Shkaku i papritur i infeksioneve urinare - Gazeta Express
string(40) "shkaku-i-papritur-i-infeksioneve-urinare"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

10/02/2026 18:49

Shkaku i papritur i infeksioneve urinare

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

10/02/2026 18:49

Mjekët kanë zbuluar një faktor befasues që mund të rrisë rrezikun e infeksioneve të traktit urinar (ITU), një problem shëndetësor shumë i përhapur që dërgon mbi 10.5 milionë njerëz çdo vit te mjeku vetëm në SHBA.

Infeksionet urinare zakonisht shoqërohen me nevojë të shpeshtë dhe urgjente për të urinuar, djegie gjatë urinimit, dhimbje në zonën e legenit dhe temperaturë. Në raste të rralla, infeksioni mund të përhapet në veshka ose në gjak, duke shkaktuar sepsë – një ndërlikim potencialisht fatal.

Shumica e ITU-ve shkaktohen nga bakteri E. coli, i cili zakonisht është i padëmshëm në zorrë, por mund të shkaktojë infeksion nëse arrin në traktin urinar. Prej kohësh, mjekët kanë paralajmëruar se higjiena e dobët e duarve dhe aktiviteti seksual mund të rrisin rrezikun. Gratë janë veçanërisht të prekshme, pasi trakti urinar është më afër zorrëve; vlerësohet se ato kanë rreth 30 herë më shumë rrezik se burrat.

Tani, mjekët po theksojnë edhe një faktor tjetër: dietën.

Një numër gjithnjë e më i madh studimesh sugjeron se konsumimi i mishit – veçanërisht mishit të papjekur mirë si derri, pula, gjeli i detit apo viçi – mund të rrisë rrezikun e infeksioneve urinare. Në të kundërt, studiuesit kanë gjetur se vegjetarianët kanë rreth 18 për qind më pak gjasa të preken nga kjo problematikë krahasuar me ata që konsumojnë mish.

Sipas ekspertëve, mishi mund të rrisë rrezikun sepse shpesh mund të jetë i kontaminuar me E. coli, i cili gjatë përgatitjes së ushqimit mund të përhapet në duar dhe sipërfaqe pune dhe më pas të hyjë në traktin urinar përmes përdorimit të tualetit. Gjithashtu, ngrënia e mishit të papjekur mund të bëjë që zorrët të kolonizohen nga lloje të reja të E. coli, duke rritur mundësinë e infeksionit.

Një studim i vitit 2025, i botuar në revistën Clinical Microbiology, zbuloi se gati një në pesë infeksione urinare, nga 23.483 pacientë të analizuar, lidhej me mish dhe shpendë të kontaminuar. Pacientët kishin zhvilluar infeksion pas konsumimit të pulës, gjelit të detit, derrit ose viçit.

Një analizë tjetër e vitit 2023, e publikuar në One Health, vlerësoi se E. coli i marrë nga ushqimi mund të jetë përgjegjës për deri në 640.000 raste ITU çdo vit në SHBA.

Ndërkohë, një studim i vitit 2020 në Scientific Reports, që ndoqi për nëntë vjet rreth 9.000 budistë në Tajvan (3.200 prej tyre vegjetarianë), tregoi se ata që ndiqnin një dietë me bazë bimore kishin 18 për qind më pak rrezik për infeksion urinar.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto studime janë vëzhguese dhe nuk provojnë përfundimisht se konsumimi i mishit shkakton infeksione urinare. Kërkime të tjera mbi këtë lidhje janë ende në zhvillim.

Edhe ndryshime të tjera në dietë mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut. Një studim i vitit 2017 nga Universiteti i Miçiganit tregoi se ulja e konsumit të kafesë, çajit dhe pijeve të gazuara – të cilat mund të irritojnë fshikëzën – reduktonte simptomat e infeksioneve urinare.

Këto pije përmbajnë kafeinë, e cila stimulon muskujt e fshikëzës dhe rrit shpeshtësinë e urinimit, duke shtuar rrezikun e infeksionit.

Mjekët paralajmërojnë gjithashtu se gratë në menopauzë kanë rrezik më të lartë për ITU, pasi ndryshimet hormonale ndikojnë në ekuilibrin bakterial në vaginë.

Infeksionet urinare zakonisht trajtohen me antibiotikë dhe simptomat zakonisht përmirësohen brenda pak ditësh. Për të parandaluar infeksionet e përsëritura, mjekët rekomandojnë konsum të bollshëm lëngjesh, sidomos ujë, për të shpëlarë traktin urinar dhe për të larguar bakteret. Gjithashtu këshillohet parandalimi i kapsllëkut përmes një diete të pasur me fibra, si fruta, perime, bishtajore dhe produkte integrale. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement