Policia e Përmetit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Sektorin Operacional, ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë të koduar “Done deal”, duke arrestuar një shpërndarës droge dhe proceduar dy blerës.
Në pranga ra Dh. P., 33 vjeç, banues në Përmet, i cili u kap në flagrancë duke shpërndarë doza kokaine në zona të ndryshme të qytetit.
Gjithashtu, u proceduan penalisht A. M., 27 vjeç dhe F. J., 34 vjeç, të dy banues në Përmet, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tyre u gjet një sasi e vogël kokaine, e dyshuar e blerë nga i arrestuari.
Gjatë kontrolleve në banesën e Dh. P., policia gjeti sasi kokaine të ndarë në doza dhe një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.