Shkon në 6 numri i viktimave nga sulmi terrorist i ndodhur sot në stacionin e autobusëve në Ramot të Jerusalemit, ndërsa të paktën 15 prej të tjerë mbetën të plagosur.
Mes viktimave janë edhe 2 autorët e dyshuar të sulmit terrorist. Izraeli ka rritur menjëherë masat e sigurisë në vend. Hamasi e quajti atë një “operacion heroik”, kurse Xhihadi Islamik e cilësoi si sulm të drejtë ndaj Izraelit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu iu drejtua vendit të sulmit për vizitë dhe njohje me aktivitetin hetimor, teksa gjyqi ndaj tij ditën e sotme u shty për shkak të ngjarjes. Netanyahu dënoi me forcë sulmin terrorist dhe njoftoi se dy autorët ishin vrarë ng ushtria.
Ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir gjithashtu mbërriti në kryqëzimin e Ramot në Jerusalemin verior, vendin e sulmit. Policia “po përpiqet aktualisht të përcaktojë se si mbërritën terroristët në vendngjarje dhe kush i solli ata”, tha Ndihmës Komisioneri Shlomi Bachar.
Ushtari që neutralizoi dy sulmuesit në sulmin e mëngjesit të sotëm në Jerusalem shërben si komandant skuadre në Brigadën Hashmonaim (Hasmonean), formacioni i ushtarëve luftarakë Haredi (ultra-ortodoksë). Kjo u deklarua nga Benjamin Netanyahu, i cili mbërriti në vendin e sulmit.
Sulmi terrorist i kryer këtë mëngjes në Jerusalem, i cili mori jetën e të paktën gjashtë personave, është “një përgjigje e natyrshme dhe legjitime ndaj krimeve të vazhdueshme të armikut sionist” kundër palestinezëve në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, sipas një deklarate nga Brigadat Al-Quds, krahu i armatosur i Xhihadit Islamik Palestinez, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj një autobusi plot me pasagjerë në kryqëzimin e Ramot, një kryqëzim rrugor i ngarkuar në hyrjen veriore të Jerusalemit. Dëshmitarët raportuan se sulmuesit hipën në autobus përpara se të qëllonin me një mitraloz artizanal. Policia i neutralizoi ata pas momenteve të panikut dhe një rrëmuje.