“Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Europën Perëndimore dhe SHBA-në. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin edhe njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së”.
Alma Baxhaku
Ky paragraf, i publikuar në gusht të 2012-ës në revistën akademike “Études caribéennes”, pjesë e platformës OpenEdition Journals, mban emrin e Dimal Bashës, kryekuvendarit të ri të Koosvës, si dhe të Jana Arsovskas, profesoreshë nga Maqedonia e Veriut.
Pas zgjedhjes së befasishme të Kryeparlamentarit të ri pas muajsh ngecje në Kuvendin e Kosovës, në media u publikua një hulumtim që Basha kishte realizuar me Arsovskan sa ishte në studime. Për fjalët e rënda që u shkruan për UÇK-në nën emrin e Bashës u kërkua shkarkimi i tij i menjëhershëm. Për këtë situatë të krijuar, kryeparlamentari i ri i Vetëvendosjes doli me një postim në Facebook, duke mohuar se ka shkruar ndonjë shkronjë për UÇK-në dhe gjithë përgjegjësinë për paragrafët që flisnin për të ia la Arsovskas, e cila gjithashtu me një letër tentoi ta shpëtonte kolegun e studimeve pas situatës në të cilën u gjend me marrjen e postit më të rëndësishëm në vend.
Një ditë pas, Basha thirri një konferencë për media në të cilën pritej që të merrte përgjegjësinë për këtë hulumtim. Por, Basha bëri atë që e ushtroi me vite të tëra – linçimin e mediave duke i lidhur me Beogradin.
“Për dy mandate kam bërë beteja të mjaftueshme në këtë Kuvend dhe jashtë tij dhe portalet e shumë të ashtuquajtur gazetarë nuk kanë ndaluar kurrë duke më ofenduar në mënyrë më të ulëta të mundshme, përfshirë këtu edhe duke përdorur burime nga gazetat e Beogradit për të më sulmuar mua. Kjo s’është sot. Të njëjtit e kanë bërë të njëjtën propagandë kundër zv/kryeministres Gërvalla me vite të tëra, vajzën e heroit”.
Për më tepër, Basha provoi të lidhte profilin e tij me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke pretenduar se po sulmohet nga caqet e njëjta që “kishin sulmuar” atë.
“Të njëjtit edhe presidentin historik Rugova dikur e quanin tradhtar”.
Derisa mediat i lidhte me Beogradin, Basha ndërtonte dhe një “argument” tjetër duke thënë se mediat po e quajnë Kurtin “njeri i Serbisë”.
“Po të njëjtit vazhdojnë me ofendime ndaj kryeministrit Kurti, duke e quajtur atë “njeri i Serbisë” dhe ju lutem mos harroni se i keni të njëjtat burime, të njëjtat qarqe që kanë lobuar edhe për ndarjen e Kosovës e të njëjtit e kanë krijuar edhe Listën Serbe, kanë lobuar për krijimin e Listës Serbe. Është shumë me rëndësi për qytetarët e Republikës me pa se nga vijnë këto sulme”, tha Basha.
Për hulumtimin e publikuar, Basha po insiston që roli i tij kufizohet vetëm te pjesa ku flitet për depërtimin e “islamit fundamentalist” në Kosovë.
“Mbaj përgjegjësi vetëm për këtë pjesë. S’kam shkruar asnjë fjalë e fjali nga kapitujt tjerë”.
Dhe me këtë, Basha tentoi të distancohej dhe ta nxirrte veten të larë nga përgjegjësia.
Në fund, ai s’pranoi as pyetjet nga gazetarët në paraqitjen e tij të parë në cilësinë e kryeparlamentarit, duke e kthyer konferencën në një fjalim.
Megjithatë, bashkautorësinë në këtë hulumtim Basha s’ka si ta zhbëjë. Dhe fjala “bashkautor”, sipas shumë fjalorëve, e shpjegon mirë që një vepër a punim që mban dy emra iu përket të dyve.
Në fjalorin “Merriam Webster”, që konsiderohet jashtëzakonisht kredibil në SHBA, fjala bashkautor (coauthor) ka këtë kuptim: ai që bashkëpunon me një person tjetër për të shkruar një vepër letrare ose dramatike, një dokument, një projektligj legjislativ etj.
Ngjashëm termin e shpjegojnë edhe fjalorët shqip.
“Ai që është, së bashku me një tjetër, autor i një vepre artistike, shkencore ose i një pune tjetër. Bashkautorët e veprës. Bashkautori i letrës. Vepër me bashkautorë”, shpjegohet në “Fjalë.al”.
“Bashkautor,-i emër i gjinisë mashkullore; numri shumës; -ë(t) autor bashkë me një tjetër në një vepër etj”, sipas “Fjalorthi.com”.
Ndërkaq, një shpjegim mbi bashkautorësinë e dha edhe profesori universitar, Gëzimi Qerimi, i cili tha se me pranimin e vënies së emrit në një hulumtim pranon gjithë përmbajtjen e tij.
“Dimal Basha është bashkautor i atij punimi. Kjo nënkupton që ai ka pranuar të gjithë përmbajtjen e tekstit. Në praktikën akademike, bashkautorësia është baras me pajtimin e plotë me punimin dhe nuk ka asnjë justifikim që të thuhet se je autor “vetëm i një pjese”, tha Qerimi për Gazetën Blic.
Duke i sulmuar gazetarët që e shpërfaqën këtë hulumtim dhe duke thënë se e “çmon lart” luftën e UÇK-së, Kryekuvendari nuk dihet nëse arriti ta bindë opinionin publik se s’është përgjegjës për këta paragrafë të hulumtimit, por është e sigurt se bindi bashkëpartiakët e tij.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me shumë siguri tha se “nuk është shkrimi i tij”.
Të njëjtën fjali e përsëriti edhe kur gazetarët e pyetën nëse “së paku” Basha duhet të kërkojë falje.
Në hyrje të punimit Basha dhe Arsovska shkruan gjithashtu edhe për boshtin e temave të hulumtuara.
“Ky punim trajton në detaje lidhjen midis rrjeteve transnacionale të krimit të organizuar, lëvizjeve fundamentale islamike dhe grupeve terroriste në rajonin e Ballkanit…Ndërlidhja komplekse midis globalizimit, luftërave, krimit të organizuar dhe Islamit fundamental është në ballë të këtij punimi”, thanë autorët.
Në këtë punim, në pjesën për UÇK-në, u cituan edhe disa burime, përfshirë edhe Dick Marty.
“Që nga fillimi i viteve 1990, shumë veta kanë qenë të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës (Layne, 1999). Pas përfundimit të luftës në Kosovë, u raportua se Kosova u bë tokë pjellore për trafikantët e drogës dhe se sasitë e heroinës së trafikuar përmes Kosovës u dyfishuan (Klebnikov, 2000; Qendra për Studime Gjeopolitike të Drogave 2011). Pas konfliktit, vetë UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht, megjithatë, shumë nga ish-komandantët e UÇK-së shpejt vunë një kapelë tjetër dhe u futën në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi (Jonsson, 2013; Mitchell, 2002; Marty, 2010; Brunnwasser, 2011; ICG, 1999)”, thuhet në një pjesë të këtij punimi.