Kryetarja e Grazit të Austrisë ka konfirmuar për agjencinë shtetërore austriake të lajmeve, APA, se numri i viktimave nga sulmi në shkollë, ka shkuar në dhjetë, përfshirë autorin e sulmit.
Shërbimet e emergjencës, përfshirë një njësi taktike policore dhe një helikopter, janë dërguar në shkollën BORG Dreierschützengasse pasi dëgjimit të të shtënave me armë rreth orës 10 të mëngjesit. Policia ka bërë të ditur se shkolla është evakuuar dhe njerëzit janë çuar në një pikë takimi në një stadium aty pranë.
Lidhur me ngjarjen tragjike, kancelari austriak Christian Stocker ka thënë se “nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen dhe pikëllimin që të gjithë ne në Austri po ndiejmë tani”, ndërsa foli për një “tragjedi kombëtare”. Ai pritet të shkojë në vendin e sulmit më vonë sot.
Ndërsa edhe presidenti austriak Alexander Van der Bellen ka shprehur ngushëllimet e tij për sulmin, duke thënë se: “Këta ishin të rinj që kishin gjithë jetën përpara. Një mësues që i shoqëroi në udhëtimin e tyre. Nuk ka asgjë që mund ta lehtësojë dhimbjen që ndjenë prindërit, gjyshërit, vëllezërit e motrat dhe miqtë e të vrarëve në këtë moment. Austria vajton”.
Policia ka konfirmuar se vendi është siguruar pa rrezik të mëtejshëm për publikun, duke konfirmuar poashtu se autori i dyshuari ishte i vdekur.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Austri, ndërsa kancelari dhe zyrtarë të tjerë kanë shprehur ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre. Forcat e sigurisë janë duke vazhduar hetimet dhe pritet që gjatë orëve në vijim të ketë më shumë detaje mbi identitetin e viktimave dhe rrethanat e ngjarjes.