Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale është arrestuar në Shkodër.
Ndaj Endrit Feraru alias Endrit Cufi Prokuroria e Riminit, Itali, ka lëshuar urdhër arresti në muajin shkurt të këtij viti.
40-vjeçari pritet të ekstradohet drejt vendit fqinj.
Njoftimi i policisë:
Kapet në Shkodër dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin në Itali, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve.
Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lokalizuan, kapën dhe arrestuan shtetasin E. F. alias E. C., 40 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma, pasi ndaj tij, Prokuroria e Riminit, Itali, në muajin shkurt 2025, ka lëshuar urdhër arresti, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikimin e narkotikëve. Për këtë vepër penale, Kodi Penal italian parashikon dënim deri në 20 vjet burgim.
Në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi.