirekte, kundër totalitarizmit dhe socializmit demokratik, ashtu siç e kuptoj unë”, kishte thënë më pas Orwell. Përkundër faktit që ai ishte njëri prej mësuesve më të mirë të socializimit në kohën e tij, pas këtyre zhvillimeve personale, pas asaj çfarë ai pa me sytë e tij, karakteristika kryesore e Orwellit vjen e bëhet padurueshmëria që ai tregon pikërisht ndaj sojit të tij ideologjik. I vetëdijshëm për perversitetin totalitar të socializmit, Orwell fillon t’i trajtojë intelektualët e tij të së majtës me një kënaqësi të veçantë. Ai sillej me ta, sipas biografit të tij Bernard Crick, “sikur kur njeriu fillon ta krehë macën e vet në anën e kundërt të qimeve”.

Dhe ja ku vijmë te veprat e tij monumentale, alegorike dhe distopike, “Ferma e Kafshëve” dhe “1984”, ku në të dyja këto vepra autori, nisur edhe nga përvoja e tij personale në Spanjë, komprometon regjimet totalitare, duke e pasur në mendje Bashkimin Sovjetik dhe rrymat e tjera të ekstremit të majtë që burojnë nga revolucioni sovjetik, që luftën kryesore nuk e kanë më të djathtën, e as me fashizmin, por me shprehjen e lirë dhe lirinë e mendimit. Britania e Madhe, duke pas qenë një vend tranzit, por edhe strehues, i shumicës së figurave më të rëndësishme të Revolucionit të Tetorit, por edhe i frymëzuesve të tyre ideologjikë, vazhdimisht ka qenë në teh të përqafimit të komunizimit. Shërbimet sekrete sovjetike, por edhe ruse, kanë operuar për dekada të tëra në qendrat më të fuqishme universitare të Britanisë së Madhe, duke rekrutuar intelektualë dhe profesorë të respektuar. Më i njohuri nga të gjithë është Qarku i Kembrixhit. Mirëpo, fatbardhësisht, por edhe duke i pasur para vetes veprat monumentale të Orwellit, ku ilustrohen në mënyrë grafike pasojat e të majtës ekstreme, që fillimisht kamuflohet si socializëm, britanikët asnjëherë nuk kanë rënë në atë kurth, ndonëse kanë vallëzuar shumë pranë saj. I fundit, më seriozi, por edhe më i rrezikshmi, ishte kryetari laburist, Jeremy Corbin. Ai partinë e tij e kishte dërguar në cepin e skajshëm të së majtës. Në atë cepin ku fillon e flitet më shumë për luftë ndaj përmbysjes së sistemit, sesa për ndryshime ekonomike. Kjo është në fakt ambicia përfundimtare e të majtës radikale, që përmes totalitarizmit dhe diktaturës ta çojë shoqërinë drejt barazisë – barazisë në mjerim. Ta fitojnë pushtetin përmes votës së lirë, në mënyrë që më vonë të qëndrojnë në pushtet duke e ndaluar pikërisht votën e lirë.

Fashizmi, oligarkia, pabarazia, janë thjesht dhe vetëm mjete drejt qëllimit. Një i varfër dhe i pastrehë në Kore të Veriut jeton po aq keq sa një i varfër dhe i pastrehë në një vend tjetër të botës. Një i uritur në Kinë dhe një i uritur në Gjermani janë njësoj të uritur. Në mes tyre qëndron vetëm propaganda dhe numri i personave të uritur, kurse përfituesit e vetëm janë ushtruesit e propagandës dhe klika sunduese. Janë ata që e kanë fituar pushtetin me slloganin “katër këmbë mirë dhe dy këmbë keq”, duke i dehumanizuar pararendësit, shumëherë me të drejtë. Mirëpo, me të marrë pushtetin, ata që vijnë në pushtet në emër të pabarazisë, në emër të luftës kundër fashizmit dhe oligarkisë, fillojnë të ecin në dy këmbë, sikur paraardhësit e tyre derra. Fillojnë t’i mbushin bordet, fillojnë ta dhunojnë kushtetutën, ta kushtëzojnë lirinë e shprehjes dhe – madje – siç i kishte thënë tashmë të ndjerit Max Velo një i burgosur i diktaturës së Enver Hoxhës, interesohen edhe për ëndrrat. Saktësisht sikur në “Pallatin e Ëndrrave”.

Kur të ndodhin të gjitha këto zhvillime dramatike, dikush prej kafshëve habitet kur i sheh derrat duke ecur krenarë në dy këmbë. Teksa u kujtohet ai sllogani i famshëm “katër këmbë mirë, dy këmbë keq”, dikush shkon dhe ankohet për këtë degjenerim të paparalajmëruar dhe që është në kundërshtim me Shtatë Urdhëresat e Kafshërisë, që është në kundërshtim me çdo gjë për të cilën revolucioni dhe ndryshimi kishte nisur. Mirëpo, këto pakënaqësi shumë shpejt shtypen. Derrat fillojnë dhe gënjejnë, duke thënë që sllogani “katër këmbë mirë, dy këmbë keq” në fakt ka qënë “katër këmbë mirë, dy edhe më mirë” si dhe “disa kafshë janë më të barabarta se disa të tjera”. Kishin mbetur shumë pak dëshmitarë për ta dëshmuar të kundërtën e kësaj që po thoshin derrat. Disa ishin therrur në therrtore, disa të tjerë kishin vdekur, e disa nuk dinin as t’i lexonin Shtatë Urdhëresat. Ai më i mençuri prej kafshëve, Benjamini, ishte më ciniku. Ai edhe dinte shkrim e lexim, e edhe kishte jetuar mjaft gjatë që ta mbante mend kohën përpara pushtetit, mirëpo po e bënte atë që dinte më së miri ta bënte: po heshtte.