Shkaku i pandemisë anulohet gjykimi ndaj dy të akuzuarve për shpëlarje parash e vepra tjera - Gazeta Express

Shkaku i pandemisë anulohet gjykimi ndaj dy të akuzuarve për shpëlarje parash e vepra tjera

Lajme

Gazeta Express

10/07/2020 14:20

 Rreziku i përhapjes së virusit Covid-19 është bërë shkak që, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të anulohet gjykimi ndaj të akuzuarve për shpëlarje parash e vepra tjera, Nuhi Hoxha dhe Shahe Tahirukaj.

Mos mbajtja e kësaj seance është konfirmuar nga stafi mbështetës i gjykatësit të rastit, Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë çështje penale kanë qenë të akuzuar edhe Edmond Curri, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, mirëpo ndaj tyre është pushuar procedura penale, për shkak se kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndryshe, në këtë seancë ishte planifikuar që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjoheshin përfaqësuesit nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 13 korrik, me fillim nga ora 09:00.

Ndryshe, me aktvendimin e nxjerrë më 20 nëntor 2019, Departamenti Special i kësaj gjykate kishte aprovuar pjesërisht kërkesat për hedhjen e aktit akuzues të parashtruara nga mbrojtësit e të akuzuarve Nuhi Hoxha, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, avokatët Emrush Kastrati, Leon Përlaskaj dhe Florent Latifaj, për pikat V, VI dhe VII të dispozitivit të aktakuzës.

Si rrjedhojë, gjykata ka pushuar procedurën penale sa i përket këtyre pikave të dispozitivit të aktit akuzues për të akuzuarit Nuhi Hoxha, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja me arsyetimin se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ky vendim i nxjerr në shkallë të parë është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë me të drejtë e ka hedhur pjesërisht aktakuzën dhe ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, për veprat penale nga pikat V, VI dhe VII të kësaj aktakuze.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 29 dhjetor 2014, ka ngritur aktakuzë ndaj Nuhi Hoxhës për shkak të veprave penale “shpëlarja e parave”, nga neni 32 par.2 pika 2.1, 2.2 dhe 2,3 dhe 2,8 të ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit, lidhur me veprat penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike nga neni 290 dhe shmangie nga tatimi nga neni 249 të KPK-së dhe veprave penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 290 par.2 lidhur me par.1 dhe veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, si dhe veprave penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, si ligj më i favorshëm.

PSRK-ja këtë aktakuzë e ka ngritur edhe ndaj Shahe Tahirukaj, për shkak të veprave penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 290 par.2 lidhur me par.1 dhe veprën penale “dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314 par.2 lidhur me par.1 të KPRK-së, veprës penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Në dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze, Shahe Tahirukaj dhe Nuhi Hoxha akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Në dispozitivin e pestë të aktakuzës, Nuhi Hoxha dhe Edmond Curri akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31  të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Për veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.2 lidhur me par.1, lidhur me nenin 31  të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm të kryer në bashkëkryerje, janë të akuzuar edhe Nuhi Hoxha dhe Fisnik Kajtazi, pastaj Nuhi Hoxha dhe Mensur Peja.

Sipas PSRK-së, Nuhi Hoxha akuzohet se në periudhën kohore 2006-2014, në cilësinë e pronarit të firmës “Bimi SHPED” dhe i autorizuar në firmat “EDI”, “Rrufeje”, “FISI”, “A&E”, duke e ditur se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal, ato i ka deponuar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara e pastaj me qëllim të fshehjes së burimit, natyrës, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, ato i ka transferuar jashtë Kosovës në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Maqedoni dhe vende tjera, në shumën prej 2,734, 708.00 euro, duke mos importuar fare mallra nga shtetet e lartshënuara.

Po ashtu, Hoxha akuzohet se gjatë viteve 2006-2014, ka shkelur ligjet e ATK-së dhe ligjet tjera, duke përpiluar dokumente të rreme, kur ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente këto me përmbajtje të rreme dhe ka keqpërdorur autorizimet që ia kanë dhënë bizneset e lartshënuara, e pastaj me veprimet e tij ka mundësuar që këto biznese të kenë përfitim të kundërligjshëm në vlerë 674,312.79 euro, duke shmangur pagesën e të gjitha llojeve të tatimeve, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Për shmangie nga tatimi në periudhën kohore 2009-2013, Nuhi Hoxha akuzohet se personalisht dhe përmes firmës së tij “Bimi-Shped”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit që kërkohen me ligj, ka dhënë të dhëna të pavërteta, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me biznesin e tij, pasurinë, gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël se ai real, ku me këtë ka bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 30,174.13 euro.

Ndërsa, e akuzuara Shahe Tahirukaj akuzohet nga PSRK-ja se në periudhën kohore 2007-2014, përmes përpilimit të dokumenteve të rreme ka shkelur ligjet e ATK-së dhe ligjet tjera, ku në periudha të kohëpaskohshme ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, nga të cilat ka përfituar provizion të kundërligjshëm prej 3%, duke përfituar kundërligjshëm dobi pasurore prej 18,241.21 euro. Ajo akuzohet se me veprimet e saj u ka mundësuar bizneseve tjera përfitime të kundërligjshme, përmes shmangies së tatimeve, ku përfitimi për të tjerët është 401,314.42 euro, ndërsa për vete apo personin tjetër ka përfituar 419,555.63 euro.

Shahe Tahirukaj akuzohet edhe se prej vitit 2008-2014, përmes firmës NPSH “Rrufeja”, “Afërdita”, “Dardani-BK” dhe “Drenusha”, në pronësi të saj, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, ka deklaruar një qarkullim më të vogël se ai real i bizneseve në fjalë, ashtu që shmangie totale nga faturat fiktive me provizion 3% është 18,241.09 dhe ajo nga qarkullimi fiktiv është 401,314.42 euro, dhe në total, shmangia e përgjithshme dhe dëmtimi i buxhetit të Republikës së Kosovës është në shumën prej 419,555.51 euro.

PSRK-ja për veprën penale shmangie nga tatimi ka akuzuar në bashkëkryerje Nuhi Hoxhën dhe Shahe Tahirukaj se në periudhën kohore 2008-2014 kanë kryer shmangie nga tatimi në vlerë prej 7,752.05 euro, pastaj Nuhi Hoxhën dhe Edmond Currin se në vitet 2007-2008 kanë shmangur pagesën e tatimit në vlerë 187,083.10 euro, pastaj Nuhi Hoxhën dhe Fisnik Kajtazin se në bashkëkryerje në vitet 2007-2008 kanë shmangur pagesat tatimore në vlerë 393,178.72 euro, dhe në fund të akuzuarit Nuha Hoxha dhe Mensur Peja, se në bashkëkryerje gjatë vitit 2007 kanë shmangur pagesat tatimore në vlerë 86,478.82 euro.