Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Polici.
Sipas njoftimit, në Prishtinë janë raportuar tri raste të dhunës, ku në dy prej tyre viktima janë gratë të cilat janë sulmuar fizikisht nga bashkëshortët e tyre. Në rastin e parë viktima ka marrë trajtim mjekësor dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërkaq në të dytin, pas intervistimit të palëve, i dyshuari është liruar. Rastet kanë ndodhur të hënën. Ndërkaq në rastin tjetër, një burrë ka njoftuar se ka dhunë psikike të vazhdueshme nga ish-bashkëshortja e tij edhe pse ka urdhër mbrojtës. E dyshuara është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Në Fushë-Kosovë të hënën është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Edhe në Podujevë është arrestuar një burrë pasi ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Gjilan kanë ndodhur dy raste. Dy burra janë arrestuar për dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre. Në rastin e parë nuk është raportuar për të lënduar dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërkaq në rastin e dytë viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar poashtu në mbajtje.
Dy raste të dhunës në familje gjithashtu kanë ndodhur në Pejë. Në njërin rast një grua ka raportuar se djali i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj. Pas intervistimit me vendim të prokurorit palët janë liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt. Ndërkaq në rastin e dytë është arrestuar i dyshuari pasi në ndikim të alkoolit ka kanosur bashkëshorten e tij duke shkelur urdhrin mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është arrestuar.
Në Leposaviq një burrë në ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht babanë e tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndalur në stacionin policor deri në këndellje që më pas të intervistohet.