Shkarkohet drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano. Policia e Shtetit do të drejtohet përkohësisht nga nëndrejtori i Policisë Tonin Vocaj.
Lexo edhe: Orët e fundit të Gledis Nanos, emri i drejtorit të ri në tavolinë, pritet zyrtarizimi
Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi deklaroi sot se “qeveria mori vendim për shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm të drejtorit të Policisë, Gledis Nano”.
“Policia e Shtetit dhe drejtuesi kryesor i Policisë së Shtetit kërkon një reagim më të fortë ndaj gjithë këtyre fenomeneve dhe një menaxhim. Këshilli i Ministrave, qeveria, ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë është besoj unë një masë efikase për të pasur një reagim më të fortë të policisë në luftën kundër krimit”, u shpreh ministri Çuçi.
Si zëvendësues të Nanos janë përfolur dy emra, Drejtori i Policisë Kriminale të Shqipërisë, Neritan Nallbati dhe Drejtori i Përgjithshëm i AMP Muhamet Rrumbullaku.
Këto ndryshime bëhen në kulmin e zhvillimeve kriminale në Shqipëri dhe inkriminimin që ka përfshirë institucionet. Pa mbushur një vit, Nano përflitet se do të zëvendësohet ndërsa ngjarja më e rëndë, ajo e zhdukjes së Ervis Martinajt nuk është zbardhur. Nano ndodhet në këtë post që prej 10 muajsh, nga tetori i 2021 kur ka zëvendësuar Ardi Veliun.
/Gazeta Express