Kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija e Tetovës, po kalon një mbrëmje tejet të vështirë në Baku të Azerbajxhanit, ku po përballet me kampionin vendas Qarabag në kuadër të ndeshjes së kthimit të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Pas 45 minutave të para, tabela e rezultatit tregon 4-1 në favor të vendasve – një rezultat që praktikisht e çon skuadrën azerbajxhanase në fazën play-off të garës më prestigjioze të klubeve në Evropë.
Fillim premtues, por rënie drastike
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për Shkëndijën, e cila në minutën e 10-të kaloi në epërsi. Pas një kombinimi të bukur mes Besart Ibraimit dhe Tambi Tambas, ky i fundit përfundoi aksionin me një goditje të saktë, duke i dhënë avantazh kampionit të Maqedonisë së Veriut.
Mirëpo, gëzimi i “kuqezinjve” zgjati vetëm gjashtë minuta. Në minutën e 16-të, një devijim i pafat i Cake përfundoi në rrjetën e portës së Shkëndijës, duke barazuar shifrat në 1-1. Vetëm dy minuta më vonë, vendasit përmbysën gjithçka falë Borges, i cili shënoi për 2-1 pas një aksioni të shpejtë.
Katastrofa në fund të pjesës së parë
Kur pritej një reagim nga Shkëndija, erdhi dyfishimi i fundit i vendasve. Qarabag shënoi dy gola brenda vetëm dy minutave – fillimisht në minutën e 33-të me Akhundzade, e më pas në minutën e 35-të me Jankovic që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke e çuar rezultatin në 4-1.
Mision i vështirë për 45 minutat e fundit
Me këtë rezultat, Shkëndija gjendet para një detyre thuajse të pamundur në pjesën e dytë. Për të vazhduar ëndrrën për play off, skuadra shqiptare duhet jo vetëm të shënojë të paktën tre gola, por edhe të përmirësojë ndjeshëm lojën në mbrojtje, e cila në pjesën e parë u tregua e brishtë përballë sulmit dinamik të Qarabagut.
Ndeshja vazhdon, por nëse nuk ndodh një mrekulli futbollistike, duket se kampioni Maqedonisë së Veriut në këtë sezon në Champions League do të duhet të përqendrohet për të kaluar në fazën e Ligës së Europës, pasi që tanimë e ka të sigurt kalimin në Ligën e Konferencës. /GazetaExpress/