string(95) "shkarkoi-administratorin-e-ujesjelles-kanalizimeve-shkoder-spak-dergon-per-gjykim-bardh-spahine"

Shqiperi

Gazeta Express

26/02/2025 15:53

Shkarkoi administratorin e Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër, SPAK dërgon për gjykim Bardh Spahinë

Shqiperi

Gazeta Express

26/02/2025 15:53

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim ish-kryetarin demokrat të bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.

Sipas SPAK, “prej analizës së akteve dhe provave të administruara gjatë hetimeve të kryera, rezulton e provuar se i pandehuri, B.S, në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër, njëkohësisht edhe kryetar i Bashkisë, Shkodër me dy vendime të vitit 2022 ka liruar nga detyra shtetasin M.M., në funksionin e administratorit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe duke emëruar në këtë detyrë shtetasin, A. B”.

Këto vendime janë ankimuar nga shtetasi M.M., në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila vendosi të pranojë kërkesën, duke vendosur pezullimin e vendimit deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata të vendimit që do të zgjidhë çështjen civile të regjistruar mbi bazën e kërkesë-padisë.

SPAK bëri të ditur se nga ana e të pandehurit Bardh Spahia “duke qenë në dijeni të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë, pavarësisht faktit se ka patur një vendim gjyqësor të qartë dhe të ekzekutueshëm në mënyrë të menjëhershëm për Asamblenë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër për pezullimin e vendimeve me të cilat ishte shkarkuar shtetasi, M.M., dhe emëruar A.B., (si rrjedhojë nga Gjykata është urdhëruar rivendosja në detyrë e shtetasit M.M., deri në përfundim të procesit gjyqësor), nga ana e tij, është anashkaluar ky urdhërim gjyqësor duke nxjerrë shtatë ditë më vonë, tre vendime të tjera përmes të cilave sërish ka shkarkuar nga detyra shtetasin, M.M., dhe ka emëruar A.B si administrator, veprime këto të kryera me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor.

SPAK njofton se rezulton se i pandehuri ka anashkaluar urdhërimet e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë.

“Mosrespektimi i vendimit gjyqësor që përbën titull ekzekutiv cenon në thelb shtetin e së drejtës dhe shkakton pasiguri juridike. Organet/nëpunësit publikë, të cilëve, një vendim gjyqësor iu drejtohet me urdhërime, duhet vetëm ta zbatojnë dhe jo të bëjnë interpretime apo diskutime ligjore nëse është i mbështetur ose jo në ligj”, njofton SPAK.