Shkarkohet Veliaj, ëshilltarët socialistë ekzekutojnë urdhrin e Ramës për Tiranën - Gazeta Express
string(80) "shkarkohet-veliaj-eshilltaret-socialiste-ekzekutojne-urdhrin-e-rames-per-tiranen"

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 17:30

Shkarkohet Veliaj, ëshilltarët socialistë ekzekutojnë urdhrin e Ramës për Tiranën

Lajme

Gazeta Express

23/09/2025 17:30

Ndërsa shtyn ditët më të këqia të jetës së tij në Durrës, i izoluar në qelitë e paraburgimit dhe me një aradhë prokurorësh dhe gjykatësish që i kanë kërcyer mbi shpinë, Erion Veliaj mori goditjen më të hidhur që pas arrestimit nga familja e tij politike, e cila e braktis tashmë zyrtarisht, duke e zhveshur përfundimisht edhe nga pushteti politik i bashkisë së Tiranës.

Thikat e fundit pas shpine ia dhanë njerëzit që i qëndronin më afër, këshilltarët bashkiakë, bashkëpuntorët e tij, pjesë e skuadrës së Tiranës që jo vetëm nuk guxuan t’i dalin kundër urdhrit të Edi Ramës për ta vrarë politikisht por u bënë bashkë për t’ia refuzuar “Lalit” të vetmen kërkesë që kishte: të ishte prezent në mbledhje për të folur.

Janë të njëjtët këshilltarë që deri dje e lajkatonin në kor dhe shihnin tek ai yllin në ngjitje të Partisë Socialiste, por që sot ngritën kartonat për ta eleminuar politikisht. Nga 31 prej tyre në një këshill me 60 antarë nuk u pa asnjë karton i kuq. (VIDEO MË LART) Në fakt disa prej këshilltarëve bashkiakë vendosën të mos bëhen pjesë e procedurave të shkarkimit dhe munguan në mbledhje. Aktori Gazmend Paja, ish-kryetarja e FRESSH, Joleza Koka e bojkotuan votimin.

Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit, Megi Fino lexoi një tekst, që ngjante me të njëjtën logikë që përdori edhe Rama në mbledhjen e asamblesë së PS kur njoftoi shkarkimin e Veliajt.

“Ky hap i imponuar nga nevoja urgjente e Tiranës për të ecur përpara nuk është një pranim i pretendimeve të ngritura në procesin penal ndaj kryetarit të bashkisë të cilat i takon gjykatës t’i vlerësojë. Sot ne po kryejmë një detyrim politik dhe moral ndaj qytetarëve të Tiranës duke cliruar Tiranën nga ngërçi i krijuar prej ndalimit pa gjyq dhe të një kohe të paditur të kryetarit të saj” u shpreh Megi Fino.

Pas saj, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Doracaj tha se votimi në komision kishte qenë 12 pro mes antarëve të Partisë Socialiste dhe vetëm 1 abstenim nga opozita.

Ndërkohë opozita ka paralajmëruar votën e saj pro shkarkimit të Veliajt, duke respektuar një kërkesë që e kishin depozituar që në maj të këtij viti.

“Ky është një akt historik. I bashkuam votat tona, jo ne me ju, por ju me ne, pasi kemi katër muaj që ju kemi kërkuar që kjo ditë të ndodhte dhe ju përsëri nuk u ngritët. Por më mirë vonë se kurrë! Faleminderit që e liruat Tiranën. Do doja shumë që ky akt të mos ishte i shkruar kështu si sot, ndonëse do ta votoj me të dyja duart” u shpreh Teliti.

I gjithë procesi i shkarkimit të Veliajt ka qenë i ngjashëm me atë të goditjes së grupeve armiqësore në diktaturë. Në një mbledhje, javën e kaluar në selinë e Partisë Socialiste, këshilltarët bashkiakë të Tiranës u justifkuan duke thënë se “Qytetit të Tiranës me një zhvillim të pandalshëm ekonomik e social, i duhet një kryetar në detyrë, për ndjekjen e punëve”.

Por ky ishte thjesht një pretekst i pavlerë. Veliaj mungon në detyrë prej më shumë se 7 muajsh dhe më parë socialistët e kishin refuzuar kërkesën e opozitës për shkarkimin e tij.

Vendimi për ta eleminuar Lalin një herë e mirë nga politika u njoftua gjatë fjalimit të Edi Ramës në asamblenë e Partisë Socialiste. Rama foli me tone të buta për Veliajn në asamble, duke thënë se si ishte me “zemër të rënduar” kur flitej për kryebashkiakun dhe se si Lalit “i është mohuar e drejta e gjykimit në liri, i është bërë një gjyq i gjatë, gjysmë të vërtetash në tezgat e pazarit mediatik dhe në pasqyrat e gjykatave sociale”.

“Madje në shkelje të hapur të ligjit dhe të çdo zakoni, janë nxjerr nga brenda në ato tezga edhe bisedat me familjarët, nga telefoni i burgut” tha kryeministri në asamblenë e PS.

Por në të njëjtën kohë që e quante padrejtësi procesin ndaj Veliajt kryeministri, Rama vazhdoi t’i ngulte gozhdët në arkivolin e tij politik, duke shpallur në të njëjtin fjalim shkarkimin e Lalit dhe kandidaturën e re të Ogerta Manastirliut për Tiranën.

Fill pas kësaj, nisi të lëvizë një mekanizëm vrastar, i cili në momentin që u braktis nga Rama, konsiderohet tashmë një kufomë politike brenda partisë, një barrë e rëndë që askush nuk do ta mbajë mbi supe dhe kushdo që i afrohej deri dje, tashmë bën çmos për ta zbuar sa më parë larg vetes.

Kështu dhe këshilltarët bashkiakë, me një përpikëri ushtarake u mblodhën javën e kaluar në selinë e Partisë Socialiste, në një mbledhje të drejtuar nga Megi Fino, e bija e të ndjerit Bashkim Fino, që iu bashkua partisë pasi i ati ndërroi jetë. Në rrjetet sociale, qarkulluan këto ditë fotot e celebrimit të saj në tarracën e bashkisë së Tiranës, si dëshmi e marrëdhënies së afërt me Veliajn, por në mbledhje u njoftua se shkarkimi do të kryhej këtë të martë me votat unanime.

Në frymën e këtij uniteti u refuzua edhe kërkesa e Erion Veliajt për të qenë prezent në mbledhje dhe për t’i dhënë kohë të përgatitej për mbrojtjen e tij. Fillimisht, Veliaj iu drejtua Këshillit Bashkiak me fjalët se shkarkimi i tij do të ishte një “precedent i rrezikshëm për demokracinë vendore”.

Por ashtu siç pritej, në asnjë moment ai nuk akuzoi Ramën dhe partinë që tashmë po e trajtonte si një kavie. Në të njëjtën letër, Veliaj u kujdes të përcaktonte se “Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë”

Shumëkush është habitur me këtë vetëpërmbajtje të Erion Veliajt që tashmë po qëndron në paraburgim, ndërsa e pret një proces gjyqësor me 13 akuza që lidhen me korrupsionin në bashkinë e Tiranës. Të tjerë e shpjegojnë këtë shfajësim me profilin politik prej servili, një filozofi me të cilën ia ka dalë gjithnjë të arrijë në majat e pushtetit. E sigurtë është se shfajësimi që u bëri këshilltarëve bashkiakë nuk e ndryshoi qëndrimin e tyre.

Me një dokument të shkruar ftohtë dhe gati cinik, sekretari i këshillit Bashkiak, i dha një përgjigje sipas së cilës Veliaj mund t’i sillte “observacionet” e tij me shkrim në mbledhje. Veliaj u përgjigj sërish një letër tjetër, ku ankohej se nuk ishte njoftuar zyrtarisht për mbledhjen e këshillit, por ishte njohur me të vetëm në media.

Më pas, duke u kujdesur të mos bënte akuza, tentoi sërish të ngjallë mëshirë duke kujtuar se “ndodhem në kushtet e paraburgimit, bazuar në një masë sigurimi personale, mundësitë i kam të kufizuara”.

Këto mund të konsiderohen edhe fjalët e fundit para shkarkimit të Erion Veliajt, kryebashkiaku që deri më sot është preja më e madhe e luftës së brendshme të Partisë Socialiste ndaj “grupeve armiqësore”.

Jo më kot, në mbledhjen e këshillit bashkiak atmosfera u krahasua me atë të një ceremonie funebre. Socialistët qëndruan kokulur në mbledhje, por në fund të ditës votuan shkarkimin e kryetarit të bashkisë ashtu siç ishin urdhëruar. Me aktin e tyre dëshmuan se sa e lehtë është të rrëzohesh nga pushteti që të dhuron partia. Siç ndodhi me Erion Veliajn, i cili dikur shihej me adhurim nga njerëzit që vetë i rriti dhe i ushqeu politikisht, pa e menduar se të njëjtët njerëz, një ditë do t’i jepnin shkelmin e fundit jashtë politikës./Lapsi.al