Shkencëtarët që po studiojnë numrin jashtëzakonisht të lartë të superqindvjeçarëve në Brazil – persona që jetojnë shumë përtej moshës 100 vjeç – kanë zbuluar diçka të jashtëzakonshme për mënyrën se si sistemi i tyre imunitar “i përforcuar” i mban të shëndetshëm edhe në moshë tepër të thyer.
Brazili ka një përqendrim disproporcionalisht të lartë njerëzish që jetojnë mbi 110 vjeç, gjë që e bën vendin një terren unik për studimet mbi jetëgjatësinë.
Sipas ekspertëve, këta individë duket se kanë sisteme imunitare të përshtatura posaçërisht për jetë të gjatë – sisteme që rinovojnë dhe riciklojnë qelizat me një ritëm tipik për persona shumë më të rinj në moshë. Ky proces ndihmon në parandalimin e grumbullimit të proteinave të dëmtuara dhe mutacioneve të rrezikshme, të cilat nxisin sëmundje të lidhura me plakjen, si sëmundjet e zemrës, kanceri dhe demenca.
Studiues nga Universiteti i São Paulos thonë se historia e gjatë e kolonizimit të hershëm të Brazilit, që nis që nga vitet 1500, ka krijuar një nga diversitetet gjenetike më të pasura në botë – një faktor që mund të shpjegojë pse kaq shumë njerëz arrijnë moshë kaq të avancuar.
Për të hetuar këtë fenomen, ekipi analizoi të dhëna nga një studim në vazhdim, ku përfshiheshin mbi 140 qindvjeçarë dhe 20 superqindvjeçarë nga rajone të ndryshme të vendit më të madh të Amerikës së Jugut.
Mes tyre ishte edhe Motra Inah, një murgeshë braziliane që ishte personi më i vjetër në botë deri në vdekjen e saj më 30 prill 2025, në moshën 116-vjeçare. Studimi përfshinte gjithashtu ish-personin më të vjetër mashkull në botë, i cili vdiq në moshën 112 vjeç, si dhe pasardhësin e tij, aktualisht 113 vjeç.

Sipas drejtueses së studimit, Dr. Mayana Zatz, profesoreshë e gjenetikës njerëzore dhe mjekësore, rëndësia shkencore e këtij grupi nuk qëndron vetëm te sa gjatë jetojnë, por te fakti se sa mirë jetojnë.
“Nëse ekziston diku një ‘burim i jetëgjatësisë’,” thotë ajo, “ai me shumë gjasë ndodhet diku në Brazil.”
Shumica e superqindvjeçarëve të studiuar ruanin kthjelltësinë mendore dhe ishin në gjendje të kryenin vetë aktivitetet e përditshme, pavarësisht se kishin pasur pak ose aspak akses në kujdes shëndetësor modern.
Analizat e detajuara treguan se sistemi i tyre imunitar – linja e parë e mbrojtjes së trupit kundër infeksioneve – funksiononte shumë ndryshe nga ai i popullatës së përgjithshme. Analiza në nivel qelize tregoi se qelizat imunitare ruanin mekanizma shumë efikasë për riciklimin e proteinave dhe “pastrimin” qelizor, të ngjashëm me ata të njerëzve shumë më të rinj. Kjo ndihmon trupin të eliminojë mutacione potencialisht të dëmshme.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se qelizat T ndihmëse CD4+, të cilat zakonisht koordinojnë përgjigjen imunitare, silleshin më shumë si qeliza T CD8+ “vrasëse” – qeliza që sulmojnë drejtpërdrejt qelizat e infektuara ose anormale. Ky model është shumë i rrallë në popullata më të reja.
Gjatë pandemisë së Covid-19, ekipet kërkimore vunë re se këto sisteme imunitare u përshtatën shpejt, duke prodhuar antitrupa neutralizues dhe duke rritur proteinat mbrojtëse të përfshira në fazat e hershme të luftës kundër virusit. Tre superqindvjeçarë në studim e përballuan infeksionin me Covid-19 në vitin 2020, përpara se vaksinat të ishin të disponueshme.
Duke shkruar në revistën Genomic Press, studiuesit përfunduan se plakja e sistemit imunitar te superqindvjeçarët nuk duhet parë si një rënie e pashmangshme, por si një formë përshtatjeje biologjike që ruan funksionin.
Ky zbulim hedh dritë të re edhe mbi studime të mëparshme, të cilat sugjerojnë se njerëzit që jetojnë deri në moshë shumë të thyer nuk janë thjesht duke “mbijetuar” sëmundjet për më gjatë – por shpesh i shmangin ato që herët.
Studime të mëdha në Suedi kanë treguar se qindvjeçarët zhvillojnë shumë më pak sëmundje serioze gjatë jetës, i grumbullojnë problemet shëndetësore më ngadalë dhe kanë rrezik dukshëm më të ulët për sëmundje madhore të lidhura me moshën, si infarktet, goditjet në tru dhe demenca.
Në një analizë që ndoqi mbi 170 mijë persona për deri në 40 vjet, ata që më vonë jetuan mbi 100 vjeç kishin norma shumë më të ulëta të sëmundjeve kardiovaskulare edhe në të 80-at e tyre, çka sugjeron se ishin të mbrojtur nga sëmundjet shumë përpara se të arrinin moshë ekstreme.
Ekspertët thonë se përshtatjet imunitare të zbuluara te superqindvjeçarët brazilianë mund të shpjegojnë këtë efekt të të ashtuquajturve “super-plakës” (super-agers), duke sfiduar bindjen e vjetër se një jetë më e gjatë do të thotë domosdoshmërisht më shumë vite me shëndet të dobët.
Interesant është fakti se, ndryshe nga popullata të tjera jetëgjata, superqindvjeçarët brazilianë nuk ndjekin një dietë specifike, si dieta mesdhetare, e cila lidhet shpesh me shëndetin e zemrës dhe jetëgjatësinë.
Ekipi po zhvillon tani modele qelizore për të identifikuar mekanizma biologjikë mbrojtës që mund të jenë unikë për popullsinë e Brazilit, me synimin afatgjatë për të kuptuar se si plakja e shëndetshme mund të zgjatet edhe për popullatën e gjerë. /GazetaExpress/