Përplasja mes galaktikës sonë, Rrugës së Qumështit, dhe fqinjës së saj më të madhe, galaktikës së Andromedës – e parashikuar të ndodhë përreth 4.5 miliardë vjet nga tani – ka qenë një pritshmëri e astronomëve që nga viti 1912.
Por, një studim i ri sugjeron se mundësia që kjo përplasje galaktike, e quajtur edhe “Milkomeda”, të ndodhë është më e vogël sesa mendohej më parë, raporton cnn.
Në shikim të parë, duket pothuajse e sigurt se këto dy galaktika, të cilat ndodhen rreth 2.5 milionë vite dritë larg njëra-tjetrës, janë në një trajektore përplasjeje të pashmangshme. Rruga e Qumështit dhe Andromeda po lëvizin drejt njëra-tjetrës me një shpejtësi prej rreth 360 mijë km/h (100 km/s).
Megjithatë, rajoni ynë i universit, i njohur si Grupi Lokal, përfshin edhe 100 galaktika të tjera më të vogla.
Një ekip astronomësh ka marrë në konsideratë disa nga më të mëdhatë prej tyre, përfshirë Reen e Madhe të Magelanit (LMC) dhe galaktikën M33 (e njohur edhe si Galaktika Trekëndore), për të vlerësuar ndikimin që ato mund të kenë në të ardhmen e Rrugës së Qumështit gjatë 10 miliardë viteve të ardhshme.
Pasi përfshinë ndikimet gravitacionale të galaktikave nga Grupi Lokal dhe kryen 100 mijë simulime duke përdorur të dhëna të reja nga teleskopët Hubble dhe Gaia, shkencëtarët zbuluan se ekziston vetëm rreth 50 për qind mundësi që Rruga e Qumështit dhe Andromeda të përplasen brenda 10 miliardë viteve të ardhshme. Ndërsa vetëm rreth 2 për qind është shansi që kjo përplasje të ndodhë brenda 4 deri në 5 miliardë vite, siç mendohej më parë, thuhet në studimin e publikuar në revistën Nature Astronomy.
Sipas autorëve të studimit, përplasja mes Rrugës së Qumështit dhe Andromedës do të shkatërronte të dyja galaktikat dhe, me kalimin e kohës, do t’i shndërronte në një galaktikë të vetme, të zgjatur, pa strukturë spirale.
“Përplasjet e galaktikave mund të shkaktojnë ‘fishekzjarre kozmike’, kur gazi i galaktikës grumbullohet në qendër dhe ushqen vrimën e zezë, e cila më pas lëshon sasi të mëdha rrezatimi, përpara se materia të përthithet përgjithmonë prej saj,” tha bashkautori i studimit, Carlos Frenk, profesor në Universitetin Durham të Anglisë.
“Deri tani kemi menduar se kjo ishte pikërisht fati i Rrugës sonë të Qumështit”, pohoi ai dhe shtoi se “tani dimë se ka një shans të mirë që ta shmangim atë fat të frikshëm”.
Megjithatë, autorët e studimit paralajmërojnë se faktorë të shumtë të panjohur e bëjnë të vështirë parashikimin e saktë të fatit përfundimtar të galaktikës sonë.
Frenk gjithashtu thekson se ka një mundësi më të madhe që Rruga e Qumështit të përplaset me Reen e Madhe të Magelanit brenda dy miliardë viteve të ardhshme – një përplasje që mund të ndryshojë në mënyrë rrënjësore strukturën e galaktikës.
Simulimi i përplasjeve galaktike
Rea e Madhe e Magelanit (LMC) rrotullohet rreth Rrugës së Qumështit, ndërsa galaktika M33 është një satelit i Andromedës.
Megjithëse LMC ka vetëm rreth 15 për qind të masës së Rrugës së Qumështit, ekipi zbuloi se kjo galaktikë satelit, përmes ndikimit të saj gravitacional – që vepron pingul ndaj Andromedës – ndryshon lëvizjen e Rrugës së Qumështit në atë mënyrë që e zvogëlon mundësinë e përplasjes me Andromedën. Diçka e ngjashme vlen edhe për M33.
“Pesha shtesë e satelitit të Andromedës, M33, tërheq disi Rrugën e Qumështit drejt vetes”, tha autori kryesor i studimit, Dr. Till Sawala, astronom në Universitetin e Helsinkit. “Por gjithashtu tregojmë se LMC e tërheq Rrugën e Qumështit jashtë orbitës së saj dhe e largon nga Andromeda. Kjo nuk do të thotë se LMC do të na shpëtojë nga përplasja, por e bën atë më pak të mundshme”, shtoi ai.
Studimet e mëparshme kanë përdorur vlera më të mundshme për një sërë të panjohurash, si pozicionet aktuale, lëvizjet dhe masat e galaktikave në Grupin Lokal. Në studimin e ri, ekipi mori parasysh 22 variabla të ndryshme që mund të ndikojnë në rezultatin përfundimtar.
“Ne kemi zhvilluar mijëra simulime për të përfshirë të gjitha pasiguritë e vëzhgimeve”, tha Sawala dhe shtoi se “meqë secila variabël sjell gabime të veta, kjo rezulton në një pasiguri të madhe në rezultat, gjë që na dërgon në përfundimin se mundësia për një përplasje të drejtpërdrejtë është vetëm 50 për qind brenda 10 miliardë viteve të ardhshme”.
Në pak më shumë se gjysmën e simulimeve që parashikojnë ngjarjet për periudhën nga 8 deri në 10 miliardë vite, Rruga e Qumështit dhe Andromeda kalojnë fillimisht pranë njëra-tjetrës, pastaj rikthehen, duke humbur energjinë orbitale dhe përfundojnë duke u bashkuar në një galaktikë të vetme. Takimet fillestare ndodhin mes mbështjellësve galaktikë – reve të mëdha gazi – të cilat përfundimisht çojnë në përplasje.
“Një përplasje e tillë ka gjasë të shkaktojë një shpërthim të fuqishëm të formimit të yjeve, ndjekur nga një periudhë me rrezatim intensiv që vjen nga yjet e rinj në shpërthim dhe nga aktivizimi i vrimave të zeza supermasive, pas së cilës formimi i yjeve do të ndalonte plotësisht”, tha Sawala. “Disa miliarda vjet më vonë, çdo gjurmë e dikurshme e Rrugës së Qumështit dhe Andromedës do të ishte zhdukur, duke lënë pas një galaktikë të madhe eliptike pa ndonjë strukturë të theksuar”, pohoi shkencëtari.
Në pjesën tjetër të simulimeve, të dyja galaktikat kaluan pranë njëra-tjetrës pa ndonjë ndikim të madh të ndërsjellë.
Geraint Lewis, profesor i astrofizikës në Universitetin e Sidneit, i cilëson interesante rezultatet që tregojnë ndikimin gravitacional të M33 dhe LMC-së. Ai ka studiuar më parë përplasjen e mundshme mes Andromedës dhe Rrugës së Qumështit.
“Nuk mund ta dimë me siguri nëse përplasja do të shmanget”, tha Lewis dhe shtoi se “por është e qartë se rrëfimi i një përplasjeje të pashmangshme mes Andromedës dhe Rrugës së Qumështit nuk është më aq i sigurt sa besohej më parë. Megjithatë, edhe nëse nuk ndodh një përplasje e drejtpërdrejtë, forcat gravitacionale që galaktikat do të ushtrojnë ndaj njëra-tjetrës ka gjasa t’i dëmtojnë rëndë të dyja”.
Parashikimi i së ardhmes kozmike
Ndërsa marrja në konsideratë e ndikimeve gravitacionale të Reas së Madhe të Magelanit (LMC) është e rëndësishme, aspekti më i rëndësishëm i studimit të ri është llogaritja e pasigurive, tha Scott Lucchini, postdoktorant në Institutin për Teori dhe Llogaritje pranë Qendrës për Astrofizikë Harvard–Smithsonian.
“Ata, në këtë rast, kanë mostruar të gjitha të panjohurat që lidhen me pozicionet, shpejtësitë dhe masat e galaktikave për të përcaktuar probabilitetet relative të skenarëve të ndryshëm. Kjo na jep vërtet një pamje të plotë të rezultateve të mundshme”, deklaroi ai.
Galaktikat janë sisteme komplekse – format e tyre mund të shtrembërohen, ndërveprimet e ndërsjella mund të ndryshojnë orbitat e tyre, dhe ato mund të humbasin masë në mënyra të ndryshme.
Një kompleksitet i tillë e bën të vështirë parashikimin afatgjatë, shton Lucchini. Kjo, sipas autorëve të studimit, do të thotë që fati i Rrugës së Qumështit “mbetet tërësisht i hapur”.
Megjithatë, matjet e reja që do të vijnë nga të dhënat e teleskopit hapësinor Gaia, të planifikuara për verën e vitit 2026, mund të zvogëlojnë më tej pasiguritë rreth shpejtësisë dhe drejtimit të lëvizjes së Andromedës, thotë Sawala.
Fati i Tokës
Fati i Diellit mund të ketë ndikim më të madh në të ardhmen e Tokës sesa lëvizja e galaktikave, besojnë studiuesit.
Dielli ynë është i vjetër rreth 4.5 miliardë vjet. Sipas të dhënave të NASA-s, kur të fillojë të vdesë pas rreth 5 miliardë vitesh, ai do të fryhet në një gjigand të kuq që do të përpijë Merkurin, Venusin (Afërdita) dhe ndoshta edhe Tokën.
“Përgjigjja e shkurtër është se fundi i Diellit është shumë më i keq për planetin tonë sesa një përplasje me Andromedën”, tha Sawala.
“Edhe pse përplasja do të shënonte fundin e galaktikës sonë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht fundi i Diellit apo Tokës. Hulumtimi ynë gjithashtu tregon se studimet e mëparshme që pretendonin se mund të parashikonin me saktësi fatin e Sistemit Diellor pas bashkimit ishin të nxituara. Në përgjithësi, përplasjet midis yjeve dhe planeteve gjatë bashkimeve galaktike janë jashtëzakonisht të rralla. Dhe ndërsa fundi i Diellit është i sigurt, puna jonë tregon se fundi i galaktikës nuk është”, tha ai.
Edhe pse ekipi nuk e modeloi në detaje bashkimin e LMC-së me Rrugën e Qumështit, ata arritën në përfundimin se ka një “siguri virtuale” që këto dy galaktika do të bashkohen brenda dy miliardë viteve të ardhshme, gjë që konfirmohet edhe nga studime të mëparshme. Megjithatë, efektet e këtij bashkimi ka gjasa të jenë më të vogla se ato të një bashkimi të mundshëm me Andromedën.
“Ky bashkim nuk do ta shkatërrojë galaktikën tonë, por do ta ndryshojë atë në mënyrë rrënjësore – veçanërisht do të ndikojë në vrimën e zezë supermasive në qendër të saj dhe në halos galaktik,” shkroi Frenk, i cili gjithashtu ishte bashkautor i një studimi të vitit 2019 për këtë bashkim të mundshëm. /Telegrafi
aaaaa