Shkon në 139 numri i të infektuarve me virusin misterioz në Azinë Lindore - Gazeta Express
string(73) "shkon-ne-139-numri-i-te-infektuarve-me-virusin-misterioz-ne-azine-lindore"

Shkon në 139 numri i të infektuarve me virusin misterioz në Azinë Lindore

Gazeta Express

20/01/2020 8:13

Autoritetet kineze njoftuan të hënën se një virus i ri, i ngjashëm me virusin “Sars”, është përhapur në disa pjesë të vendit, përfshirë kryeqytetin Pekin, duke e çuar në 139 numrin e personave të infektuar. Kjo e ka shtuar frikën nga një përhapje masive në prag të Vitit të Ri Kinez, kur miliona njerëz udhëtojnë për pushime.

Ky virus ka shkaktuar alarm për shkak të lidhjes së tij me sindromin akut të traktit respirator, nga i cili kishin vdekur rreth 650 persona në Kinë dhe Hong Kong në vitet 2002-2003.

Lexo Edhe:

Rasti i parë i këtij virusi u regjistrua në qytetin Wuhan, i cili ka 11 milionë banorë dhe shërben si pikë e rëndësishme për transit të udhëtimeve, përfshirë udhëtimet që bëhen gjatë sezonit të festës. Këtë javë, miliona kinezë udhëtojnë për t’i vizituar familjet e tyre.

Ende nuk është konfirmuar ndonjë rast i infektimit mes njerëzve. Megjithatë, autoritetet kanë thënë se nuk përjashtohet mundësia që virusi të përhapet edhe përmes njerëzve të infektuar te njerëzit e shëndoshë.

Përpos në Kinë, tri raste të këtij virusi janë shënuar edhe jashtë saj. Dy raste janë shënuar në Tajlandë, një në Japoni dhe së fundi një tjetër në Korenë Jugore, ku një grua që kishte ardhur nga Kina kishte dalë me rezultat pozitiv gjatë testimit për këtë virus.

Pavarësisht shtimit të rasteve të virusit, një komision shëndetësor në Guangdong ka thënë se gjendja është nën kontroll. Sidoqoftë, ekspertët britanikë besojnë se numri i të infektuarve është nënvlerësuar nga qeveria kineze dhe se kjo shifër mund të jetë mbi 1700, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.