Ka shkuar në 10 numri i të prekurve me koronavirus në Shqipëri. Lajmin e dha zv.Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, në një konferencë për shtyp.
Rakacolli shtoi se dy raste janë të palidhura me ‘pacientin zero’ i cili infektoi të paktën të atin dhe 6 persona të tjerë. Ndërkohë zv.Ministrja Mira Rakacolli u shpreh se njëri prej të prekurve të rinj ndodhet i hospitalizuar në spitalin e Durrësit, por nuk dha detaje të mëtejshme.
“Deri sot janë testuar 114 raste të dyshuar, prej të cilëve vetëm 10 janë pozitiv. Ato që kanë qenë dje, 6 që janë kontakte të këtyre të sëmurëve dhe dy raste të reja të palidhura me këto raste. Një që është i shtruar në Infektiv dhe ka një histori udhëtimi në Milano një ditor, dhe një në spitalin e Durrësi”,– tha zv.Ministrja e Shëndetësisë Rakacolli.
Ndërkohë drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, u bëri apel të përsëritur qytetarëve për masat që duhet të marrin mbi higjienën personale.
“Larjen e duarve më shumë se 20 sekonda, përdorimin e dezinfektantëve, respektimin e higjienës respiratore, përdorimin e facoletës, pas kollitjes dhe teshtimave dhe pasi e përdorim ta hedhim në kosh me kapakë të mbyllur. Të zbatojmë rregullin e distanimit social, por të gjithë jemi të informuar që një nga mënyrat e përhapjes janë spërklat në kontakte direkte dhe jo e ajrit”, tha Fico.
Shefi i ugjencës Skënder Brataj ka dhënë disa deklarata ‘të sinqerta’ duke u shprehur se gjasat janë që virusi do të përhapet dhe në një mënyrë të shpejtë.
Brataj: Është normale të ketë shqetësim, të ketë panik. Është detyra jonë të informojmë çdo qytetar. Nuk fshihem, patjetër që do të ketë rritje të numrit të personave, jemi në fillimin e një pamdemie botërore. Janë disa gjëra që ne i njohim. Është trefishuar numri i njerëzve që marrin urgjencën. 83% e njerëzve nuk shfaqin simptoma dhe mbi 90% e rasteve që shfaqin simptoma kurohen në shtëpi. Ne duam bashkëpunim dhe mirëkuptim ti përgjigjmi kësaj situate. Duhet të të jemi të ndërgjegjshëm, të qëndrojmë në shtëpi. E parandaloi Kina, i mori masat Italia. Nuk ka rrugë tjetër, nuk është vetëm forca dhe ligji. Duhet të izolojmë kontaktet. Edhe unë nuk e di nëse jam apo jo i infektuar. E pamë dhe në Itali që një nga politikanët ishte i infektuar. Është betejë që duke ndjekur rregullat mund ta fitojmë. Të gjitha statistikat e kanë sjellë që 95% për qind shërohen. Sa më mirë ti përgjigjemi apeleve tona, 127 do t’u jape informacionet dhe mbështetjen, por jo në spital. Është e njëjta gjë siç na ndodh sezoni i gripit çdo vit. Sot do të mblidhet komiteti për masat e mëtejshme. Nuk ka mjekim për njerëz simptomatik edhe pse janë pozitiv me koronavirusin. Ka mjekim vetëm për personat simptomatik./Express