Shkruan Berat Buzhala: 14 kaubojë në Prishtinë - Gazeta Express

OP/ED

Berat Buzhala

21/09/2020 14:04

Shkruan Berat Buzhala: 14 kaubojë në Prishtinë

OP/ED

Berat Buzhala

21/09/2020 14:04

Animozitetet ideologjike janë luks i shteteve që në hangarët e tyre i kanë kokat bërthamore. Kosova në hangarët e vet nuk ka as rezerva të grurit për më tepër se disa muaj. Nëse heqim dorë prej masturbimeve të kota filozofike, që fatkeqësisht në një moment gjetën vend edhe në zyrën e kryeministrit, shqiptarët janë përfituesit më të mëdhenj në Evropë të politikës së kaubojve dhe sherifëve

Jo një, por 14 kaubojë amerikanë do të zbarkojnë sot në qytetin tonë. Gjasat janë që para se të nisen për në Kosovë, ky grup amerikanësh, janë marrë vesh që Richard Grenell është gjithashtu edhe – një mbiemër i njohur ky – Sherifi i këtij grupi. Kishte shumë skeptikë dhe ca budallenj, që pas arritjes së një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ishin të bindur që administrata amerikane nuk do t’i qëndronte mbrapa pikave që ishin hedhur në letër dhe ishin nënshkruar në Dhomën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, por thjesht do ta largonte vëmendjen nga Ballkani, tash kur e kishin konsumuar lajmin. Për befasinë e tyre të madhe, kur ngjyra në letër ende nuk është tharë, ashtu siç dinë vetëm amerikanët, që çdo gjë e bëjnë në mënyrë glamuroze, delegacioni i zgjeruar i administratës Trump do ta vizitojë Kosovën, Serbinë, Greqinë dhe Izraelin. Ajo çfarë më pëlqen më tepër nga kjo vizitë është koha e shkurtë e qëndrimit të tyre në secilin kryeqytet. Dy orë në Prishtinë, dy të tjera në Beograd, pastaj edhe në Athinë e Tel Aviv. Të tillë janë kaubojët. Rrinë shkurt, flasin shkurt, flasin prerë dhe me zë të lartë, nuk lënë hapësirë për keqkuptime. Me fjalë të tjera kaubojët amerikanë janë e kundërta e asaj çfarë bëjnë burokratët në Bruksel dhe Evropë. Këta të fundit, ndoshta edhe për shkak të kompleksitetit të organizatës së tyre politike, edhe kur gjaku rrjedh si lumë, janë gjakftohtë, fjalëshumë e punëpakë. Duke e ditur që për çdo problem në politikën e jashtme u duhet ta marrin edhe pajtimin e, në mes tjerash, Qipros, burokratët në Bruksel zgjedhin që të flasin më shumë dhe të veprojnë më pak.

Ka kaluar një kohë e gjatë prej intervenimit ushtarak amerikan në Kosovë (të kamufluar si intervenim i NATO-s), prandaj djemtë dhe vajzat e Kosovës, të moshës nën 30-vjeçare, janë pak të hutuar kur dëgjojnë udhëheqës politikë në vendin tonë kur flasin për kaubojë. Ndoshta, disave prej tyre kjo mënyrë e diplomacisë amerikane u vjen e çuditshme. Por kjo kështu ka qenë, tash e 70 vjet. Amerika e ka pasur Henry Kissinger-in, e ka pasur Richard Holbrooke-n, Wesley Clark-un, Amerika tash e ka Richard Grenell-in. Këta nuk janë vëllezër. Nuk janë identikë, por sillen ngjashëm. Si formë, meqë bota është audienca e tyre, ata nuk kanë kohë për të humbur. Sikur të jetonte në kohën e Twitter-it, edhe Richard Holbrooke do të kishte qenë aktiv aty. Janë këta kaubojë që kriminelëve të sojit të Milloshevicit u thoshin që para vetes i kishin dy opsione, të zgjedhin paqen ose aeroplanët B92. Ky i fundit i zgjodhi këta të fundit, duke dashur ta testojë seriozitetin amerikan. U bind shumë shpejt se sa gabim kishte qenë. Asnjë diplomat amerikan nuk do të mund të ishte kaq bindës, nëse prapa fjalëve të tij nuk do të qëndronte Pentagoni. Siç thuhet, marrëveshjet që nuk garantohen nga revolja janë, thjesht, një fontanë dëshirash. Për këtë arsye marrëveshjet që nënshkruhen në Shtëpinë e Bardhë, zakonisht, janë më efektive sesa ato që nënshkruhen kudo tjetër në botë. Nën rrugë ka plot viktima që nuk e kanë kuptuar këtë gjë.

Administrata amerikane, nën udhëheqjen e presidentit Trump, kjo nuk është sekret, dallon shumë prej administratave të tjera. Mirëpo nuk dallon duke qenë më e butë, por dallon duke qenë edhe më amerikane sa i përket shpejtësisë dhe arrogancës. Gjëja e fundit që do të donim ne është që të gjendeshim në anën tjetër të saj. Në fillimin e këtij viti, për shkak të kokëfortësisë së Kurtit me shokë, kemi qenë seriozisht të rrezikuar. Kurti, dhe një rreth i shokëve të tij, sado që ai mund ta thotë ndryshe, nuk e urren Amerikën si kontinent, e as amerikanët si njerëz, por e urren pafundësisht mënyrën se si bëhet politika në Washington. Edhe e majta amerikane për standardet e Kurtit është e djathtë radikale, kurse për të djathtën nuk ia vlen as të flasim. Grazhdi ku është ushqyer Kurti ideologjikisht, shkolla ku ai është edukuar, gogol kryesor, platformë qitjeje, e kanë ish-presidentin amerikan Ronald Regan, që gjithashtu nga e majta radikale konsiderohej – shih habinë – kauboj, sepse ishte pikërisht ai kauboj që e shembi kështjellën e të majtës radikale, Bashkimin Sovjetik. 

Nuk e mohoj që ka vend për debat në këtë rrafsh. Intelektualët, gazetarët, shoqëria civile, aktivistët për të drejtat e njeriut, do të mund të diskutojnë gjerë e gjatë për moralin dhe politikën, për mënyrën se si këta kaubojë i qasen zgjidhjes së problemeve. Mirëpo, kjo nuk do të duhej të ishte brengë për kryeministrat dhe presidentët e shteteve kaq të brishta sikur ky i yni. Animozitetet ideologjike janë luks i shteteve që në hangarët e tyre i kanë kokat bërthamore. Kosova në hangarët e vet nuk ka as rezerva të grurit për më tepër se disa muaj. Nëse heqim dorë prej masturbimeve të kota filozofike, që fatkeqësisht në një moment gjetën vend edhe në zyrën e kryeministrit, shqiptarët janë përfituesit më të mëdhenj në Evropë të politikës së kaubojve dhe sherifeve. Një thënie e vjetër perse thotë: “gjarpri që nuk më ha mua rroftë njëmijë vjet.” Fatkeqësisht në vendin tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej një pjese të politikës, po gjykohen me syzet e Bashkimit Sovjetik, me syzet e Hamas-it, Hezbollah-ut dhe Al Kaeda-s. Për ne këto syze janë të rrezikshme.