Sherif Gashi ishte gjysh shumë i dashur, njeri i urtë dhe me karakter të lartë, punëtor (arsimtar) dhe kryefamiljar i pashoq dhe veprimtar i vazhdueshëm e vetëmohues i çështjes kombëtare.
Dje, me 24 mars 2021, u bënë 20 vjet që prej kur ka ndërruar jetë gjyshi im nga ana e Babait, Sherif Tafil Gashi. Ai ishte një dijetar e arsimtar i nivelit kombëtar dhe kishte një urtësi, kulturë e mirësjellje të rrallë.
Baba Sherif ishte gjysh shumë i dashur, njeri i urtë dhe me karakter të lartë, punëtor (arsimtar) dhe kryefamiljar i pashoq dhe veprimtar i vazhdueshëm e vetëmohues i çështjes kombëtare.
Përderisa profesionin e mësuesit e filloi në Shkollën Adem Bajrami në Kijevë, shumë shpejt ai dhe dy vëllëzërit e tij Muharremi dhe Isa, u detyruan që ta lënë Kosovën. Kjo pasiqë profesioni i mësuesit (të ciklit të ulët) në Kosovë nga një familje e respektuar kombëtare shqiptare, përbënte një rrezik për regjimin e atëhershëm jugosllav.
Baba Sherif dhe vëllëzërit e tij do të shpërngulëshin për në Maqedoni, ku do të jepnin mësim në afërsi të qytetit të Kumanovës. Aty dhe do t’i lindte Sherifit dhe Elfijes djali i tyre i parë dhe Babai im Sulejmani dhe djali i dytë, Axha im Selajdini. Edhe pse hamendëshin tre vëllëzërit (3 nga 8 fëmijë gjithsejt) Sherifi, Isa e Muharremi, se a të ktheheshin në Kijevë dhe në Kosovë apo jo, në fund Sherif Tafili do të kthehej në fshatin e familjes, dhe Isa dhe Muharremi do të vazhdonin të qëndronin në Maqedoni. Ajo që Babai mua më përmendte gjithherë për gjyshin është se dha mësim për plot 42 vjet, pa asnjë ditë mungese.
Baba Sherif dhe Nëna Elfije do të krijonin një familje të pesë djemve në Kijevë, përfshirë Sulejmanin, Selajdinin, Abrahamin, Arbenin dhe Ardianin. Tek secili do të ndjellnin ndienjën e fortë të karakterit të lartë, të atdhedashurisë dhe të shërbimit publik. Dhe ata pesë djem me kohë do të shpaguanin Babën e tyre për këto mësime të vyera. Babai im Sulejman Gashi i thoshte vëllëzerve që ata të ndjekin rrugën e vëllezërve Frashëri, që si pesë vëllezër gjithashtu, të angazhoheshin gjithnjë për çështjen kombëtare.
Sherif Tafili ishte përqafues edhe i Amerikës, edhe pse qëndroj këtu për vetëm një kohë të shkurtër pas luftës së Kosovës, kur kishte ardhur si refugjat lufte, së bashku me gjyshen Elfije, Axhën Ardian, dhe nipin Brentian. Më kujtohet kureshtja e tij për të ditur më shumë për Amerikën. Mirënjohja që ai kishte. Qejfi me të cilin shëtiste vendet e ndryshme, përfshirë një udhëtim shumë të këndshëm për të parë monumentet kombëtare në Washington, D.C.
Gjyshi kishte mësuar emrat e plot 50 shteteve të Amerikës dhe i recitonte përmendësh një nga një. Bënte një shqiptim të lezetshëm sidomos për shtetet North dhe South Carolina dhe Connecticut.
Nga Amerika ishte i vendosur që të kthehet në Kosovën e lirë pas përpjekjes sonë kombëtare, përpjekjes familjare por edhe pas përpjekjes së tij individuale për lirinë. Mua më kujtohet kur në vitin 2009, në fshatin Bubavec të Malishevës, e në prani te atdhetarëve si Mark Krasniqi dhe Mullah Xhevat Kryeziu, me shumë kënaqësi e nderim pranova dekoratën për rolin e gjyshit (postmortum) si pajtues i gjaqeve, krahas profesionit të arsimit. U vlerësua aty dhe kam besimin se do të vlerësohet përsëri kontributi i tij i çmuar kombëtare.
Gjyshi dy herë në jetën e tij kishte vendosur të kthehej në atdhe, njëherë nga Maqedonia, tjetrën herë nga Amerika. Sigurisht për të mund të kishin kuptim fjalët që përmend Petro Marko në librin e tij Retë dhe Gurët. “Thonë se Gurët e mëdhenj atje poshtë në Shenmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim zemërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të deftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kur se ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afer bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut.”
Gjyshi kishte respekt të madh dhe afërsi shumë të madhe për këdo që njihte. Duke filluar prej gruas së tij Elfijes, djemve, rejave të tij përfshirë nënën time Tonen, neve nipërve dhe mbesave, familjarëve të tij, dhe nxenësve të tij. Thjesht, për të gjithë. Është e rrallë që të njohësh dikënd të tillë, punëtor e vepërmadh, përderisa respektues e fjalëpak.
Qoftë i perjetëshëm kujtimi për Babën Sherif, Sherif Tafil Gashin. Do ta kujtojmë dhe do ta duam përherë. Fotot paraqesin gjyshin në Shkup të Maqedonisë së Veriut në rini dhe në shtëpinë e prindërve të mi në New Jerseym, SHBA, duke mbajtur flamurin amerikan.
Drilon S. Gashi është profesionist në fushën e zhvillimit ndërkombëtar dhe punon në sektorin privat në Washington, D.C. Ka magjistruar në fushën e marrëdhenieve ndërkombëtare në Columbia University në New York.