Krahas Dritës, sonte në fushën e blertë do të zbresin edhe dy ekipe shqiptare, të cilat kanë mbetur ende në garë në arenën ndërkombëtare.
Shkëndija do ta kërkojë sonte historinë duke u kualifikuar në fazën e ligës së Ligës së Evropës, shkruan “Gazeta Express”.
Ekipi nga Tetova do ta vizitojë Ludogoretsin në kërkim të rezultatit të favorshëm.
Kuqezinjtë e fituan lojën e parë të “play-off”-it në Shkup me rezultat 2:1 javën e kaluar, ndërsa do të udhëtojnë drejt Bullgarisë për ta ruajtur këtë kapital dhe për ta siguruar kualifikimin historik në fazën e ligës së Europa League.
Ndeshja mes Ludogoretsit dhe Shkëndijës do të nisë prej orës 19:30.
E punët shumë më vështirë sonte do t’i ketë ekipi tjetër shqiptar, Dinamo City, i cili u mposht 3:0 nga Jagiellonia Bialystok në lojën e parë të “play-off”-it në Ligën e Konferencës.
Trupa e trajnerit Ilir Daja do ta ketë thuajse të pamundur përmbysjen e rezultatit, por futbollit nuk i dihet kurrë. /Gazeta Express