Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim Denis Xholin, i akuzuar për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, vepër e kryer në bashkëpunim.
Vendimi u mor nga trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Elsa Ulliri dhe Bib Ndreca.
Përveç dënimit me burg, Xholit iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.
Denis Xholi, si një nga zyrtarët e bashkisë Bulqizë, akuzohet për përfshirje në manipulimin e procedurës së prokurimit publik për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Bulqizë.
Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me zyrtarë të tjerë dhe persona të lidhur me fituesit e tenderit për të favorizuar subjekte të caktuara, duke cenuar parimet e ligjshmërisë dhe transparencës në këtë proces.
Gjithashtu, gjatë hetimit u evidentua se ai ka përfituar pagesa të paligjshme në lidhje me këtë tender, duke kontribuar në shkeljet dhe falsifikimet e dokumentacionit gjatë zbatimit të kontratës.