Shkencëtarët: Ulja e përditshme e kalorive me 30% mund të zgjasë jetën dhe të mbrojë trurin - Gazeta Express
string(89) "shkencetaret-ulja-e-perditshme-e-kalorive-me-30-mund-te-zgjase-jeten-dhe-te-mbroje-trurin"

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

26/11/2025 18:55

Shkencëtarët: Ulja e përditshme e kalorive me 30% mund të zgjasë jetën dhe të mbrojë trurin

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

26/11/2025 18:55

Ulja e marrjes ditore të kalorive me rreth 30 për qind mund të ndihmojë jo vetëm në kontrollin e peshës, por edhe në jetën më të gjatë dhe ruajtjen e shëndetit të trurit, sugjeron një studim i ri shkencor.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore Aging Cell, tregon se zvogëlimi afatgjatë i kalorive mund të ngadalësojë plakjen e trurit dhe rrezikun e rënies njohëse — një proces i pashmangshëm që shfaqet me moshën.

Kërkimi, i kryer nga Boston University në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Plakjes në SHBA, analizoi dy grupe majmunësh rhesus të ushqyer për më shumë se 20 vjet, që vdiqën midis moshës 22 dhe 37 vjeç (ekuivalente me 67–108 vjeç tek njerëzit). Njëri grup ndiqte një dietë të zakonshme, ndërsa tjetri konsumonte rreth 30% më pak kalori.

Pas analizimit të indeve të trurit, studiuesit zbuluan se majmunët me dietë të kufizuar kishin qeliza të trurit metabolikisht më të shëndetshme, më funksionale dhe me shenja më të ngadalta të plakjes.

“Reduktimi i kalorive është një ndërhyrje e njohur që mund të ngadalësojë plakjen biologjike. Ky studim ofron prova të rralla afatgjata se mund të mbrojë edhe trurin,” tha bashkautorja Ana Vitantonio, eksperte në farmacologji, fiziologji dhe biofizikë.

Dr. Tara L. Moore, një tjetër bashkautore, shtoi se zakonet ushqimore mund të ndikojnë dukshëm në shëndetin e trurit: “Ngrënia e më pak kalorive, nëse zbatohet për një kohë të gjatë, mund të ngadalësojë disa aspekte të plakjes së trurit.”

Sipas udhëzimeve aktuale të NHS, ulja me 30% e kalorive ditore do të thoshte konsum prej rreth 1,400 kalorish për gratë (nga 2,000) dhe 1,900 kalorish për burrat (nga 2,500). Por ekspertët theksojnë se reduktimi duhet të jetë i qëndrueshëm, gradual dhe i monitoruar mjekësisht.

Çfarë është rënia njohëse?

Me kalimin e moshës, truri përjeton ngadalësim të procesimit të informacionit, kohë më të vonuar reagimi dhe më vështirësi për të krijuar lidhje të reja sociale apo njohëse.

Studime të tjera kanë treguar se kufizimi i kalorive mund të përmirësojë funksionin metabolik të trurit, si edhe tensionin, sheqerin në gjak, shëndetin e veshkave dhe zemrës.

Universiteti i Kembrixhit thekson se truri fillon të tregon shenja të plakjes që në moshën 30 vjeçare, kur ndryshimet në “rrjetëzimin” nervor bëhen më të dukshme.

Ndërkohë, nutricionistët paralajmërojnë se ushqimet ultra të përpunuara përshpejtojnë plakjen e trurit për shkak të sheqernave të shtuara, yndyrnave të pashëndetshme dhe aditivëve, të cilat rrisin rrezikun e obezitetit, diabetit tip 2, sëmundjeve kardiovaskulare dhe demencës.

Demenca, ku forma më e përhapur është Alzheimeri, prek gati 1 milion njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, dhe numri vazhdon të rritet. Vetëm në vitin 2022, 74,261 persona vdiqën nga demenca — më shumë se çdo shkak tjetër vdekjeje.

Hulumtimet e reja sugjerojnë se kombinimi i reduktimit të kalorive me zgjedhje më të shëndetshme ushqimore mund të ndihmojë jo vetëm trurin, por edhe gjendjen fizike të organizmit.

Paralelisht, qeveria britanike këtë javë njoftoi vendosjen e një takse të re ndaj pijeve me bazë qumështi që përmbajnë sheqer të shtuar — si pjesë e përpjekjeve kundër obezitetit. Ministri i Shëndetësisë Wes Streeting tha:

“Obeziteti ua vjedh fëmijëve fillimin më të mirë në jetë, prek më të varfrit, u shkakton probleme të gjata shëndetësore dhe i kushton NHS miliarda.” /GazetaExpress/