"Shkarkimi i gjyqtarëve e prokurorëve për mungesë pune...", Gërvalla: Pako për Reformën në Drejtësi do të procedohet shpejt - Gazeta Express
string(116) "shkarkimi-i-gjyqtareve-e-prokuroreve-per-mungese-pune-gervalla-pako-per-reformen-ne-drejtesi-do-te-procedohet-shpejt"

Lajme

Gazeta Express

26/03/2026 17:58

“Shkarkimi i gjyqtarëve e prokurorëve për mungesë pune…”, Gërvalla: Pako për Reformën në Drejtësi do të procedohet shpejt

Lajme

Gazeta Express

26/03/2026 17:58

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, sot ka marrë pjesë në përmbylljen e punëtorisë treditore për diskutimin dhe finalizimin e pakos së projektligjeve që rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, një nga proceset më të rëndësishme reformuese në sistemin e drejtësisë në vend.

Gjatë tri ditëve të diskutimeve, përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, Policisë, Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë kanë shqyrtuar dhe avancuar pakon e projektligjeve që synojnë forcimin e integritetit, llogaridhënies dhe profesionalizmit në drejtësi.

Para të pranishmëve, ministrja Gërvalla tha se shumë shpejt do të procedohen për miratim në Qeveri dhe Kuvendin e Kosovës gjashtë projektligjet që rrjedhin nga ky zotim i përbashkët mes krerëve të drejtësisë.

Ministrja Gërvalla tha se finalizimi i kësaj etape të reformës do të ndikojë në mënyrë thelbësore në forcimin e palëkundur të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, që ka në epiqendër qasjen në drejtësi për qytetarin dhe integritetin e profesionalizmin e institucioneve të drejtësisë, si dhe duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të praktikave negative të pandëshkueshmërisë.

“Rrjedhimisht, përmes këtyre akteve, për herë të parë adresohet çështja e shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për mungesë pune dhe profesionalizmi, kategorizohen dhe saktësohen shkeljet disiplinore dhe, po ashtu, për herë të parë rregullohet me ligj vlerësimi i performancës së tyre”, tha ministrja Gërvalla.

Tutje, ajo tha se kjo nismë, e filluar në vitin 2023, ka rezultuar me përgatitjen e gjashtë projektligjeve që kanë të bëjnë me kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësimin e performancës së tyre, sistemin disiplinor dhe kontrollin e pasurisë, si dhe me Akademinë e Drejtësisë dhe nëpunësit civilë të administratës së gjykatave dhe prokurorive.

Në fund, ministrja Gërvalla shprehu përkushtimin për finalizimin dhe jetësimin e kësaj reforme, për të garantuar një sistem me standarde të reja profesionale, në shërbim të çdo qytetari.

Advertisement
Advertisement
Advertisement