Shkencëtarët të habitur: Zbulohen 26 specie të panjohura bakteresh në ambientet ultra-sterile të NASA-s - Gazeta Express
string(102) "shkencetaret-te-habitur-zbulohen-26-specie-te-panjohura-bakteresh-ne-ambientet-ultra-sterile-te-nasa-s"

Mistere

Gazeta Express

30/12/2025 21:52

Shkencëtarët të habitur: Zbulohen 26 specie të panjohura bakteresh në ambientet ultra-sterile të NASA-s

Mistere

Gazeta Express

30/12/2025 21:52

Ato konsiderohen ndër ambientet më sterile në Tokë, por megjithatë shkencëtarët kanë zbuluar dhjetëra forma jete mikroskopike brenda dhomave të pastrimit (cleanrooms) të NASA-s.

Këto ambiente janë hapësira tepër të kontrolluara dhe të dezinfektuara, ku ndërtohen dhe testohen anije kozmike dhe instrumente shumë të ndjeshme. Qëllimi i tyre është të parandalojnë çdo lloj ndotjeje biologjike dhe të sigurojnë që asnjë mikrob tokësor të mos “udhëtojë pa leje” drejt planetëve të tjerë.

Pikërisht për këtë arsye, ekspertët u tronditën kur zbuluan 26 organizma mikroskopikë – të gjithë specie bakteresh të panjohura më parë – brenda dhomave të pastrimit në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida.

Zbulimi është veçanërisht befasues, pasi këto ambiente i nënshtrohen masave ekstreme sigurie: ajri filtrohet vazhdimisht, temperatura dhe lagështia kontrollohen rreptësisht dhe përdoren detergjentë kimikë shumë agresivë. Megjithatë, këta mikroorganizma kanë arritur jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të përshtaten.

“Ky ishte vërtet një moment ‘ndal dhe rishiko gjithçka’,” u shpreh Alexandre Rosado, profesor i bioshkencës në Universitetin Mbretëror Abdullah të Shkencës dhe Teknologjisë (KAUST) në Arabinë Saudite, për Live Science.

Analizat e fundit kanë hedhur dritë mbi mënyrën se si këto baktere mund të jetojnë – madje të lulëzojnë – në një nga mjediset më armiqësore të krijuara nga njeriu. Rezulton se ato posedojnë gjene që i ndihmojnë të përballojnë rrezatimin dhe madje të riparojnë dëmtimet në ADN-në e tyre.

Qëllimi kryesor i dhomave të pastrimit është mbrojtja planetare: të mos ndoten planetët e tjerë që potencialisht mund të mbajnë jetë, por edhe të mbrohet Toka nga mikroorganizma të panjohur që mund të kthehen bashkë me mostrat hapësinore.

Megjithatë, siç thekson profesori Rosado, “dhomat e pastrimit nuk janë ambiente pa jetë. Rezultatet tona tregojnë se këto specie janë të rralla, por ekzistojnë”.

Speciet e reja u identifikuan në ambientet ku NASA ndërtoi anijen Phoenix Mars Lander në vitin 2007. Mostrat u mblodhën dhe u ruajtën atëherë, por vetëm përparimet e fundit në teknologjinë e analizës së ADN-së kanë bërë të mundur studimin e tyre të detajuar.

Në studimin e publikuar në revistën shkencore Microbiome, thuhet se ruajtja e pastërtisë biologjike në këto ambiente është thelbësore për sigurinë e misioneve hapësinore. Megjithatë, edhe me kontrolle shumë të rrepta, mikroorganizma jashtëzakonisht rezistentë mund të mbijetojnë, duke përbërë rreziqe të mundshme.

Hapi i radhës për studiuesit është të përcaktojnë nëse ndonjë nga këto baktere do të kishte mundur të përballonte kushtet e një udhëtimi drejt polit verior të Marsit, ku Phoenix u ul në vitin 2008. Disa prej specieve mbartin gjene që mund t’i ndihmojnë të përballojnë stresin e fluturimeve hapësinore, por mbijetesa e tyre do të varej nga ekspozimi ndaj vakumit, të ftohtit ekstrem dhe niveleve të larta të rrezatimit ultravjollcë.

Për ta testuar këtë, ekipi planifikon eksperimente në një “dhomë simulimi planetar”, e cila po ndërtohet aktualisht në KAUST dhe pritet të nisë testimet e para në fillim të vitit 2026.

Përtej eksplorimit hapësinor, shkencëtarët thonë se këto baktere kanë potencial të madh për bioteknologjinë. Rezistenca e tyre ndaj rrezatimit dhe stresit kimik mund të çojë në risi të rëndësishme në mjekësi, industri farmaceutike dhe sektorin ushqimor. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement