Pas shkarkimit të dy zyrtarëve të burgut të Drenovës, janë emëruar drejtues të rinj në këtë institucion. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka caktuar Lorent Nakon në detyrën e drejtorit të burgut, ndërsa Artan Kocibelli është emëruar shef i policisë së burgut.
Largimi nga detyra i Fatjon Fashos dhe Sokol Kacolles erdhi pas sekuestrimit të një telefoni celular në qelinë e Laert Haxhiut, një i burgosur me rrezikshmëri të lartë dhe i dënuar për ngjarje të rënda kriminale.
Për këtë rast, SPAK ka nisur hetimet, duke verifikuar jo vetëm përmbajtjen e telefonit, por edhe lidhjet e mundshme që mund të kenë çuar në sigurimin e tij brenda qelisë. Dyshohet se bisedat e të dënuarit të njohur si “i forti i Lushnjës” janë zbuluar gjatë përgjimeve të një tjetër çështjeje që është ende nën hetim.