Lajme të mira për të gjithë adhuruesit e ëmbëlsirave: një studim i ri tregon se konsumimi i çokollatës së zezë mund t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë.
Përbërësi kryesor i çokollatës së zezë, kakaoja, përmban një substancë të quajtur teobrominë – një përbërje natyrale bimore, e cila sipas studiuesve lidhet me uljen e moshës biologjike, pra nivelin e dëmtimit që qelizat tona grumbullojnë me kalimin e viteve.
Edhe pse mekanizmi i saktë i veprimit anti-plakje nuk është plotësisht i qartë, ekspertët paralajmërojnë se ngrënia e çokollatave të zakonshme, sidomos atyre të Kalendarit të Adventit për festat e fundvitit, nuk sjell të njëjtin efekt.
Teobromina gjendet në sasi domethënëse vetëm te çokollatat me përqindje të lartë kakaoje.
Edhe çokollata e zezë mund të përmbajë shumë yndyrë e sheqer, prandaj rekomandohet të konsumohet me masë si pjesë e një diete të balancuar.
“Nuk po themi që njerëzit duhet të hanë më shumë çokollatë të zezë,” shpjegon autorja e studimit, profesorja Jordana Bell nga King’s College London.
“Por kjo kërkim na ndihmon të kuptojmë se si ushqimet e zakonshme mund të fshehin të dhëna të rëndësishme për një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme.”
Studimi si u zhvillua
Studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të 1,669 personave nga dy grupe: 509 nga TwinsUK dhe 1,160 nga studimi gjerman KORA.
Pjesëmarrësit kishin një moshë mesatare 60 vjeç dhe në përgjithësi ishin të shëndetshëm.
Për të matur moshën biologjike, ekipi u fokusua te:
ndryshimet kimike në ADN,
gjatësia e telomereve, “kapakët” mbrojtës të kromozomeve që shkurtohen me moshën.
Ashtu si kapëset e lidhëseve të këpucëve që pengojnë shpërbërjen, telomeret ruajnë stabilitetin e materialit gjenetik. Telomeret e shkurtra lidhen me plakjen dhe shumë sëmundje të lidhura me moshën.
Sipas rezultateve, personat me nivele më të larta të teobrominës në gjak kishin moshë biologjike më të ulët se mosha e tyre reale.
Pas testimit të substancave të tjera që gjenden në kafe dhe kakao, efekti u vërejt vetëm te teobromina.
Kjo përbërje alkaloide, e njohur se është toksike për qentë, në njerëz lidhet me një sërë përfitimesh, si:
ulja e rrezikut të sëmundjeve të zemrës,
ulja e tensionit të gjakut,
përmirësimi i metabolizmit të yndyrave,
rritja e qarkullimit të gjakut,
përmirësimi i funksioneve kognitive dhe ngadalësimi i rënies mendore të lidhur me moshën.
Çfarë thotë ekipi i studiuesve
“Theobromina, një alkaloid ushqimor i konsumuar gjerësisht dhe i nxjerrë nga kakao, lidhet me jetëgjatësi më të madhe në organizma model dhe me përfitime shëndetësore tek njerëzit.
Ne raportojmë një lidhje të fortë mes niveleve të saj në qarkullim dhe plakjes më të ngadaltë epigjenetike në dy grupe të pavarura të popullsisë.”
Studiuesit nuk janë ende të sigurt nëse efekti vjen vetëm nga teobromina, apo nga ndërveprimi i saj me përbërje të tjera të çokollatës së zezë, si polifenolët – të njohur për efektet e tyre pozitive në shëndetin e njeriut.
Komponime të tilla bimore mund të ndikojnë mënyrën si aktivizohen ose çaktivizohen gjenet tona, duke ndikuar kështu ritmin e plakjes dhe jetëgjatësinë.
Studime të mëparshme mbështesin këto gjetje
Rezultatet, të botuara në revistën Aging, përputhen me një sërë studimesh të tjera mbi përfitimet e kakaos:
Një studim i vitit 2023 në Boston tregoi se kakao mund të ulë rënien kognitive te personat me risk të lartë për demencë.
Në 2021, studiues të Columbia University zbuluan se flavanolet e kakaos përmirësojnë kujtesën, veçanërisht mësimin e listave.
Në 2019, kërkues portugez raportuan se ngrënia e disa kubikëve çokollatë të zezë çdo ditë ul tensionin brenda një muaji.
Megjithatë, provat për çokollatën me qumësht janë shumë më të pakta, pasi ajo ka shumë pak kakao. Shumë çokollata komerciale janë të mbushura me qumësht, yndyrë dhe sheqer, duke ulur në minimum përmbajtjen e kakaos – madje disa produkte nuk lejohen të etiketohen si “çokollatë”, por vetëm “me shije çokollate”.
Cila çokollatë është më e mira për shëndetin?
Rekomandimi i përgjithshëm i ekspertëve:
Shijojeni çokollatën me masë, dhe zgjidhni çokollatë të zezë me përqindje të lartë kakaoje për të përfituar nivelet më të mira të teobrominës.
Siç shpjegon profesorja Bell:
“Përqindja e teobrominës ndryshon sipas ushqimit dhe mënyrës së përpunimit.
Çokollata e zezë ka sasi të larta kakaoje, çokollata me qumësht ka shumë më pak, kurse çokollata e bardhë nuk ka fare.” /GazetaExpress/