Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Lazoviq, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan Hysen Kryeziu, Ahmet Zenuni dhe Ramadan Gashi, të cilët para trupit gjykues rrëfyen tmerrin që kishin përjetuar në shkollën e fshatit Panorc.
Fillimisht, dëshminë para trupit gjykues e ka dhënë dëshmitari Kryeziu për të vazhduar tutje me rrëfimet e dëshmitarëve Zenuni dhe Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Dëshmitari Kryeziu përshkroi forcat policore dhe ushtarake serbe, si dhe rrugëtimin për në shkollën e fshatit.
“Na kanë ba rresht për dy e na kanë dërgu në shkollën e Panorcit, ka qenë hënë, natë e kthjellët, më kujtohet një thënie që s’e harroj kurrë, në gjuhën serbe na kanë thënë: ‘shikone hënën se nuk keni me pa më kurrë’, por për fat të mirë e kemi pa edhe dritën edhe hënën”, tha dëshmitari Kryeziu.

Dëshmitari Kryeziu tregoi se çfarë pa në bankat e shkollës kur u ftua nga pjesëtarët e forcave serbe që të shkonte në një dhomë të veçantë, si dhe përshkroi pamjen e atyre personave që ishin aty.
“Kur kam hy i kam pa mbi bankat e shkollës, nuk pash ditar e libra të shkollës, kam pa automatikë, mitrolez dhe mjete të forta, aty kanë qenë 4 apo 5 vetë. Një paramilitar se s’di si ta emëroj ndryshe, jo me uniformë ushtarake, jo me uniformë policore por kishte shirit në kokë, shirita duarve, një rrethatore, fishekë të varur, mjete frikësuese, në dorë mbante një thikë dhe një mprehëse të thikës, vazhdimisht e mprehte thikën dhe na shikonte secilit në sy”, tha Kryeziu.
Dëshminë para trupit gjykues e vazhdoi dëshmitari Zenuni, i cili po ashtu theksoi se pjesëtarët e forcave sebe në Panorc mbanin uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe. Ai tha se edhe vetë ishte pjesë e grupit që shihen në fotografinë e prezantuar nga prokurori special, Armend Zenelaj.
“Unë jam pjesë e këtij grupi që shihet në foto. Kanë pasë uniforma policore (pjesetarët e forcave serbe), ka pasë edhe tenka dhe i mëshojke tenkës, nuk luftohet me kallasha, me qeta luftohet”, tha Zenuni.
Ndërsa, dëshmitari Gashi tha se kur ishin dërguar në shkollë, disa prej tyre ishin ndarë në një dhomë tjetër, ku edhe ishin rrahur.
Aty tha ishte një pjesëtar i sigurimit shtetëror serb që e njihte me emrin Zhivkoviq, ndërsa me të ishin edhe katër pjestarë të tjerë të forcave serbe, e ndër ta edhe i akuzuari Lazoviq.
“Të nesërmen na i kanë marrë dokumentet, na kanë thirrë në një dhomë të shkollës së mesme, pyetje e dajak, na kanë pyet a ke qenë pjesëtar i UÇK-së, pse ke ikë nga shtëpia. Katër vetë janë kanë aty- Zhivkoviqi i UDB-së civil, e kom njoftë edhe para lufte. Ky ka qenë së bashku me atë Zhivkoviqin e ceka më heret. Ky u kanë me uniformë të policisë ngjyrë të kaltër. Kur kam qenë mrena na kane goditë, këta e kam verifiku mirë aty. Ka qenë prezent me automatik në dorë ka qenë i pari kur kanë fotografu”, tha Gashi.
Dëshmitari po ashtu theksoi edhe atë se si nuk u lejohej t’i shikonin forcat serbe dhe ishte goditur dhe fyer nga ata.
“Me ka goditë njëri me kondak të pushkës në kokë dhe më ka shajtë UÇK-në dhe nënën shqiptare, pse po e çon kryet”, u shpreh Gashi.
Në seancën filestare më 4 dhjetor 2024, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë, kundër të pandehurit Sërgjan Lazoviq, për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Panorc të Komunës së Malishevës.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Sërgjan Lazoviq akuzohet se në periudhën kohore 1998 – 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, duke vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer arrestime dhe privim të kundërligjshëm nga liria, keqtrajtime fizike dhe psikike.
Në këtë aktakuzë janë përshkruar mënyrat dhe rrethanat e keqtrajtimeve dhe arrestimeve të popullsisë civile shqiptare, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Në aktakuzë thuhet se nga data 3 shtator 1998 deri më 5 shtator 1998, në fshatin Panorc, Komuna Malishevë, me dashje, i armatosur, i uniformuar, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me qëllim të frikësimit, dëbimit masiv dhe spastrimit etnik të popullatës shqiptare, Lazoviq ka arrestuar, ndaluar, torturuar, maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, rreth 500 qytetarë civilë, të cilët nuk ishin të përfshirë në konflikt.
Aty thuhet se banorët e fshatrave të Malishevës dhe Klinës së bashku me familjet e tyre, ishin detyruar që të largoheshin nga fshatrat dhe shtëpitë e tyre, duke shkuar në drejtim të bjeshkëve të fshatit Panorc dhe më të arritur në fshat popullata civile has në një postbllok të forcave policore serbe, të cilët e kishin rrethuar zonën ku ndodhej popullata civile, ku thuhet se forcat serbe fillimisht i ndajnë burrat nga gratë dhe fëmijët, këtyre të fundit u japin urdhër të largohen kurse rreth 500 meshkuj civilë shqiptarë i arrestojnë dhe i dërgojnë në drejtim të shkollës së fshatit, ku gjatë rrugës i maltretojnë dhe i rrahin, në mesin e tyre edhe të dëmtuarin Ahmet Zenuni.
“…me të arritur te shkolla që të gjithë i vendosin nëpër klasa të shkollës dhe i mbajnë të bllokuar për rreth 30 orë kundërligjshëm, në kushte të rënda jetese, duke ua mohuar të drejtat themelore të tyre për ushqim, ujë, nevoja fiziologjike dhe kësisoj forcat serbe, brenda shkollës kishin ndarë një klasë të veçuar nga klasët e tjera ku i mbanin të ndaluarit, në të cilën kishin qenë disa policë bashkë më të pandehurin Sërgjan Lazoviq, të cilët fillimisht i selektonin disa nga të ndaluarit, më pas i merrnin një nga një dhe i dërgonin në atë klasë për t’i marrë në pyetje dhe për t’i rrahur, në mesin e tyre edhe të dëmtuarit Z.B., R.G., dhe R.B., të cilët i torturonin fizikisht me armë, mjete të forta si shkopinj prej druri, mjete të punës dhe kabllo, duke u shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, me ç’rast 13 prej tyre i arrestojnë dhe i dërgojnë në Burgun e Dubravës, kurse të tjerët i lirojnë”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, thuhet se gjatë periudhës kohore të cekur në dispozitivin I, të kësaj aktakuze, forcat policore dhe ushtarake serbe ku bënte pjesë edhe i pandehuri Lazoviq morën pjesë në dëbimin e popullsisë civile nga shtëpitë e tyre, ashtu që duke përdorur një dhunë sistematike dhe gjerësisht të përhapur fillimisht kishin rrethuar fshatin Panorc dhe fshatrat përreth dhe pastaj i kishin bombarduar me artileri të rëndë, kurse në fund kishin hyrë me këmbësori dhe kishin shkuar shtëpi për shtëpi dhe nën kërcënimin e armëve i kishin detyruar banorët që të largohen nga shtëpitë e tyre, duke i obliguar që në kolonë të largohen në drejtim të Shqipërisë.
Më tej, thuhet se ata plaçkitën të gjitha shtëpitë dhe mjetet transportuese të civilëve, kurse në fund i dogjën të gjitha duke u shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Me këto, Sërgjan Lazoviq akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.