Një ilaç i zhvilluar së fundmi ka treguar se ofron mbrojtje 24 orëshe nga tensioni i lartë i gjakut, përfshirë edhe orët e hershme të mëngjesit, kur rreziku i atakut kardiak dhe goditjes në tru është më i lartë.
Tensioni i gjakut ndikohet fuqishëm nga hormoni aldosteron, i prodhuar nga gjëndrat mbiveshkore, i cili rregullon nivelet e natriumit dhe kaliumit. Megjithatë, disa persona prodhojnë sasi të tepruar të këtij hormoni, duke bërë që trupi të ruajë kripën dhe ujin, çka rrit presionin e gjakut.
Derisa ilaçet ekzistuese mund të bllokojnë veprimin e aldosteronit, ilaçi i ri, Baxdrostat, ndalon prodhimin e tij direkt.
Një studim global, i quajtur Bax24, përfshiu 218 persona nga 79 vende të botës, të cilët vuajnë nga hipertensioni rezistent ndaj trajtimit—pra, tensioni i tyre mbetej i lartë edhe kur merrnin të paktën tre lloje ilaçesh të ndryshme.
Studimi, i drejtuar nga Profesori Bryan Williams nga University College London (UCL), konfirmoi se ilaçi ishte efektiv gjatë gjithë 24 orëve.
“Rezultatet e provës janë të jashtëzakonshme, si për sa i përket uljes së tensionit të gjakut, ashtu edhe për faktin që efekti zgjat gjatë gjithë 24 orëve,” tha Prof. Williams. “Efektiviteti i këtij ilaçi është i paprecedent dhe tregon se hormoni aldosteron luan një rol të rëndësishëm në rritjen e tensionit në shumë pacientë që nuk kontrollohen me trajtimet ekzistuese. Ky është një përparim real dhe një zbulim i madh në trajtimin e hipertensionit rezistent.”
Gjatë studimit, pjesëmarrësit morën Baxdrostat ose placebo një herë në ditë, duke vazhduar trajtimin e tyre të zakonshëm. Tensioni i gjakut u mat me pajisje ABPM 24-orëshe, që monitoron presionin në mënyrë të rregullt gjatë ditës dhe natës.
Pas 12 javësh, pacientët që morën Baxdrostat patën një ulje të ndjeshme të tensionit, përfshirë natën dhe mëngjesin e hershëm, kohë kur rreziku për atak kardiak dhe goditje në tru është më i lartë.
Ky rezultat vjen pas një prove paraprake me 800 pacientë, ku Baxdrostat ulte tensionin rreth 9–10 mmHg më shumë se placebo, dhe afërsisht 4 nga 10 pacientë arritën nivele të shëndetshme krahasuar me më pak se 2 nga 10 që morën placebo, pa probleme të papritura të sigurisë.
Studime të mëparshme sugjerojnë se kjo ulje mund të reduktojë rrezikun e sëmundjeve koronare me 17%, goditjeve në tru me 27%, dështimit të zemrës me 28% dhe vdekjes me 13%.
Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 14 milionë persona vuajnë nga hipertensioni, ndërsa gjysma e tyre ka tension të pakontrolluar ose rezistent, edhe kur marrin kombinime të ndryshme ilaçesh. Këta persona janë në rrezik të lartë për probleme serioze si atak kardiak, goditje në tru, sëmundje të veshkave dhe vdekje të parakohshme.
Baxdrostat mund të jetë i disponueshëm në NHS që vitin e ardhshëm, ndërsa kompania prodhuese AstraZeneca po përgatitet të aplikojë për miratim rregullator brenda muajve të ardhshëm në Britani. /GazetaExpress/