Shkelje profesionale dhe zvarritje gjyqesh në 4 nga 5 dosjet e hetuara. Zbardhet denoncimi i KPK për gjyqtaren Elona Toro - Gazeta Express

Shkelje profesionale dhe zvarritje gjyqesh në 4 nga 5 dosjet e hetuara. Zbardhet denoncimi i KPK për gjyqtaren Elona Toro

Shqiperi

Gazeta Express

28/09/2020 16:10

Në shkallën e parë të vettingut gjyqtares së Apelit të Tiranës, Elona Toro i janë zbuluar një sërë shkeljes nga hetimi administrativ.

Rrjeti i gazetarëve investigativë BIRN shumica në komision nuk i ka konsideruar penalizuese disa probleme që vetë i konstaton në kriterin e profesionalizmit. Sipas vendimit të zbardhur të KPK katër nga 5 dosjet e zgjedhura për t’u vëzhguar kanë rezultuar me probleme.

“Në katër nga pesë dosjet e vëzhguara mungon vendimi për caktimin e seancës përgatitore dhe në një rast mungon vendimi për caktimin e seancës gjyqësore. Në rastin e nje dosjeje mungon gjithashtu akti për caktimin e gjyqtares për gjykimin e çështjes, si dhe akti i njoftimit të palëve”

Kurse anëtarja, Etleda Çiftja që ka kërkuar shkarkimin e Elona Toros ka radhitur vërejtje që ka marrë gjyqtarja e Apelit të Tiranës nga organet monitoruese të sistemit gjyqësor.

“Për vitin 2014 − verifikuar për zvarritje gjyqtares i është tërhequr vëmendja me shkrim për tejkalim të afatit procedural për gjykimin e një kërkese me objekt “kundërshtim veprimesh përmbarimore”.

Për vitin 2015 – një çështje i është verifikuar për shkelje formale ligji, dhe i është regjistruar gjyqtares për efekt vlerësimi profesional dhe etik.

Në konkluzion të rivlerësimit të aftësive profesionale, referuar të dhënave nga burimet arkivore dhe raportit të KLGJ-së mbi vlerësimin e aftësive profesional, denoncimeve nga publiku, si dhe në vlerësimin tërësor të çështjes, unë çmoj se subjekti i rivlerësimit, me shpjegimet dhe provat e paraqitura, nuk ka arritur të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit për rivlerësimin e aftësive profesionale. Subjekti i rivlerësimit ka një mënyrë pune e cila nuk pajtohet me pozicionin e saj dhe nuk arriti të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit mbi zvarritjet e përsëritura të gjykimit dhe të disa shkeljeve ligjore.”

Përveç problemeve profesionale gjyqtares së Apelit të Tiranës, Elona Toro iu zbuluan pasuri të pajustifikuara në hetimin administrativ. Dhurime parash me hua prej mijëra eurosh të marra tek miqtë qe nuk justifikohen, sipas anëtares së komisionit të vettingut, Etleda Çiftja pasi burimet e parave kanë qenë të pajustifikuara dhe duke bashkuar problemet profesionale Gjyqtarja Elona Toro duhet shkarkuar nga detyra.

“Mangësitë profesionale të vlerësuara më lart, së bashku me deklarimin e pamjaftueshëm për vlerësimin e pasurisë , në vlerësimin tërësor plotësojnë kuadrin ligjor për të disponuar masën disiplinore të shkarkimit nga detyra. Për pasojë, subjekti i rivlerësimit duhet të ishte shkarkuar nga detyra nga shumica e trupit gjykues.”

Komisioni në shkallën e parë të vettingut ka qenë i ndarë për vendimin e gjyqtares së Apelit të Tiranës Elona Toro, megjithëse shkeljet kanë qenë të shumta. Deri në javën e parë të tetorit vendimi i KPK duhet apeluar në shkallën e dytë të vettingut nga komisioneri public,i cili duhet të vihet në lëvizje bazuar dhe në praktikën e deritanishme ku vendimet jo unanime janë apeluar./BW