Shkruan: Naser Pajaziti
“Deri në vitin 2001 se kisha dëgjuar emrin e Ali Ahmetit, LPK-istit dhe komandantit operativ të asaj kohe të UÇK-ve, që si studentë shpesh kishim rastisur ta shihnim në qebatoren “Lura” në Tiranë në vitet 98-99, por që atëkohë nuk njihej në publik dhe ishte operativa kryesore e UÇK-së me nofkën e famshme Abaz Xhuka. Më pas, kolegët e mi ma kujtonin njeriun me një pallto te gjatë, xhizme ushtarake, që tymoste në një cep të lokalit me bashkëveprimtarët e tij.
Në periudhën e fillimeve të luftës së 2001 emri i tij doli në sipërfaqe si figura kyçe e luftës së UÇK-së, por që profili i tij mbetej misterioz me kokën ulur duke shfletuar një libër.
Në fundvitin e 2001 si reporter i ri për herë të parë arrita ta shoh Ali Ahmetin, që veçmë kishte shpërthyer dhe kishte përqafuar thuajse çdo shqiptarë. Ai ishte shndërruar në idhull, hyjni dhe se hija e tij po trembte gjithë aparatin shtetëror dhe skenën politike.
Një vit më vonë fitorja plebishitare në zgjedhjet e 2002 i dha mandatin e fuqishëm politik për ta implementu dokumentin e paqes të asaj kohe – Marrëveshjen e Ohrit. Kishin nisur negociatat për formimin e Qeverisë së pasluftës dhe se negociata përpos disa PPD-istëve të integruar në BDI, shihej edhe Musa Xhaferi, që nga opinioni maqedonas konsiderohej dhe akceptohej nga hije dhe peshë e rëndë. Në ditët e para të negociatave një koleg maqedonas na përcillte përshtypjet e politikanëve dhe opinionit maqedonas se UÇK-istët janë të kockë e fortë, me hije të rëndë që i kishin futur ethet në bark. Sidomos ashtu e kishin akceptuar Musa Xhaferin me heshtjen e tij. Por vetëm pak javë më vonë takimi i radhës me kolegët maqedonas në ngjarje na solli një përshtypje krejtësisht të kundërt sa i përket Musës dhe njerëzve tjerë që i prinin negociatave. “Nuk ishte ashtu si i kishin menduar, lehtë me këta si ky Musa”, na thoshte kolegu im, por që ne insistonim se nuk është ashtu si po mendoni.
Dhe sa shkonin vitet e para të Marrëveshjes së Ohrit, procesi i implementimit dhe gjërat lëviznin vështirë për shkak të refuzimit dhe obstruksioneve nga pushteti dhe labirinthet e tij hermetike, që nuk e pranonin realitetin e ri. Gjithçka lëvizte me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Ky plan i mirëorganizuar i obstruksioneve dhe të blerjes së kohës nga pushteti dominues i ish-strukturave të komunizmit të etabluara në sistem çoi që të tejkalohen afatet e përmbylljes së fazës së parë të Marrëveshjes së Ohrit, e që ishte viti 2004.
Ndërkohë, në planin tjetër, struktura të shërbimit sekret të dominuara nga UDB-ashë famoz inskenonin skenare dhe kurthe ndaj ushtarëve të demobilizuar të UÇK-së, goditje të rënda hakmarrëse përmes montimeve duke filluar me skenarin e Sopotit, ku u morën në qafë banorë të pafajshëm të fshatit, më pas duke vijuar me bombat në Kumanovë, ku e pësuan të rinj shqiptarë, që kishin qenë luftëtarë të UÇK-së. Këto inskenime të orkestruara e dominonin opinionin publik, tentonin zvetënimin e UÇK-së dhe defokusimin e procesit të postkonfliktit. Duke e mbajtur peshë këtë situatë krize, devijohej përmbushja e detyrimeve të avancimit dhe përfaqësimit shqiptarë.
Ali Ahmeti në gjithë këtë situatë përballë shumë sfidave nisi të lëkundej dhe shpesh të dilte i sfiduar dhe i mposhtur nga sistemi që vazhdonte të kontrollonte gjithçka. Shumë funksionarë të deleguar ishin nën ombrellën e Musa Xhaferit si i deleguar i Ahmetit, që bëhej se kishte kontroll në ekzekutivit, por ishte dhe rezultonte i paaftë, e që rrethohej nga njerëz e funksionarë të “hunit e të gardhit” dhe që shpesh ishin të tundur pas “kulubeve” e haremeve dhe qarqeve politiko-biznesore. Kjo ishte ana e errët që sistemi i nëntokës tashmë kishte kapur dhe e mbante nën survejimin këtë kastë politike, që kontrollonte thuajse çdogjë tek ana shqiptare. Lloj lloj shantazhe, inskenime, tërheqje për veshi, kapje me “pelë për dore” për marifetllëqe të ndryshe e korrupsion bëri që “ushtarët” institucional të Ali Ahmetit t’ia zbehnin peshën e tij dhe shpesh ta mbështetnin për muri. Kjo doli edhe në përgjimet e mëvonshme për secilin ‘kapadai’ pushteti” ka shkruar gazetari dhe njohës i mirëi çështjeve politike në vend, Naser Pajaziti.
tag_katrorimaqedoni_2